Papa Aleksandri VI, Rodrigo Borxha figura më e errët e historisë së kishës, një papë që Roma nuk e harron

E vetmja gjë që mund ta justifikojë veprën e tij të denjë për herezi, ishte konteksti kohor i zhvillimit të ngjarjeve dhe obligimi për ti ruajtur të paprekura sundimet. Por, gjithsesi ai, Papa Aleksandri VI mbetet shembulli më tipik i një shkelësit më arbitrar të kanoneve të kishës dhe Selisë së Shenjtë. “Nga këndvështrimi katolik, nuk gjenden fjalë aq të ashpra sa ta ndëshkojnë siç duhet Aleksandrin VI.” (Geschichte der Päpste seit dem Ausgang des Mittelalters [Historia e papëve që nga fundi i mesjetës]) “Për jetën e tij private s’mund të thuhet absolutisht asgjë në mbrojtje… Na duhet të pranojmë se ky papë nuk e nderon Kishën. Bashkëkohësit e familjes Borxha, ndonëse ishin mësuar me shfaqje të tilla të ndyra, i vërenin të shtangur jashtë mase krimet e kësaj familjeje. Pasojat e këtyre krimeve edhe tani, më shumë se katër shekuj më pas, ende nuk janë shuajtur plotësisht.”-L’Église et la Renaissance (1449-1517) (Kisha dhe Rilindja).
Përse vepra të respektuara historike për Kishën Katolike të Romës bëjnë komente kaq të ashpra për një papë dhe për familjen e tij? Çfarë bënë këta për të merituar një kritikë të tillë? Një ekspozitë e hapur në Romë (tetor 2002-shkurt 2003), me titull I Borgia-l’arte del potere (Familja Borxha: Arti i pushtetit), ishte një rast për të medituar rreth privilegjeve që pretendonin papët, e në veçanti për mënyrën se si i përdori këto privilegje Rodrigo Borxha ose Aleksandri VI (papë nga 1492-1503).
Marrja e pushtetit
Rodrigo Borxha u lind në vitin 1431 në një familje të shquar në Hativa, në mbretërinë e Aragonës, tani në Spanjë. Daja i tij, Alfonso de Borxha, peshkop i Valencias, e udhëhoqi nipin për sa i përket arsimimit. Ai u kujdes që Rodrigos t’i jepeshin juridiksione kishtare (poste kishtare që sillnin të ardhura) që kur ky ishte adoleshent. Në moshën 18-vjeçare, nën mbrojtjen e Alfonsos që tashmë ishte bërë kardinal, Rodrigoja u transferua në Itali, ku studioi për drejtësi. Kur Alfonsoja u bë Papa Kalikstus III, i bëri kardinalë Rodrigon dhe një nip tjetër. Pere Luis Borxha u bë guvernator i disa qyteteve. Jo shumë kohë më pas Rodrigoja u emërua zëvendëskancelar i kishës, pozitë që e mbajti gjatë sundimit të disa papëve. Kjo pozitë i dha mundësi të merrte për vete poste kishtare me të ardhura të majme, të grumbullonte një pasuri shumë të madhe, të ushtronte pushtet të jashtëzakonshëm dhe të bënte jetë luksoze si një princ.
Rodrigoja ishte inteligjent, orator i madh, përkrahës i arteve dhe i aftë të arrinte synimet e tij. Megjithatë, kishte disa lidhje të paligjshme, dhe pati katër fëmijë me të dashurën e tij të përhershme, si edhe fëmijë të tjerë me gra të tjera. Ndonëse Papa Piu II e qortoi për prirjen e tij lidhur me zbavitjen “më të shthurur” dhe “kënaqësinë e shfrenuar”, Rodrigoja nuk ndryshoi.
