Shënjim dhe shprehshmëri kumtuese për poetin, shkrimtarin dhe veprimtarin atdhetar, Jusuf Gërvalla

Nga Albert Vataj

Në letërsi, ai nuk i takonte qarkut të “lapidaristëve” të poezisë fjalëpakë që e shoshiste të tashmen me shkrimin simbolplotë alegorik në petkun e arkaikes mbikohore e në frymën e visarit të traditave të lashta gojore, kumton Sabri Hamiti.
Zëri i tij poetik ishte zë më vete, mjaft origjinal, personal dhe individual. Poezia e tij na flet drejtpërsëdrejti, ngrohtë, zbutë, thellësisht njerëzor e me një sensibilitet të stërholluar. Në dy përmbledhjet e tij të para – “Fluturojnë e bien” (1975) dhe “Kanjushë e verdhë” (1978) – poezia e tij merrej kryesisht me vatrën e poetit tek janë mjaft kuptimplotë titujt e cikleve “Shtëpia në kornizë” dhe “Skena nga jeta e fshatit”. Poezia e tij e përmallshme e këndon dashurinë, e kujton dhimbshëm (dhe pa idilë ruraliste) vendlindjen dhe na e rrëfen porosinë e saj qendrore, kërkimin e poetit për “pak frymë njeriu e pak dritë qiriri”. Me kohë, duke u bërë gjithnjë e më shumë refleksiv poeti kaloi gjithnjë e më shumë te një qark më i gjerë tematik dhe te të folurit poetik me bukuri e begati të rrallë metaforike e figurative. Kështu, poezia e tij e përmallshme e vendlindjes gjithnjë e më shumë bëhet edhe universale. Në vëllimin e tretë poetik, “Shenjat e shenjta” (1979), kemi të bëjmë dhe me fjalë e elemente si “hije”, “pluhur”, “frikë”, “terr”, “ftohtë”, “varr”. Shkallëzohen vetmia dhe shqetësimet e poetit që flet shpesh edhe për fundin dhe vdekjen. Me një thellësi që nuk hetohet në lexim të cekët, na qet tabllo tejet të qëlluara të groteskës që e quajmë “jeta”. Thelbi kryekëput human i vargjeve, ligjërimi lirik dhe substancial i poetit të mallit, të dashurisë, të dhembjes, të vetmisë e të vdekjes e bëjnë Jusuf Gërvallën një zë të patjetërsueshëm të poezisë së re shqipe, nënvizon ai.
Jusuf Gërvalla (Dubovik, 1 tetor 1943 – Shtutgart, 18 janar 1982) ka qenë veprimtar, shkrimtar dhe muzikant shqiptar. Ka qenë themelues i grupit marksist-leninist Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Lindi në Burrëmadhi, në komunën e Deçanit. Shkollimi i lartë tij vijoi në Prishtinë e Ljubjanë, më pas punoi si gazetar në Shkup e Prishtinë. Një nacionalist i zëshëm, hyri në radarin e Policisë sekrete jugosllave, duke u shtytur të kërkonte azil në Gjermani ku themeloi Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës që më pas u nda në dy fraksione Lëvizja Popullore e Kosovës dhe Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, të mbramin e kryesonte Gërvalla.
Më 18 janar 1982 Jusufi bashkë me të vëllanë, Bardhoshin, dhe Kadri Zekën u vranë nga shërbimi sekret Jugosllave në lokalitetin Untergruppenbach pranë Shtutgartit në Gjermaninë Perëndimore asokohe.
Jusuf Gervalla – studioi në Kosovë e Slloveni, punoi si gazetar në Prishtinë e Shkup, krijoi një levizje klandestine per çlirimin e Kosovës, por u detyrua te ikte nga vendi. Në vitin 1982, Gërvalla u vra nga persona të panjohur pranë shtepisë së tij në periferi të Shtutgardit, Gjermani. Nga të shtënat, krahas tij, mbetën të vrarë i vëllai Bardhosh Gërvalla dhe shoku i tij Kadri Zeka. Vrajsa e trefishtë, për të cilën dyshimet ranë mbi sigurimin jugosllav, shkaktoi zemërim mes shqiptarëve në Kosovë dhe jashtë. Studiuesi Robert Elsie thote se disa vëzhgues e cilësojnë këtë vrasje si pike-nisjen e konfliktit të armatosur midis shqiptarëve dhe autoriteteve serbe në Kosove. Jusuf Gervalla ishte edhe shkrimtar e poet. Ja nje strofë nga:
SHTËPIA QË NDËRTOJ
“në një skutë do të ketë më shumë dritë
në tjetrën vend për shtratin dhe minjtë
një derë do ta ketë për në rrugën kryesore
një tjetër për kopshtin me lule të bardha
një verandë do ta ketë me një fuçi druri portokalli
do ta llogarisë këndin e diellit mbi dritare.”