FORMULA E PAGEZIMIT – dokumenti i parë shqip i 8 nëntorit 1462 shkruar nga imzot Pal Engjëlli

“Unë po të pagëzoj në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt”, ky është akti i parë i kumtimit shqip. E nisëm me lutje, fjalën tonë të shenjtëruar shqipe.

Sot mbushen 559 vjet qyshkur erdhi në gjuhën shqipe, “Formulës së Pagëzimit”, e cila daton më 8 nëntorit të vitit 1462. Ajo është shkruar nga kryeipeshkvi i Durrësit imzot Pal Engjëlli

Dokumenti i kryeipeshkvit shqiptar, imzot Pal Engjëllit, mik, këshilltar e bashkëpunëtor i afërt i Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, ruhet në bibliotekën Laurentiane të Firencës dhe për herë të parë është gjetur nga historiani rumun Nicolae Jorga më 1915, shkruan RV.

Dokumenti është fryt i vizitës baritore që kryeipeshkvi shqiptar imzot Pal Engjëlli bëri si bari e udhëheqës shpirtëror i grigjës së Zotit, nëpër Kishat famullitare dhe viset e kryedioqezës së Durrësit.

Në mbarim të kësaj vizite imzot Pal Engjëlli paraqet pasqyrën e gjendjes së organizimit të Kishës, situatën e vështirë të banorëve e besimtarëve, problemet e mëdha ekonomike e rreziqet që i kanoseshin aso kohe popullsisë dhe duke u lënë porosi, në rend të parë priftërinjve por edhe besimtarëve (banorëve) të pagëzonin foshnjat në rast të rrezikut të vdekjes me fjalët e Formulës së ritualit kishtar të Sakramentit te Pagëzimit…

“Unë po të pagëzoj në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt”.

Së fundi në këtë dokument imzot Pal Engjëlli u kërkon Eprorëve të Kishës së Romës, Selisë së Shenjtë, të ndihmojnë popullsinë e varfër e të vuajtur të këtyre viseve. Dokumenti më i vjetër që e kemi shqip, pra, i përket kohës së Skënderbeut. Formula e Pagëzimit është një frazë shqip në mesin e një shkrimi latinisht prej 37 faqesh, shkruar nga argjipeshkvi i njohur i Durrësit, imzot Pal Engjelli (1417-1469).