Me vdekjen e Papa Inocentit VIII në vitin 1492, kardinalët e kishës u mblodhën për të zgjedhur pasardhësin. S’vihet në dyshim që Rodrigo Borxha, me ofertat e tij të mrekullueshme dhe me cinizmin e tij të hapur, të ketë blerë vota të mjaftueshme nga kardinalët e tjerë për të dalë nga ajo mbledhje si Papa Aleksandri VI. Me çfarë i pagoi votat e kardinalëve? Duke u dhënë poste kishtare, pallate, kështjella, qytete, abaci dhe me dioqeza që kishin të ardhura shumë të mëdha. Kuptohet pse një historian i kishës e quajti sundimin e Aleksandrit VI si “ditët e turpit dhe të skandalit për Kishën e Romës”.
Njësoj si princat në botë
Me anë të pushtetit fetar si kreu i kishës, Aleksandri VI arbitroi ndarjen e territoreve të sapozbuluara në Amerikë midis Spanjës dhe Portugalisë. Pushteti politik që kishte e bëri kreun e shteteve papale me territore në Italinë Qendrore. Ai sundoi në mbretërinë e tij po njësoj si çdo sovran tjetër i periudhës së Rilindjes. Sundimi i Aleksandrit VI, ashtu si ai i papëve para dhe pas kohës së tij, u karakterizua nga ryshfetet, nepotizmi dhe nga dyshimi për disa vrasje.
Gjatë atyre kohëve të turbullta, fuqitë rivale luftonin për të marrë territore italiane, dhe papa nuk mbeti spektator pasiv. Manovrat, si edhe aleancat politike që lidhte e prishte ai, kishin si synim t’ia zgjeronin sa më shumë pushtetin, të çonin përpara karrierën e fëmijëve të tij dhe ta ngrinin familjen Borxha mbi gjithë të tjerat. Njëri nga djemtë e tij, Huani, u martua me kushërirën e mbretit të Kastiljes dhe u bë dukë i Gandias, në Spanjë. Xhofri, një djalë tjetër, u martua me mbesën e mbretit të Napolit.
Kur papës i nevojitej një aleat për të forcuar lidhjet me Francën, ai prishi fejesën e vajzës së tij 13-vjeçare Lukrecia me një fisnik nga Aragona dhe ia dha për nuse një kushëriri të dukës së Milanos. Kur kjo martesë nuk ishte më e vlefshme për qëllime politike, u gjet një justifikim për ta anuluar atë dhe Lukrecia u martua me një pjesëtar të një dinastie rivale, me Alfonsin e Aragonës. Ndërkohë, vëllai ambicioz dhe i egër i Lukrecias, Çezare Borxha, lidhi aleancë me Luigjin XII të Francës, kështu që martesa e fundit e motrës së tij me Alfonsin e Aragonës u bë pengesë. Cila ishte zgjidhja? Një burim thotë se Alfonsi, burri i saj i pafat, “u plagos nga katër kriminelë në shkallët e bazilikës së shën Pjetrit. Ndërsa po merrte veten nga plagët, u mbyt nga një shërbëtor i Çezares”. Papa, duke dëshiruar aleanca të reja strategjike, i rregulloi një martesë të tretë Lukrecias, e cila tani ishte 21 vjeçe, me djalin e dukës së fuqishëm të Ferrarës.
Karriera e Çezares është përshkruar si “një histori plot me poshtërsi, e përlyer me gjak”. Ndonëse i ati e emëroi Çezaren kardinal kur ky ishte 17 vjeç, ai ishte më i përshtatshëm për luftë sesa për punët e kishës, pasi ishte dinak, ambicioz dhe i korruptuar sa më s’bëhej. Pasi hoqi dorë nga posti kishtar, ai u martua me një princeshë franceze, duke fituar kështu dukatën e Valentinuasë. Pastaj, me mbështetjen e ushtrisë franceze, filloi një fushatë bastisjesh dhe vrasjesh për të shtënë nën kontroll veriun e Italisë.
