I harruari i paharrueshëm, At Anton Harapi ofm, martir i fesë dhe i shqiptarizmës së kulluar

Nga Klajd Kapinova Manhattan, New York

Një sqarim i “vogël” për lexuesit shqiptarë

Kam lexuar para disa kohe me një kujdes të veçantë një shkrim kuptimplotë të publicistit të mirënjohur z. Mergim Korça, në gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” në Manhattan Neë York.

Ju përgëzoj i dashur bashkëatdhetar, që jeni shumë i shqetësuar për mosfutjen e emrit të veprës martire të At Anton harapit në fazën e kanonizimit, që Selia e Shenjtë në Vatikan aplikon për meshtarët e Krishtit. Dhe pikërisht për atë ushtar besnik të Urdhërit të Shën Françeskut, që me sandale dhe varfëri qendroi pranë dhe mes popullit të vet, ku gjithnjë për te Shqipnia ishte NJI. U privua nga kjo e drejtë e merituar, pikërisht françeskani i përvujtë, që u pushkatua barbarisht me fjalët e Krishtit në gojë: “Fali o Zot se nuk dijnë çka bajnë”, “Rrnoft Krishti Mbret!”, “Rrnoft Shqipnia edhe pa ne!”.

Keni shumë të drejtë i nderuari z. Korça, kur thoni, se me At Antonin, do të ndodhë njësoj sikurse i ngjau Padre Piu-t, i cili, kur ishte në jetën tokësore thoshte: “La Benedizione del Signore scenda su di te, sulla tua casa e su tutte le persone a te care”. Atëherë ç’vlerë ka pendesa, kur veprimi i padrejtë, për mosshënimin e emrit në listën e martirëve shqiptarë është bërë me dëshirën e një individi apo “komisioni” shqiptarësh. Askush nuk ka drejtë t’i jap të gatshëm në tabaka Selisë së Shenjtë, ku meshtar e meriton apo jo, që të bëhet martir i lterit!

Me sa di unë, Komisioni i Rishqyrtimit të Aktit të Martirizimit të Klerikëve Katolikë në kohën e masakrave të komunizmit (sikurse në të gjithë vendet diktatoriale dhe komuniste të ish – Evropës Lindore) nga Vatikani, ka kërkuar prej Konferences Ipeshkvnore të Kishës Katolike në Shqipëri dokumentet (të marra nga Arkivi Qendror i Shtetit, aktet e gjyqeve), dëshmi me deklarata autentike nga përsona që dëshmojnë vërtetësinë e faktit të kërkuar, dhe jo të paragjykohet nga gjyqi i dytë shqiptar, etj. “komisioni” apo individë, kushdo kjoftë, duhet t’i ketë parë pikturat ose arkivat, që i kushtohen pushkatimit të klerikëve katolikë, një prej të cilëve është edhe At Anton Harapi.

Frati i pushkatuar e i anatemuar pa mëshirë, ka nevojë që të qitet në shesh me dokumente autentike dhe jo të marrë të gatshme nga zyrat e ekzekutorëve etërit dhe bijtë e të cilëve ende drejtojnë Shqipërinë dhe ende nuk kanë bërë “mea culpa” për krimet që kanë bërë kundër njerëzimit dhe popullit të vet. Veprimi i njëanshëm dhe me tendenca diskriminuese që kanë përdorur sot servilët e sistemit qofshin këto dhe me petk meshtarak, është një shkelje ndaj martirëve të krishtërimit që e kanë derdhur gjakun e tyre për ungjillizimin e popullit dhe dashninë e besimtarëve shqiptarë. Shpesh po abuzohet pa të drejtë përmes një fotografie, ku ka dalë frati që ka kaluar në amshim At Anton Harapi me një gjeneral gjerman Fitstum asokohe të Luftës Dytë Botërore…

Mirëpo, kushdo e di, se e gjithë hierarkia që ka 10 vjet pushtet shpirtëror në Shqipëri (25 Prill 1993-2003), pas vitit 1993 me përjashtim të Shkëlqësisë së Tij imzot Zef Simoni Ipeshkëv (që ka vuajtur kalvarin komunist për 12 vjet në Spaç, Burrel, Sarandë, etj.), përsa i përket historisë së martirizimit të prelatëve tanë, nuk i njohin, dhe mendoj se nuk kanë të drejtë të vendosë apriori.

Nuk është vonë të bëhet dorëzimi i materialeve për fratin Anton Harapi në Vatikan, mbasi drejtësia herët ose vonë do të triumfojë… Do të vijë një ditë që madhështia e Pader Anton Harapit, të rritët ashtu sikurse ngjau pas shumë dekadash me shenjtin Pader Piu-n.

Faqet e historisë, të mbshura me male kufomash të pafajshme nga kmerët e kuq të polpotit të Tiranës së kuqe të diktatorit largkjoftë, me heshtjen e tyre stoike po flasin dhe kërkojnë drejtësi. Opurtiniteti e konformizmi me xhelatët ekzekutorë që janë sot në pushtet pas revolucionit jevgjito-komunist të vitit të zi 1997, do të shkrihet si kripa në ujë…

Në një natë të errët e të vranët, u hapën gropa të mëdha kolektive. U gjakosën qielli e toka, u thanë trungje shumëvjeçare. U vranë nga komunistët, bijtë e kësaj toke, që shquheshin për nga lartësia shpirtërore, për nga zgjuarësia e trimëria.

Shumë klerikë katolikë u pushkatuan me gjyq fars dhe pa gjyq, u burgosën, internuan dhe zhdukën pa lënë asnjë gjurmë. U vranë mizorisht 8 kryeipeshkëvij, 4 ipeshkëvij, 53 priftërinj dioqezanë, 25 françeskanë, 10 jezuitë, 10 seminaristë. Ata së bashku kishin bërë 881 vjet burg ose gati 9 shekuj vuajtje. Ata së bashku kishin kryer 450 vjet studime në 24 universitete të ndryshme. Këtë fat të zi kishte edhe At Antoni. Në këtë mënyrë, historia njerëzore mbetet një meteor, që shndritë përjetë veprën e prelatëve të kishës dhe të kombit shqiptar të mbisalvuar.

