Cila erdhi e para, pula apo veza? Pyetja naive që tronditi nga themelet mendimin njerëzor

Kjo është një pyetje sa naive aq dhe filozofike. Ndoshta ishte dhe mbeti si e tillë, pa një përgjigje përfundimtare dhe bindëse shkencërisht. Kjo dilemë e ka bashkëshoqëruar njeriun për shekuj e shekuj më radhë, shpesh duke u cekur me pamjaftueshmërinë e përgjigjes ose me shndërrimin e një interesimi serioz në një situatë komike. Dhe… sërish kemi mbetur pa përgjigje për pyetjen: Cila erdhi e para, pula apo veza?
Do të përpiqem të sjell një shtjellim shterues referuar materialeve dhe interesimeve që kanë trajtuar, kryesisht vlerësimin që prestigjozja “TIME” i ka dhënë kësaj dileme nëpërmjet gazetarit Merrill Fabry, publikuar më 21 shtator 2016.
Cila erdhi e para, pula apo veza? “Është një problem shumë serioz megjithëse në shumicën e herëve është hedhur poshtë si një pyetje budallaqe” thotë Roy Sorensen, një filozof në Universitetin e Uashingtonit në Shën Louis. Së pari, le të marrim përgjigjen shkencore. Vezët, në përgjithësi, ekzistonin përpara se të vinte pula. Vezët dhe embrionet më të vjetra fosile janë ato të dinozaurve dhe datojnë 190 milionë vjet më parë. Fosilet e Arkeopteryx , të cilat janë më të vjetrat të pranuara përgjithësisht si zogj, janë rreth 150 milionë vjeçare, që do të thotë se zogjtë erdhën pas vezëve.
Kjo përgjigje është gjithashtu e vërtetë, se veza ishte ajo që erdhi e para. Disa krijesa të ngjashme me pulën prodhuan një vezë që përmbante një zog, përbërja gjenetike e së cilës, për shkak të disa mutacioneve të vogël, pësoi transformim duke sjellë pulën e vërtetë. Duke pasur parasysh natyrën zhvilluese të ndryshimeve gjenetike, konstatimi se linja e saktë ndarëse është shumë e pamundur, por pulat u zbutën, duke u larguar nga homologët e tyre të egër, diku në intervalin e 6000-7000 vite më parë. Neil deGrasse Tyson e ka mbështetur këtë ide të një zogu, i cili ishte jo shumë i ngjashëm me pulën, e cila do të rritet si një pulë, dhe Bill Nye u pajtua me këtë.
Disa vjet më parë një grup shkencëtarësh shkruan se si një proteinë e veçantë e nevojshme për formimin e lëvorës së vezëve së pulës u gjet vetëm në vezoret e pulës. Këto të dhëna shpesh raportoheshin si prova që pula ishte e para, por edhe nga shkencëtarët, studimi i të cilëve nuk ishte shumë bindës, njëri prej tyre e quajti pyetjen “argëtuese, por pa kuptim”.
Kjo pyetje ka mbetur pa përgjigje për shekuj me radhë, sikurse ka qenë objekt dileme edhe për mbretërit e mendimit, filozofët më të shquar. Historia fillon në Greqinë e Lashtë. Aristoteli ishte duke menduar qartë për këtë lloj pyetjeje, thotë Sorensen, megjithëse ai shpëtoi duke thënë se të dyja, si veza ashtu edhe pula, shkuan pafundësisht prapa dhe ata kishin ekzistuar gjithmonë. Një përkthim në anglisht i François Fénelon, i vitit 1825 mbi filozofët e lashtë, përshkroi perspektivën e Aristotelit: «Nuk mund të kishte qenë e para veza që të vinin zogjtë, ose do të kishte qenë një zog i pari që i dha fill vezëve; sepse një zog vjen nga një vezë. ”
Ishte historiani i lashtë Plutarku që i dha pyetjes formën e saj të qëndrueshme, “Pavarësisht, nëse pula apo veza erdhi e para, ajo tronditi mendimin njerëzor dhe nxori në pah një problem të madh dhe me shumë peshë, dhe që kishte të bënte me pyetjen themelore nëse bota kishte një fillim”.