Për të siguruar mbështetjen ushtarake franceze që i duhej Çezares për synimet e tij, papa pranoi të bënte një divorc të volitshëm, por skandaloz. Këtë divorc e kërkoi Luigji XII i Francës, për t’u martuar më pas me Anën e Bretanjës, dhe për t’i shtuar mbretërisë së tij dukatën e saj. Në fakt, sipas një vepre referimi, papa “sakrifikoi prestigjin dhe normat e rrepta të Kishës për të pasur përfitime politike për pjesëtarët e familjes së tij”.
Teprimet e papës kritikohen
Teprimet e familjes Borxha i bënë asaj shumë armiq dhe nxitën kritika. Në përgjithësi papa i shpërfillte kritikët, por njëri prej tyre nuk mund të shpërfillej: Xhirolamo Savonarola. Ai ishte një murg domenikan, predikues i flaktë dhe një udhëheqës politik në Firence. Ai i dënoi veset e oborrit papal, si edhe personin dhe politikën e vetë papës, duke kërkuar që ai të hiqej nga posti dhe të bëhej një reformë kishtare. Savonarola thërriste: “Udhëheqës fetarë, . . . natën ju shkoni te konkubinat tuaja dhe në mëngjes nëpër ceremonitë e shenjta.” Më tej thoshte: “[Ata udhëheqës] kanë fytyrën e një prostitute, fama e tyre e keqe ia ul vlerën Kishës. Unë ju them se ata nuk kanë besimin e krishterë.”
Për të blerë heshtjen e tij, papa i ofroi Savonarolës postin e kardinalit, por ky nuk e pranoi. Ishte ndoshta politika e tij kundër papës ose predikimi i tij që i shkaktuan rrënimin, kështu që përfundimisht Savonarolën e shkishëruan, e arrestuan, e torturuan derisa i nxorën rrëfimin dhe pasi e varën, e dogjën.
Pyetje serioze
Këto ngjarje historike ngrenë disa pyetje serioze. Si shpjegohen këto intriga dhe kjo sjellje e një pape? Si i shpjegojnë ato historianët? Janë përdorur arsyetime të ndryshme.
Shumë besojnë se Aleksandri VI duhet parë në kontekstin historik të kohës së tij. Veprimtaritë e tij politike dhe kishtare me siguri duhet të jenë kushtëzuar nga dëshira për të ruajtur paqen, për të mbajtur ekuilibrin midis shteteve rivale, për të forcuar lidhjet e miqësisë me aleatë që mund të mbronin papatin dhe për t’i mbajtur të bashkuar monarkët e të ashtuquajturit krishterim kundër kërcënimit turk.
Po sjellja e tij? “Në çdo epokë të Kishës ka pasur të krishterë të këqij dhe priftërinj jo të denjë,-thotë një studiues.-Prandaj, që askush të mos tronditej nga kjo, vetë Krishti e paratha një gjë të tillë; ai madje e krahasoi Kishën e tij me një arë ku rritet gruri dhe egjrat, ose me një rrjetë në të cilën ka edhe peshq të mirë, edhe të këqij, ashtu si ai vetë toleroi Judën ndër apostujt e tij.”*
Po ky studiues vazhdon: “Ashtu si një skelet me defekt nuk ia ul vlerën një xhevahiri, po ashtu mëkatet e një prifti nuk mund të krijojnë në thelb një paragjykim ndaj . . . doktrinës që ai u mëson të tjerëve. . . . Ari mbetet ar, pavarësisht nëse duart në të cilat kalon janë të pastra ose të papastra.” Një historian katolik argumenton se norma që duhej të kishin ndjekur katolikët e sinqertë në rastin e Aleksandrit VI është këshilla që Jezui u dha dishepujve të tij për skribët dhe farisenjtë: ‘Bëni siç thonë ata, por mos bëni siç bëjnë ata.’ (Mateu 23:2, 3) Megjithatë, sinqerisht, a ju bind një arsyetim i tillë?

Përzgjodhi dhe përgatiti: Albert Vataj