Asnjë përkujtimore shkencore nuk është bërë për përkujtimin e veprës dhe jetës së tij në dobi të shqiptarizmës së kulluar. Tash 14 vjet në Shqipëri dhe për më tepër në vendlindje në qytetin e Shkodrës, nuk është bërë asgjë, as nga Urdhëri Françeskan që e ka për detyrë të përkujtojë martirët e Shën Françeskut, një shembëlltyrë e të cilit ishte edhe frati shqiptar At Anton Harapi. Vetëm në Prishtinë, revista kulturore “Jeta e Re” në vititn 1997, i ka përkushtuar një numër të veçantë At Anton Harapit. Asnjë pendesë, nuk ka nga ata autorë që dje e mallëkuan me shkrime turpi dhe sot përsëri po rishkruajnë me metorën e “realizmit social-komunist”, “Historinë e Letërsisë Shqipe” (Antologjinë) dhe të ashtëquajturën “Histori e Populli Shqiptar” (2002), ku domonojnë “Prof.dr.” e komunizmit. Tashmë hipokrizia ka dalë sheshit dhe po han bukën e marres së vet nga pushtetarët socialkomunist që janë bërë padronë shpirtërorë, kulturorë, fizikë dhe ekonomik në vendlindjen tonë e përtej saj…

Kush ishte dhe mbeti At Anton Harapi

Ai lindi në Shirokë të Shkodrës, më 5 janar 1888. I biri i Loros dhe i Çiles, shtoi gëzimin e familjes që jetonte buzë valëve të Liqenit piktoresk. Babai merrej me peshkim, të cilin e kishte traditë. Në fëmijëri bashkëmoshatarët e thërrisnin Gaspër, sepse ishte i pagëzuar me këtë emër. Që në moshë të re hyri në Kolegjin e Jezuitëve dhe më pas në Kolegjin Françeskan, që ishte dhe mbeti shtylla e traditës së mirëfilltë kombëtare shqiptare, duke qenë përherë një pikë e mirëfilltë referimi për të gjithë gjeneratat e mëvonshme, që dolën nga kjo qendër e rrezatimit të fortë të gurrës së pashtershme popullore fetare e atdhetare.

Vocërraku, aty mori njohuritë elementare të teologjisë, rriti cilësinë e mendjes së vet, duke fisnikëruar zemrën me kulturë fetare, u mëkua me dashurinë e thellë për Atdheun. Si fëmijë dallohej për mirësi, butësi, përshpirtëri, duke qenë një dashamirës, me vepra të lloj-llojshme mëshire. Rezultatet e larta në shkollë i mundësuan adoleshentit të mençur, të vijojë studimet e larta në disa qytete të rëndësishme të Austrisë, që njihen si metropole të rrezatimit të kulturës së lashtë e bashkëkohore botërore. Këtu rregullisht studio në Villach të Tirolit, Salezburg dhe Shvarc për degën adhuruese të tij teologji. Ai ishte një enciklopedi që ecte me dy këmbë mbasi, preferonte shumë të ishte në kontakt me bibliotekat, si një frekuentues shumë i rregullt dhe i azhurnuar me të gjithë median e huaj evropiane që vinte në këtë bibliotekë.

Pranë profesorëve të mirënjohur austriakë dhe të traditës fetare vendase, këtu studioi për degët e adhuruara teozofi e filozofi, ku menjëherë përfitoi një kulturë të shëndoshë oksidentale, dije të qëndrueshme, përpikmëri të dalluar të stilit gjerman, qendresë të shpirtit të hekurt françeskan.

Duhet vënë në dukje se pikërisht gga ky element i vlefshëm françeskan, rezulton, se françeskanët nëtë tërësi, pa kursim derdhin energjitë e tyre në kulturë, dije, përparim, cilësi me vullnet pune dhe inisiativë të lirë përsonale.

Kësisoj, mbi të gjitha në unitet dominoi bashkimi i të gjithë virtyteteve pozitive, duke plotësuar më tej shpirtin e pastër françeskan, me të cilin frati ynë ishte i edukuar qysh në fillim…

Gaspëri i ri, bëhet At Anton Harapi në Shqipëri. Dijet e thalla akademike, që ai i kishte akumuluar gjatë viteve të studimeve akademike, nuk do ta tulatshin kujtesën e tij të freskët, por do të shpërthenin valë – valë, gjithnjë në nivele të reja rritjeje, me një dinamikë për t’u pasur zili, të cilat falë aftësive përsonale, do t’i reflektonte me finesë.

Argumentet që buronin në mënyrë të natyrshme, në çdo kohë dhe rrethanë, do t’i parashtronte me një logjikë të hekurt gjermane. Kjo ishte aftësi profesionale vetëm e një gjeniu të rrallë. Dhe një njeri i tillë, dy herë nuk do të përsëritet në tokën shqiptare. Mbi freskinë dhe mendimin e gërshetuar filozofik, për stilin e matur karakteristik, të lidhur me rrjedhshmëri, Dom Kolec Prenushi, na ofron para 67 vjetëve këto rradhë vlerësimi: “…mendje dialektike, qi shkruen kryeartikuj, nder cillt disa janë kryvepra. Dija e thell, arsytimi i lidhun, analizimi i holl, stili i peshuem, dallojn gjith shkrimet e tija. Mund të jetë i thatë, i ftoht, por ai asht i drejt e i pafajshem” (Shih, “Hylli i Dritës”, 1936, fq. 583).

Për të gjithë ata që hodhën vrerë, për jetën dhe veprën e At Antonit (kujtojmë se posaçërisht për të ulur figurën e martirit shqiptar françeskan, pseudoshkrimtari Skënder Drini, për të përfituar poste dhe “merita”, zhgarravitë me urretjen e tij latente, dramën përvese “Shembja e hidhujve” me përsonazh kryesor të ashtëqujtunin “Harapi i Shkodres”, duke fyer edhe më tej me skenarin e filmit dhe libretin e drames me te njejtin titull figuren e At Anton Harapit. Me ardhjen e demokracisë ky shkrim në vend që të bënte “mea culpa” u shpërblye për bëmat e tij si Atashe Kulturor në Konsullaten e Shqipërisë në Turqi shënimi im K. Kapinova), që vraponte shpejt për të përhapur paqen, dashurinë për njeri – tjetrin, e drejtësinë midis njerëzve, do të ishte me vend, që nga thellësia e shekujve, t’u përgjigjemi me një fjalë të urtë të skalitur nga Paskal: “Ndërgjegja, është libri më i mirë moral që kemi dhe me të cilin, duhet të këshillohemi më shumë”.

