Statuja e Lirisë në ishullin Bedloe në New York-SHBA, një fener që ndriçon rrugën drejt ëndrrës

Nga Albert Vataj

Për të është shkruar kaq shumë, por ka gjithnjë motivim shtytës për ta përcjell Statujën e Lirisë rishtas përmes rreshtash dhe faktesh, jo vetë si një kryevepër arti, por përmbi krejt, si një simbol, si një logo, si një emblemë e skalitur në sytë, zemrat dhe ëndrrat e miliona njerëzve që Amerika pati bujarinë tu bëhej vendlindja e dytë e tyre.
Statuja e Lirisë, një nga simbolet më të njohura të lirisë dhe demokracisë në të gjithë botën, siç dihet, ishte një dhuratë miqësie për Amerikën nga Franca. Inagurimi i saj u bë në vitin 1886. Statuja është 305 metra e gjatë dhe përfaqëson Libertas, perëndeshën romake të lirisë, që mban një pishtar në dorën e djathtë dhe një libër në dorën e majtë, ku është shënuar data e Deklaratës së Pavarësisë së SHBA. Prangat e thyera shtrihen nën pëlhurën e statujës, për të simbolizuar fundin e të gjitha llojeve të dhunës dhe shtypjes.
Për dekada, fryma e saj simbolike u ka dhënë shpresë atyre që hyjnë në Shtetet e Bashkuara si emigrantë, por mbishkrimi i saj i famshëm vazhdon të ngjall ndjenja pasionante mbi atë që simbolizon Statuja e Lirisë .
Emri origjinal i statujës ishte “Statuja e Lirisë që ndriçon botën” dhe u konceptua si një dhuratë nga historiani francez Oudouard de Laboulaye, më 1865, vetëm disa muaj pasi përfundoi Lufta Civile, për të nderuar idealet e reja të Shteteve të Bashkuara për demokracinë dhe emancipimin e skllevërve të vendit.
Më 1871, skulptori francez Frédéric-Auguste Bartholdi, i cili e kishte mbështetur me entuziazëm propozimin dhe ishte zgjedhur si artist për ndërtimin e kësaj vepre, udhëtoi në Shtetet e Bashkuara, për të diskutuar statujën me politikanët amerikanë dhe për të gjetur një shtëpi të mundshme për të. Ai shikoi në ishullin Bedloe në New York Harbour, për shkak të faktit se të gjitha anijet që hynin në qytet kalonin pranë tij. Katër vjet më vonë, de Laboulaye i bëri një kërkesë zyrtare Presidentit të atëhershëm të SHBA-ve, Ulyssess S. Grant për të përdorur ishullin Bedloe si vendin zyrtar ku do të “strehohej” statuja.
Për të ndërtuar monumentin madhështor, De Laboulaye dhe Barthold, krijuan Unionin Franko-Amerikan, një partneritet që do të mblidhte para për projektin. Francezët ranë dakord që ata të financonin statujën, ndërsa amerikanët, nga ana tjetër, do të kontribuonin për ndërtimin e piedestalit.
Bartholdi filloi nga puna për ndërtimin e statujës më 1875, në një përpjekje titane që do të kërkonte gati një dekadë ngadhënjim. Struktura komplekse, e bërë nga një kornizë e brendshme hekuri dhe pllaka të jashtme bakri, u krijua për herë të parë nga inxhinier Eugène-Emmanuel Viollet-le-Duc. Pas vdekjes së tij në vitin 1879 u pasua nga puna e Alexandre-Gustave Eiffel, inxhinieri francez, i cili gjithashtu ndërtoi kullën e famshme që mban emrin e tij.
Statuja e përfunduar, e cila kishte peshën prej 225 tonë, iu paraqit Levi P. Morton në Paris më 4 korrik 1884. Një vit më pas ajo filloi rrugëtimin e tij nga Parisi në Nju Jork në bordin e një avulloreje, në gjendje të çmontuar dhe pa piedestalin, i cili u përfundua më vonë.
Statuja e Lirisë përurua më 28 Tetor 1886 me një ceremoni të kryesuar nga Presidenti, Grover Cleveland dhe u shoqërua nga një paradë madhështore në ujë ku morën pjesë rreth 300 anije.
Statuja do të pësojë shumë ndryshime dhe përmirësime me kalimin e viteve. Në vitin 1907, brenda tij u instalua ashensori i parë, dhe në vitin 1916, u ndriçua për herë të parë. Do të errësohej për dy vjet gjatë Luftës së Dytë Botërore, për shkak të rregullave të ndërprerjes së energjisë. Pishtari u zëvendësua tërësisht në vitet 1980.
Statuja e Lirisë u caktua një Monument Kombëtar më 1924 dhe përfitoi statusin si objekt i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 1984. Në vitin 1956, Ishulli i Bedloe u riemërua, duke u pagëzuar “Ishulli i Lirisë” nëpërmjet një rezolute të përbashkët në Kongres.
“Me jep lodhjen, varfërinë, e njerëzve të shumtë që heqin, duan të marrin frymë lirie. Të vuajturve ua ndalojnë bregun tënd. Dërgoji këta të pastrehe, të trazuar tek unë, unë e shpie llampën e dritës te dera jote e artë “, pak a shumë këto janë fjalët e sonetit, “Kolos i Ri”, që është mbishkruar në hyrje të piedestalit. Ajo është kompozuar në vitin 1883 nga poeti Emma Lazarus, mes përpjekjeve për të mbledhur fondet për ndërtimin e vetë piedestalit, i cili po mbetej pas pjesës tjetër të projektit të Statujës.
Piedestali u përfundua tre vjet më vonë, duke i lejuar Presidentit, Grover Cleveland të zbulojë zyrtarisht Zonjën Liberty më 1886. Në vitin 1903, një pllakë bronzi që mbante sonetin ikonik, iu shtua asaj, dhe ashtu si prangat e prishura, ajo simbolizon një shoqëri të lirë.
Me kalimin e viteve, valët e emigrantëve që hyjnë në Shtetet e Bashkuara përmes Nju Jorkut e kanë parë skulpturën si një shenjë “të mirëpritjes” për një jetë të re të mbushur me mundësi, e cila i ka dhënë Zonjës Liberty një nga pseudonimet e saj, “Nëna e mërgimtarëve” dhe rreshtat e famshëm te “Kolos i Ri” një frymë simbolike e saj.