Shekullin e pestë, një studiues romak, Macrobius, shkroi se njerëzit “bëjnë shaka për atë që ju mendoni se është një gjë e parëndësishme, në pyetjen, se nëse pula erdhi së pari nga veza apo veza nga pulë, por çështja duhet të konsiderohet si një pyetje me rëndësi themelore. ”
Filozofët e krishterë, Augustini dhe Shën Thomas Aquinas kaluan kohë duke menduar si ta katandisnin mrekullinë dhe mendimin e urtë të filozofëve grekë me sigurinë e botëkuptimit të tyre fetar, thotë Sorensen. Në fund të fundit, duke kuptuar pyetjen e bazuar në mënyrë të vendosur në Zanafillë, pula do të vinte e para.
Disa qindra vjet më vonë, historiani natyror italian, Ulysse Aldrovandi do të shkruante shkurtimisht për këtë çështje, duke zbuluar se pyetja ishte e njohur, por u rishfaq në vitin 1600. “Unë e tejkaloj këtë nga një pyetje e kotë në një kurozitet. Ai beson të vërtetën biblike si përgjigjen e këtij rebusi. Në librat e shenjtë thuhet, shton ai, se e para ishte pula. Këto libra mësojnë se kafshët u krijuan në fillim të botës; kështu që pula nuk vinte nga veza por nga asgjëja. ”
Megjithatë, deri në shekullin e 18-të, gjërat do të ndryshonin. Denis Diderot, një mendimtar i rëndësishëm iluminist dhe redaktues i Enciklopedisë, nuk e shikoi pyetjen aq të thjeshtë. “Nëse çështja e përparësisë së vezës mbi pulën ose pulën mbi vezën, ju vë në siklet, kjo është për shkak se ju mendoni se kafshët ishin fillimisht ato që janë aktualisht,” shkroi ai në 1769. “Çfarë marrëzie!” Diderot, e kaluara e një kafshe ishte po aq e pasigurt sa dhe e ardhmja e saj.
Charles Darwin në librin e tij “Mbi origjinën e specieve” e ndërlikoi çështjen pas botimit në 1859, Sorensen vëren. Teoria e evolucionit e bëri të qartë se në një farë mënyre Diderot po shikonte në drejtimin e duhur, por theksi i saj në ndryshimin gradual (dhe parimet e Gregor Mendel të trashëgimisë gjenetike) prodhuan kombinimin e sigurisë dhe misterit që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Veza duhet të kanë ardhur e para, por nuk mund të thuhet kur. Është një luftë për të bërë dallimin midis një specie nga një tjetër, duke pasur parasysh që ka shumë mbivendosje, ndërsa speciet përshtaten ngadalë.
Edhe pse shkenca është mjaft e vendosur, filozofët vazhdojnë të merren me këtë çështje. Është më se e e qartë, pyetja mbetet një pikënisje e frytshme për të gjitha llojet e meditimeve, përfshirë këtë edhe atë mbi origjinën tonë, si erdhëm, nga erdhëm. Një pyetje që kurrë nuk e kemi trajtuar seriozisht në vetvete është pyetja thelbësore e njeriut mbi marrëdhënien që ai ka me të panjohurën dhe ethet gjithnjë në rritje për ta shtytur më tej kufirin zotërues. Për njeriun modern, nuk ka pyetje që nuk kanë gjetur përgjigje dhe kjo ngase ai i ka parë dhe trajtuar çdo dilemë, si pikënisjen e sfidës së tij për ta merituar roilin e favoritit në planetin tokë. E megjithatë- Cila erdhi e para, pula apo veza? ka mbetur pa një përgjigje të gjithëpranuar.
Albert Vataj