Si intelektual model, sillte me vete mentalitetin e misionarëve përparimtarë europianë, që në shumicë asokohe kishin në zotërim shartet e Provincës Françeskane (shek. XII – XIII), që po hidhte shtat me palcë e fizionomi shqiptare, tërësisht me taban solid, e cila gradualisht kishte çelur gonxhe, që shpërthyen në të ardhmen lulëzimin e kulturës amtare shqiptare, ku në rezonancë dominonte fryma e ngrohtë françeskane “lutu e puno”.

Veprimtaria fetare e atdhetare

Në vitin 1910, At Antoni kthehet në Shqipëri dhe shugurohet meshtar, duke qenë deri në flijim meshtar besnik i zhgunit të Shën Françeskut e popullit që e donte dhe e respektonte me veneracion. Ai punon si mësues në Kolegjin e Fretënve, ku, kishte mësuar qysh I vogël. Si I ri, kishte ide e objektiva të veçanta, duke I kanalizuar në një shtrat të vetëm, formimin dituror të rinisë së ardhshme, me metoda të tilla, ku, dallohet universaliteti I dritës, për t’i ndriçuar të gjitha së bashku pa dallim bindjesh, përkatësish, krahinash, origjinë edukimi, lloje shkollash, duke nisur që të edukoj kësisoj njerëz me virtyte, ku mirësia, dashuria, feja, nacioni të jenë bashkëudhëtarë të pandashëm gjatë gjithë jetës tek shqiptarët.

Gjatë tetorit të vitit 1912 deri në prill 1913 (vite të trazimeve të mëdha të Luftës së Parë Botërore), I përkushtohet shërbesave fetare në kishën “Zoja Rruzare” në Arrën e Madhe në Shkodër, ku ishte edhe Kuvendi Françeskan. Në këtë lagje u njoh dhe u ballafaqua me varfërinë e tejskajshme, të cilën e përjetonte vetë, mes banorëve pa dallim feje. Viti 1916, për banorët malësorë të Dukagjinit, ishte një vit I vështirë, vit I sëmundjes epidemike të kolerës, ku, njerëzit njeri pas tjetrit vdisnin dhe askush nuk u gjendej pranë nga frika e lëngatës. Por meshtari karizmatik, me shpirt të pastër fisniku, u gjend si shërbetor pranë tyre, për t’i ngushëlluar dhe ndihmuar.

Frati 25 vjeçar, me ndjenja të holla të humanizmit, ecte në këmbë, nëpër katunde të thella e të ashpra malore, në të gjitha shtëpitë e bjeshkëve të thepisura të Dukagjinit (Malësia e Mbishkodrës), për të shpëtuar nga vdekja e sigurtë malësorët, duke I ndihmuar drejtpërdrejtë nga ana profilaksike kundër kolerës, kësaj murtaje të fillmshekullit XX, që kishte përpirë miliona jetë njerëzish nëpër botë…

Viti 1918, fratin e Urdhërit të Shën Françeskut (vendosur në Arbëri në shek. XIII), e gjeti famullitar në katundin Grudë. Binomi “Fe e Atdhe”, qe aorta e zemrës së tij, e Gruda ishte terreni, ku edhe një herë shpalosi zgjuarësinë dhe dituritë e thella enciklopedike, të cilat spikaten sipas mendimit tim, në dy rrafshe: së pari, në fushën e gjërë politike, ku, për interesat e larta të nacionit pranonte të flijohej, për të mirën e përbashkët; së dyti, spikat me sukses në lëmin e letrave shqipe, duke pasur pendë e mendim të mprehtë, të cilat admiroheshin nga qarqet preferuese të sferës së letrave albanologjike.

Për të tillë publicist, me polemikë rezultative dhe mendime të reja, pohohet me të drejtën e qytetarisë, se epoka e njerëzve të mëdhenj vulos me gjurmët e veta të pashlyeshme, ku, këtu dallohen mirë njerëzit e ndritur, që denjësisht i përfaqësojnë, në paradën e së cilës, bën pjesë edhe emri i ndritur i At Anton Harapit.

Pa hyrë në hollësira e zgjatje të tepërta, në kontekstin e këtij shkrimi modest, dua të nënvizoj idenë e ndonjë mediokri, që e trajton apo vlerëson si sakrilegj bashkëpunimin e Kishës Katolike në Shqipëri me problemet nacionale, kur dihet historikisht, se në shekuj kemi të përcaktuar parimet kryesore të këtij uniteti nga etërit dhe dijetarët e shquar të Kishës.

Në kushtet kur populli ynë jetonte errësirën më të gjatë mesjetare dhe njëkohsisht të shoqëruar me plot kalvare përsekutimi, nën pushtimin më të egër të barbarëve otomanë, në veçanti klerikët katolikë (në trojet etnike shqiptare dhe shtetin amë), kanë qenë sistematikisht gjatë shekujve vetëdija e nacionit shqiptar, duke sjellë përherë zgjimin e ndërgjegjës së mirëfilltë nacionale. Në këtë kohë, shekull pas shekulli, kultura shqiptare u ngrit në nivele të reja, brenda kishës sonë, por që gjatë përbuzjes së gjatë, zëvendësoi me dinjitet Akademinë e Parë Shqiptare brenda universit shqiptar.

Sa për ilustrim, po sjellim një shembull, të cilin esencialisht po e trajtoi më poshtë. Në veprën më të përkthyer në shumë gjuhë të botës: “Angazhimi ynë shoqëror”, në mënyrë filozofike, autori i saj, prof. Giorgio La Piera (1904-1977), nënvizon: “Nga pikëpamja katolike, politika është veprimtaria udhëheqëse e jetës njerëzore, që ushtrohet nga shteti, gjinia ose nga klasat me plotësinë e problemeve shpirtërore dhe materiale të individit dhe komunitetit”.

