Është në vullnetin tuaj të zgjidhni nëse do të jenë dritshmëri apo zjarr?!

Nga Albert Vataj

Ligjësitë e jetës në rrafshin ndjesor nuk kanë qenë dhe aq dashamirës për mënyrën se si ne bëjmë zgjedhjen e duhur në një marrëdhënie, në një aftësi për të gjetur përshkueshmërinë e qenies sonë në tejdukshmërinë e një pritshmërie. Jeta mund të mos jetë një çast i vetëm, por në shumë nga këto shkreptima një e tillë të verbon për të të lënë përgjithmonë pa mundësi shikimi. Ndjenja, pasioni, intimiteti, shpesh e tejkalojnë potencialisht gjenerimin e energjisë që çlirojnë trupat, të mundshme për t’u menaxhuar. Arsyeja dhe vetëdija e një përfshirjeje intimisht, tejkalohen duke e lënë gjithçka tonën në duart e së rastësishmes më kahje seksin. Kësisoj befasitë janë pasoja me tarifa të shtrenjta, shlyerja e të cilave na obligon atëherë kur ndihemi të përndjekur nga fati edhe pse gjithçka ka të bëjë thjeshtë me një detyrim.
Ne duhet të vetëdijësohemi se komunikimi fizik nuk është thjeshtë një marrëdhënie intime, është një shkëmbim lëndësh biologjike, të cilat në shumicën e rasteve bartin material që nuk arrin të gjej përputhshmëri dhe… mundësia për ballafaqim me pasojat është shumë më serioz dhe kërcënimi që ndëshkon partnerët nuk ka dhe aq lidhje me pasoja sociale se sa me ato shëndetësore që në shumësinë e rasteve nuk i detektojmë se kanë origjinë pasioni.
Natyra na ka dhënë mundësinë të zgjedhim nëse do të jetojmë demoniaken apo engjëlloren në purgatorin e jetës. Ky nuk është një privilegj por një zgjedhë e vetvetes, një mundësi për të konvertuar kapacitetet ndjesore, në dritshmëri apo në zjarr.
Shumë nga ne gabojnë në zgjedhje, dhe fati i mirë i tyre është se arrijnë ta kuptojnë se kanë bërë pranimin e gabuar atëherë kur mundësia për të përfaqësuar një realitet tjetër thelbësor është totalisht e pamundur.
Nëse do të jesh dritë apo zjarr, këtë më shumë se vetëdija juaj është një forcë e pavullnetshme që ka përcaktuar tashmë fatin tënd, dhe ju mbetet vetëm ta pranoni, shpesh duke u përpjekur që zjarrin ta shndërroni në dritë, ndërsa ju digjeni.
Ka disa njerëz ndaj të cilëve dashuria nuk mjafton edhe pse ajo është një forcë lëvizëse dhe transformuese e gjërave dhe gjendjeve. Ato janë trupa të ngopur, qënie të ngurtësuar dhe rrjedhimisht pa kapacitete për përfshirje në një proces gjallues. Nuk kanë vdekur edhe pse gjithçka tek ata është një ngjarje morte. Jeta lëviz e mpirë dhe gjithkush që shkon dhe vjen i ngjet hijeve që shuhen brenda vetes.
Atyre pamshmëria me dashurinë dhe ndjeshmëria e përthithjes së ngrohtësisë u është reflektuar përmes një shkreptime rrufeje, pas së cilës terri kaplon më ethshëm se çdo zezon tjetër që vërehet dhe perceptohet.
Dashuria e lindur mes fajeve dhe ligështimit është një çerdhe e ndërthurur me dushk e gjemba, ndërsa ne duhet të endim ëndrrat e një idilike, të kultivojmë aty barëra aromatikë dhe lule me bukuri dehëse… nëse është e mundur.