Këto dije të kohës, I kishte si vizione të kjarta At Anton Harapi dhe po udhëtonte në rrugë të sigurtë. Ai, përherë mendonte e vepronte nën shembullin e idealeve, që i kishte si pika referimi, se “…njerin e ban shpirti dhe ndergjegja, e paraqet sjellja, e vlerson puna; apostullin e rrit ideali, qendresa e guximit; bamirsin e krijon zemer-gjansija e vetmohimi. Para plumbit, qi e rrzoi perdhe, shqiptoi pa za: “Lumin e ep deka kunoren e ven varri”, – shkruan në parathanien e vepres “Andra e Pretashit”, studiuesi i afërt i tij Gjin Duka (alias At Daniel Gjeçaj)…

Ai njohu me të gjitha përmasat e saj zonën e Grudës së Malësisë së Madhe, koloritin e gjallë të zakoneve, vajet, dasmat, epiken, psikologjinë origjinale të trevave kreshnike të marra në studim, pra tërësinë klasike të kulturës së pasur nacionale ende të palëvruar asokohe…

Në këtë mjedis të ri dhe të përshtatshëm për mendjen dhe punën e tij me pasion lindi dhe u rrit romani “Andra e Pretashit”, që vlerësohet nga vetë biografët më të afërt të autorit, si një ndër kryeveprat e dorëshkrimeve, që i la si pasuri të paçmuar Atdheut të vet. Ai ruajti me mjeshtëri kompozimin unik të një vepre letrare.

Midis malësorëve të zonës së Vajzës së Kastratit (Malësi e Madhe), spikat njohja e hollë e psikologjisë së njerëzve, kultura e pasur dhe e gjerë fetare, si bari I popullit, duke qenë përherë në shërbim të tij, për t’i pajisur ata me nivele të reja të civilizimit përparimtar. Zelli për kulturë qytetare ishte pjesë e edukatës, falë aftësive të lindura dhe të kultivuara në fushën pedagogjike, për rininë shqiptare brenda famullisë, ku, ai posaçërisht kontribuoi çdo ditë në formimin e të krishterëve katolikë të ndërgjeshëm, tek e ktheu atë në qendër të rëndësishme të akumulimit të diturive të reja perëndimore.

Në rrafshin politik, mbeti një zbulues i gjallë i fatit të popullit shqiptar. Në kujtesën e historisë, kanë mbetur të pashlyera shumë ngjarje, që gjithsesi kanë emrin e kontributit të meshtarit të shqiptarizmës.

Në kohën e turbullirave politike, midis të cilave ishte mbërthyer kontinenti i Europës, Fuqitë e Mëdha, hartonin harta të reja, ku, pa të drejtë, Shqipërisë së vogël gjeografikisht, i cungoheshin arbitrarisht, njëra pas tjetrës disa treva të trungut amë.

A mund të heshte frati i urtë, përballë kësaj masakre, që u bëhej ditën për diell tokave shqiptare!? Normalisht, që jo. I veshur me zhgun, me nismën e vet, organizon menjëherë tre bajrakë, si: Gruda, Hoti e Triepshi dhe përmes tyre, i dorëzon Memorandumin e përgatitur nga ai vetë në vitin 1918, komandantit francez në Shkodër (asokohe në Shkodër, kishin zyren e tyre konsullore 7 përfaqësi të huaja). Në bashkëpunim me liberatorin e madh Luigj Gurakuqin dhe “Poetin Nacional” At Gjergj Fishta OFM, harton një Peticion, të nënshkruar nga 200 përfaqësues të tre bajrakëve, drejtuar përkatësisht Konferencës së Paqes në Paris, Ministrave të Jashtëm të ShBa-së, Anglisë, Francës dhe Italisë.

Në përkrahje të negociatave diplomatike, përfaqësuesit e Grudës, Hotit e Triepshit në Shkodër, organizuan demostratën te Ura e Maxharrit, duke brohoritur:

“Hot e Grud kekan betue

Pa gjak malet mos me i l’shue…”

Frati ynë, kishte miq e dashamirë, duke bashkëpunuar ngushtë me At Marin Sirdanin, At Shtjefen Kryeziu Gjeçovin, Çerçiz Topullin, Isa Boletinin, Fan Stilian Nolin, At Gjergj Fishtën, Imzot Vinçenc Prennushin, At Donat Kurtin, Dr. At Gjon Shllakun, Dom Ndre Zadejen, Hilë Mosin, Mehmet Shpendin, etj., në Jug e Veri të Shqipërisë.

Cicëroni i oratorisë nacionale në ligjeratat fetare e nacionale

“Kjo ishte edukata harapiane. Ai ishte i kryqzuem n’Kryq per Fe e Atdhe”

At Daniel Gjeçaj (1913-2002)

Në ligjeratat e tij të famshme, të mbajtura në “Parisin e vogël”, sikurse njihej nga intelektualët asokohe qyteti kulturdashës Korça, ndër të tjera At Anton Harapi u shpreh: “Jam fetar, por kam tager dhe detyr shoqnor”. E rëndësishme për At Antonin, ishte fati i nacionit dhe i martirëve, të cilët për vemendjen që i kushtonte rëndësisë së tyre, ishin pjesë e jetës së tij.

Populli i Shkodrës, kurrë s’do ta harrojë përshëndetjen e fundit të titulluar: “Dy lotet e nji betimi”, si shembull i oratorisë klasike shqipe, në përcjelljen e eshtrave të martirëve nacionalë Mustafë Qullit dhe Çerçiz Topullit, shtrënguan duart në shenjë betimi nacional: “Për nji Shqipni të bashkueme e të lidhun me idealin e herojve”.

Ajo që i jep konture të plota portretit të tij, është se ishte dhe mbeti si teolog, konferencier me mendim të freskët e cilësi të spikatur, ku në mënyrë të dukshme shquhet në drejtime parësore fetare e nacionale. Gojëtaria e tij, ishte përherë e kjartë në mendimet e shprehura, arsyetimin e lidhur mbi bazën e një logjike të kristalizuar e të ngjeshur mirë, ku çfarëdo që të lexosh nga erudicioni solid, të bie në sy tema e kuptueshme dhe e përshtatshme e veprave që shkroi dhe kumtesave historike që ligjëroi para njerëzve me nivel përgatitjeje e dije të ndryshme kulturore.

Frati stoik, vazhdimisht ishte i pritur për një bashkëjetesë paqësore, vëllazërore në katër besimet fetare (bektashi, myslimanë, ortodoksë dhe katolikë), ashtu sikurse ka vlerësuar me të drejtë biografi i pasionuar At Daniel Gjeçaj, ku, nënvizon: “Kjo ishte edukata harapiane. Ai ishte i kryeqzuem n’Kryq për Fe e Atdhe”.

Viti 1920, mbetët për meshtarin e Shën Françeskut, kohë e ingranimit me lëvizjen atdhetare shqiptare, në kushte e rrethana të reja, falë enërgjive të pashtërshme të prelatit, mori një shtytje dhe organizim të ri. Më 1921-1924, bëhet drejtues i grupit të njohur atdhetar “Ora e Maleve”, së bashku me poetin e njohur At Gjergj Fishtën (1870-1940), demokratin liberator Luigj Gurakuqin, Dom Lazër Shantojën, duke qenë njëkohsisht themelues, drejtues e botues i aftë i fletores “Ora e Maleve”, që rregullisht filloi të nxirrte grupi në fjalë.

Për më tepër, liberatorit të madh Luigj Gurakuqit, i përkushton veprën e vet të titulluar: “Andra e Pretashit”, ku shkruhet: “Luigj Gurakuqit- burrit vërtetë burrë”.

Më 1924, u zhvilluan zgjedhjet e para në Shqipëri, ku, gjendet mes “opozitës” së kohës përkrah Gurakuqit, Fishtës, Bajram Currit, At Benardin Palaj, Nolit etj. , që ishin pararoja e kësaj lëvizjeje, duke sjellë një mendim të epërm e veprim më të përshpejtuar racional për nacionin shqiptar.

At Anton Harapi, ka meritë për organizmin politik të kristiandemokratëve shqiptarë (1920) dhe që lidhen pastaj me përpjekjet më fisnike të një partie të re Demokristiane shqiptare, më 1930, e cila shquhej me programin e saj bashkëkohorë për palcën me tipare të thella atdhetare e humanizmi, duke përuar dhe reflektuar parime të shëndosha të burime kristiane, duke mos qendruar pas nacioneve civilizuese me tradita të lashta politike, si italianët e gjermanët, në përputhje me nevojat e kohës. Me logjikë më të zhvilluar, demokristianët e parë shqiptarë në ide e shpirt, më 1946, ishin të njëkohshëm me De Gasperi-n në Itali dhe Audenhaurin në Gjermani, ku, shqiptarët kristiandemokratë, paraqiten si alternativa më shpresëdhënëse në periudha të ndezura antifashiste e antikomuniste të nacionit tonë të rrënuar nga Lufta e Dytë Botërore…

Pas rrëzimit të Qeverisë së Nolit, për shkaqe, që tashmë dihen mirë, sikurse shumë të tjerë, frati demokrat arrestohet 3 herë dhe burgoset së bashku me At Benardin Palaj e më vëllezër të tjerë në Krishtin të Urdhërit të Shën Françeskut, mbasi kishin përkrahur alternativën e demokracisë liberale të popullit, “Për një Shqipni t’Lir e t’Perparueme”.

Mbasi lirohet nga burgu, me vendosmëri dhe klajtësi ideore, vijon pa ndërprerje misionin e shenjtë, duke predikuar doktriminën e krishtërë. Si i Derguari i Françeskanëve të Veriut, i kërkon Qeverisë së Tiranës haptazi: “Flamurin Kuq e Zi, Gjuhën Nacionale, Lirin e Pavarsin e plot t’popullit”. Edhe pse kishte detyren e rëndësishme të Provincialit, nuk e shkëpuste për asnjë ast veprimtarinë adhuruese atdhetare.

Më 1933, ishte drejtues i Kolegjit Françeskan (Rektor), drejtor i Liceut “Illyricum” dhe pedagog në Shkollën Normale Femrore të Motrave Stigmatine në qytetin e Shkodrës (Gjuhadol).

Në harkun kohor të viteve 1930-1936, është drejtori i së përkohshmes prestigjioze revistes së mirënjohur në Ballkan “Hylli i Dritës” (Botuar për herë të parë më 1913), bashkëdrejtues i gazetës “Posta e Shqypnisë”, revistës fetaro – kulturore “Zani i Shna Ndout” etj.

Me pendën e fuqishme në fushën e letrave shqipe

Frati, krahas përkushtimit fetar dhe vlerave të çmueshme sociale të komunitetit, dallon me po atë madhështi, në filozofi, teologji, pedagogji, sociologji, publicistikë dhe letërsi artistike.

Homelitë e këndshme, që mbajnë peshën e fjalëve frymëzuese të At Antonit, si vlerë autentike zbukurojnë letërsinë e pasur fetare të traditës gegë, ku, në tërësi kulmoi erudicioni esencial plot elokuencë elegante e me një diksion të kjartë.

Në mënyrë të rregullt, ndiqte rrymat e letërsisë botërore, lexonte në origjinal autorët e famshëm të pedagogjisë moderne të kohës, si: Pestaloc, Hergert, Frobel, Herbart, Forster etj. Midis librave dhe përherë pranë librave, mendonte se mendja e tij dhe e çdo njeriu, në përgjithësi, duke lexuar bën një gjimnastikë të mirë, sepse zgjeron dritaret e diturisë njerëzore, të cilat përherë duhet të jenë të interesuara, për të lejuar depërtimin e njohurive të reja bashkëkohore.

Shpesh At Antoni porosiste: “Gjimnastika e mendjes, me ushtrimin e vullndeses, duhet të shkojë krahas me penden, si krahet e shqipes, qi ket e naltojn n’ajer dhe e mbajn n’drejtpeshim”. Si pasojë e një akumulimi të dijeve dhe të përvojës si pedagog, në vitin 1925 boton veprën e parë pedagogjike, e cila njiherazi mund të cilësohet, një përshtatje të leksioneve të pedagogut A. Hergert, një punim i mirëfilltë shkencorë, të cilin e kishte pagëzuar me emrin: “Edukata ose mirërritja e fëmijëve”.

Synimi fisnik dhe final i tij, ishte që brënda lëvizjeve të reja reformatore të krijohen hapësira për modernizimin e metodave mësimdhënëse, didaktika e shkollës së re shqiptare, dhe në veçanti këtë rrymë të kohës kërkonte ta shpërndante me pasion në veçanti midis moshës së re, duke i pajisur në këtë mënyrë, me një kujdes e maturi, me parimet progresiste të shkollës së traditës së hershme demokratike e kulturore të Evropës Perëndimore. Për çudi, sot ende studiohen në universitetet e vendlindjes autorët e pedagogjisë sovjetike (pedagogë pedantë komunistë rusë) dhe jo pedagogët e traditës shqiptare në trojet etnike shqiptare.

Siç pohojnë biografët, meshtari shkrimtar e studiues i vëmendshëm, nuk harronte të ishte i kujdeshëm, kur analizonte, se më e rëndësishme në shpirtin e shqiptarit është bindja, si akti më cilësor dhe frytdhënës, se sa dajaku e frika.

Pikërisht për këtë edukatori At Anton Harapi, duke qenë më pranë rinisë e kuptonte krejt mirë, se forca fizike e thyen shqiptarin, por nuk e lakon, porsi butësia, si një mirësi e përhershme. Duke qenë drejtues për shumë vjet me radhë i disa revistave, me dorën e vet nënshkruan mbi 50 artikuj, editoriale, që të ndara në disa tematika I përkasin disa lëmive shkencore.

Ajo që e lartëson më shumë martirin At Anton Harapin, sipas mendimit tim, është elokuenca në gojëtari dhe filozofi, aftësi të cilën, në mënyrë të merituar e shfaqi në qytetin e Korçës, ku, spikati dukshëm para intelektualëve. Me anë të 6 ligjeratave të mprehta të kohës, analizoi të gjitha dukuritë e kohës, që e shqetësojnë shqiptarin. Sot për fat të mirë, dhe falë vullnesës së Zotit, ata gjenden të ruajtura në veprën “Vlerë Shpirtnore”.

Duhet vënë në dukje, se shtysë për autorin e kësaj nisme të guximshme, ishte çasti i një krize shpirtërore në Shqipëri, dukuri kjo me rrjedhime negative dhe shkatërrimtare. Aty autori referues, analizoi me hollësi shkaqet e kësaj krize, duke bërë gradualisht njohjen me etilogjinë dhe terapinë e kësaj sindrome kanceroze, ku, si epidemi e rrezikshme kishte nderhyrë ideologjia shterpe dhe vdekje prurëse e marksizmit (Marx-it) edhe në vendin tonë, shenjat e së cilës i importoi në Shqipëri Ali Kelmendi me kompani në vitin 1936…

Tashmë ndërgjegja shqiptare ishte paralajmëruar nga frati At Anton Harapi, që ndiqte me kujdes vërshimet marramendëse të reve të zeza komuniste, që mbillnin obskurantizëm, gjak, dhunë dhe ateizëm të shfrenuar. Me deklaratën e tij françeskani shkodran, zbuloi se: “Por u pa n’Rusi, se si parimi i komunizmit, në vend që të zhdukte të zezat, u ba burim mjerimi”.

Duke nuhatur dhe studiuar me kujdes rrezikun e shtrirjes së kësaj epidemie asfikësuese në Shqipëri, shpejt e kuptoi se Ballkani, i lodhur nga luftrat do të pushtohet, mbasi po vëzhgonte lajmet, që vinin me shpejtësi nga Evropa Perëndimore, si alarme të kobshme, se çfarë po ndodhte në stepat e Siberisë Lindore në Rusi, ku, miliona rusë të pafajshëm, atdhetarë, filozofë e kundërshtarë të regjimit të sovjetëve po rezistonin si antikomunistë, klerikë të besimeve të ndryshëm, po përsekutoheshin pa mëshirë nga gijotina e armëve të vdekjes, që ishte ateizmi dhe diktatura e proletariatit me hekur dhe litar…

At Antoni, kërkonte të ndërtonte godinën e re të mendimit më përparimtar nacional shqiptar. “Një frat i thjeshtë, renditet përkrah mendimtarëve të mëdhenj nacionesh të tjera”, vlerësin studiuesi e kritiku bashkëkohor Dr. Aurel Plasari.

Frati ynë kishte shumë pasion letërsinë e traditës dhe atë bashkëkohore të shkruar nga Fishta, Naimi, Poradeci etj. Ai shkruante në prozë të ëmbël në gjuhën e bukur dhe tingëlluese gegë, me një stil të këndshëm, të latuar e fin, ku shquhet larmia e argumenteve që parashtronte. Kushdo sot kundron me kënaqësi thjeshtësinë e të shkruarit. Vepra e dytë “Andra e Pretashit”, si roman u botua pjesë – pjesë prej vitit 1933 – 1942, në revistën e njohur kulturore “Hylli i Dritës”, ne nëntituj: “Urti e Burrni nder banorët e Cemit” dhe “Valë mbi valë”. Ajo u dërgua për botim në mërgim, së bashku me veprat e tjera të letërsisë së kohës, pranë Insitutit të Studimeve Shqiptare, në Shtëpinë Botuese “Valecchi” të Firencës (Itali), por shkaku i Luftës së Dytë Botërore, bëri që kjo nismë qëllimmirë të mbetet e paplotësuar. Disa vjet më vonë, në vitin 1959, veprat në fjalë u botuan në Romë, në saj të kujdesit të drejtpërdrejtë të albanologut të shquar Prof. At Zef Valentinit dhe nga prozatori i famshëm shkrimtari i shquar i traditës ish-Ministri i Kulturës Prof. Ernest Koliqi dhe françeskani i përkushtuar kulturës shqiptare At Daniel Gjeçaj ofm.

-At Anton Harapi – martir i shqiptarizmës të kulluar

-Epilogu]

Shqipëria dhe 72.000 izraelitët që u mbrojtën nga merita e At Anton Harapit

Shpesh servilët të ashtëquajtur as profesorë dhe as doktorë të regjimit të polpotit të Shqipërisë, i kanë ofruar dhe vërbuar sytë brezave të tërë shqiptarësh, me një foto, ku, shquhet një takim i At Antonit me gjeneralin gjerman Fitsum, si ndër “trathtitë” më të mëdha që paska bërë Kleri Katolik dhe prelati i lartë françeskan dhe prandaj të gjithë duhet të përshkohen në litar dhe të kalben nëpër burgje.

Gjatë seancave të gjyqit, pas shumë dekadave, duke biseduar me njerëz, që e kanë njohur nga afër Pader Anton Harapin ofm dëshmojnë sot, se një pjesë e “prof. dr.”, përveç se përvetësuan shumë dorëshkrime origjinale të klerikëve katolikë françeskanë në kohën e kataklizmave të tyre (morën gradat e pamerituara shkencërisht nga “veladonët e zi” siç i quanin ata), filluan në ish-kinema “Rozafat” të lëshonin britma për gjak dhe litar, me thirrje histerike: “Të gjithë në litar!”, “Plumbin ballit!”, “Hakmarrje-Hakmarrje!”.

Sot këta të “rinj” militantë komunistë, që kanë kryesuar edhe të ashtëquajturin “revolucioni kulturor kinez” në Shqipëri, shtypin komunist, si: “Ze(h)ri i popullit”, “Bashkimi”, “Puna”, “Drita”, “Hosteni” etj., dhe si kryetar komisionesh për sekuestrimin dhe “luftën kunder fesë dhe zakoneve prapanike”, janë në pension dhe gëzojnë të gjitha të drejtat dhe privilegjet, si shërbestorë besnik të regjimit, që i lindi dhe i rriti për vete…

Asnjëherë, sikurse vë në dukje publicisti z. Mërgim Korça, pseudoshkenca komuniste dje dhe sot, nuk flet dhe shkruan se çfarë i ka thënë gjeneralit gjerman At Anton Harapi, ku ai i kujtoi ushtarakut të lartë pushtues se: “Marrëveshja me Reichun, ishte që trupat gjermane do të kishin territorin shqiptar vetëm si urë kalimi për në Greqi, pa i cënuar dhe pa ndërhyrë në çështjet e brendshme shqiptare!”.

Është e drejtë të mendohet, se vetëm Shqipëria (72.000 çifytë) dhe Danimarka, janë dy shtet në botë, që nuk kanë dorëzuar asnjë çifut (izraelit) në duart e shumë kërkuesve gjermanë. Pse heshtet për ketë aspekt të rëndësishëm dhe si një meritë e Këshillit të Lartë të Regjencës Shqiptare, ku, një meritë ka edhe antari i saj At Anton Harapi!? Po jetë shqiptarësh nuk janë shpëtuar në këtë rast!? Sigurisht që shumë dhe historia herët ose vonë do ta ndriçojë këtë aspekt të rëndësishëm edhe të fratit nacionalist.

Komunistët gjithnjë dhe përherë, sipas profesionit të tyre leninist “shpif shpif se diçka do të mbijë”, përhapën një propagandë të shfrenuar vetëm në klishenë zi, për të justifikuar dashurinë, që ata kanë për simotrën e saj Jugosllavinë komuniste asokohe, e cila porosiste polpotin e kuq të Tiranës, se “nëse doni që të qeverisni gjithnjë, pa asnjë ferrë në këmbë, duhet të zhdukni me rrënjë çerdhen e saj, klerin katolik dhe besimtarët e saj besnik në Shkodër e gjetkë”.

At Anton Harapi, shprehet hapur, pse e pranoi detyrën e regjentit: “E pranova detyrën se nuk mujshem m’e pamun Shqypninë të pushtueme prej anarkijet…nuk dojshem të krijohej nji Babiloni shqyptare me luftë vllavrase qi zhgatrronte katundet, të humbej bagtija e të zhgatrroheshin familjet…ndjeva mëshirë, si për popull e gjithashtu edhe për Shqypni…Si mund të preferojshem m’e pshtue jetën t’eme për çashtjen e perbashket? Le të ndodhë ajo qi ka me ndodh, thashë, me vedi, rrnoftë populli edhe pa mue, rrnoftë Shqypnia!…E fillueme me nji poezi e po e perfundojmë me nji tragjedi me iu dhimbtë kujdo…e vetmja gja m’u bamun asht m’e pshtuemun Shqypninë edhe popullin. Mjafton t’i paralizojmë fajtorët të mos bajnë ma dame…Nuk duhet të ekzistojnë filogjerman, anglofila apo italofila. Duhet t’jena veç shqyptarë…”.

Pra, mbi të gjitha frati i paharruar, kërkonte të shpëtonte Shqipërinë dhe në tokën tonë të mos kishte të huaj, sikurse që shihet edhe në tekst që historiografia komuniste dhe paskomuniste ka nxjerrë në tregun e rrëmujës politike, ekonomike e gjithçkaje tjetër, që çdo ditë po ndodh për fat të keq në shtetin tonë amë…

At Anton Harapi – martir i shqiptarizmës të kulluar

“Shqipnia u fitue me gjak; me gjak dhe po mbahet e robnueme. Do të vij dita e me Paqe e Drejtsi do t’fitohet”

At Anton Harapi

Martirizimin e klerikut të nderuar, veçse Shekspiri i madh do të gjente forcë për ta përshkruar në mënyrë më dramatike, si një tabllo e vërtetë e një historie të trishtuar, të shkaktuar nga komunistët, të cilët, nuk deshtën fjalën e lirë të klerikëve katolikë. Në një çast të caktuar të historisë, për ridimendionimin e lirisë dhe të drejtave të njeriut në tërësi, buri i shquar amerikan George Washington, u shpreh haptas para bashkëkombasve të vet: “Një komb, duhet të jetë i virtytshëm, po të dojë të jetë i lirë”.

Por koj fjalë “liri”, aq e shtypur dhe e nëpërkëmbur në Shqipëri, gjatë monizmit kishte njohur veçse barbari. Kësisoj, frati atdhetar e largpamës, analizonte ngjarjet e historisë sonë: “Vllavrasja, asht rrënimi ynë fizik, moral, ekonomik dhe politik…Të dhunoj shqiptari- shqiptarin nuk asht zakon…”.

E ashtëquajtuna lufta “NÇ” e internacionalistëve partizanë, në vend që të bënte çlirimin e vendit, u kthye në një luftë të kobshme vllavrasëse, ku skenaristët e tragjedisë ishin projektuesi e drejtuesi i drejtpërdrejtë Enver Hoxha me klikën e tij sadiste.

Mirëpo martiri ynë, shtronte kushtrimin, që çdo shqiptar i çdo krahine, besimi ose shkalle civilizimi, t’i thërrasin arsyes, të mos humbasim si komb e shtet, por të ndiejmë me zemër, se jemi vëllezër të një gjaku e gjuhe, miq, dashamirës, shokë. Ne duhet të na bashkojë një shpirt i vetëm, shpirti shqiptar: një vend, një zakon, një interes dhe një flamur.

Gjuetinë më të madhe kryefashisti i kuq Enver Hoxha e filloi me meshtarët katolikë e intelektualë. Albanologu i mirënjohur italian Prof. At Zef Valentini shkruan: “Duke kenë të kulturuem me arsim, shumë të ngritun, katolikët shqiptarë gjithmonë u patën ngjallë zili disave… Vranësi antikatolik Hoxha e pranonte këtë, duke i ba nder katolicizmit, por katolicizmi dhe në veçanti kleri katolik, ishin pengesa ma e madhe për triumfin e komunizmit”.

Epilogu

Historia e vrasjes së At Anton Harapit është sa e dhimbshme, aq edhe e lavdishme. Fratin e Shën Françeskut deri në flijim, e këshillojnë që të ikë nga Shqipëria, sikurse bënë shumë njerëz kundërshtarë të rregjimit të diktatorit stalinist Enver Hoxha, që dhunshëm dhe me mashtrime erdhi në pushtet. Fakti është se Frati këtë këshillë e hodhi poshtë prerazi, duke thënë me krenari: “Kam punue për Shqipni ballfaqas. Nuk pres shpërblim, por as denimi nuk ka pse m’pret. Bashkatdhetart e dinë fort mir se kurr nuk i trathtova. Me ta vuajta, me ta punova, me ta qindrova, me ta gzova. Me ta edhe do des. Eshtent e mi, n’token e t’parve t’jen testamendi em”.

Në muajt e fundit të jetës së tij, ai u strehua në fshatin Kir (Dukagjin-Malësia e Madhe e Mbishkodrës, shënimi im K.K.), më parë, duke u shoqëruar nga martiri i kombit Lef Nosi dhe pastaj në katundin Plan, nëpër malet e ashpra të Veriut, në mes të të cilave kishte punuar gjatë viteve kur ishte meshtar në famulli. Kështu i ndjekur nga kriminelet e kuq të veshur me ngjyrën e barit dhe një yll në ballë, frati ynë At Antoni, u strehua nëpër shpellat e maleve, për një kohë të gjatë, duke qendruar me uratë në duar dhe me një bllok shënime ditar… Befasisht u zbulua…në një shtëpi nga pretenza e dhëmbëve… (Për këtë histori do të shkruaj në ta ardhmen, shënimi im K.K).

Ai i gjykua dhe u dënua nga Gjyqi Ushtarak në Tiranë, ku kryesonte procesin gjyqësor kryetari i saj Koli Xoxe dhe si Prokuror Gjeneral ishte Bedri Spahiu (të cilët, e pësojnë nga bisha komuniste, që hante këlyshët e vet)… Kjo u realizua në mënyrë të përpiktë, me porosi të drejtpërdrejtë të kryexhelatit antishqiptar Hoxha, që çdo ditë jetonte mes ekstanzave dhe sadizmit perves dhe kishte vënë shuma të mëdha për ta kapur të gjallë ose të vrarë pa dalur jashtë Shqipnisë…

Pretenca e gjyqit ishte kulmi i një poshtërsie dhe fabrikimi të pashoq, të një sistemi që i lindi. Por çudia nuk soset me kaq. Dosja e fratit të urtë, është e mbushur fill e mbarim me akuza shpifëse, trillimi i së cilës ishte përgatitur me kohë nga kuzhina ndërkombëtare jugosllave e shqiptare, që asnjëherë nuk deshtën nacionin dhe fytyrat e ndritshme të nacionalizmit shqiptar.

Ishte mëngjez i vranët. Binte shi. Në orët e para të datës 14 shkurt 1946, u nxor nga qelia e burgut të vogël, frati fisnik, që me duart e bashkuara në parzëm, me krye të varur dhe sytë gjysmë të mbyllura nga torturat e rënda , ndaj të cilit me intensitet të lartë ishin ushtruar pa ndërprerje nga gardianët xhelatë, qëndronte me stoicizëm, si sfidë, duke thënë Lutjet e fundit, kur e çuan në periferi të Tiranës për ta ekzekutuar…

Frati i përvujtë, por krenar hidhte hapat me kujdes, duke ngritur herë-herë kindet, për të mos u stërpikur nga balta që e rrethonte. Një prej ekzekutorëve barbarë i tha: “Mos ki dert, o prift reaksionar, se te balta ke me perfundue. Në çast reagoi nga drita shpirti i tij shëmbullor: “Atje tek shkoj biri im, dua të shkoj i panjollë, siç jam kenë tanë jetën”.

I bekoi vrasësit e tij, i fali për aktin që do të kryenin nën shembullin e Jezu Krishtit. Këtë dëshmi feje të dëshmitarëve martirë, ku asnjë nuk e mohoi fenë, e pasuruan librin e “Martirologjisë Romane”, duke i shtuar një faqe të shkëlqyer fesë së Kishës së Shenjtë Katolike në Shqipni.

Ky Dishepull i përvujtun i Shën Françeskut, që i ka të tretuna eshtnat e tij, nëpër zallishtet e Tirones, i fliste shqiptarëve me këtë vepër të martirizimit për “Fe e Atdhe”: “Po të mos i zeni besë fjalve t’mia, ja tek keni vepren teme për peng sigurie”.

Marrë nga libri në dorëshkrim i autorit.