Shpëtim Kelmendi: E drejta morale e rikthimit të gegnishtes

Po, ky është titull i mirë, por njëkohësisht dhe fillim i mirë për nji shkrim të këtij lloji. Kam vënë re se të gjithë individët që shkruajnë dhe japin ndershmërisht mendimet e tyre në lidhje me mundësinë e rishikimit të standartit të sotëm gjuhësor, pra të gjuhës zyrtare shqipe, shihen si njerëz që duan të çojnë ujë në mullirin e armiqve të kombit, si elementë të rrezikshëm për çështjen kombëtare, si përçarës të unitetit ndërshqiptar, si armiq të atdheut, etj. etj. Kësisoj, rrezikun e të shndërruarit në armik përballë psikologjisë së kalbur të disa kokave të sëmura, po e marr parasysh. E di mirë se një shkrim i tillë do guxim, por nëse nëse një njeri nuk ka guxim të shprehë të vërtetën, atëherë nuk e kuptoj se për çfarë dreqin bën hije mbi dhê.

Pyetja është: mbi cilin nga dy dialektet bazë duhet të mbështetet gjuha jonë shqipe: mbi toskërishten apo mbi gegërishten? Kjo është një pyetje e kahershme, së cilës disa gjuhëtarë të politizuar kinse ia dhanë nji përgjigje në vitin 1972.

Dihet tashmë se përgjigja e këtyre gjuhëtarëve nuk ishte shkencore, por thjesht e indoktrinuar, e ideologjizuar, e politizuar, e urdhëruar dhe e nënshtruar, paçka se u amabalazhua më së miri me ca terma me përmbajtje atdhetare, kombëtare, panshqiptare, etj. Pak a shumë, ideja ishte dhe mbetet kjo: përmend sa më tepër terma atdhetarie, lirie, dashurie për kombin, bëj hartime patetike, ngri zërin kundër atyre që mendojnë ndryshe, dhe ke të drejtë të bësh me gjuhën shqipe ç’të të dojë qejfi. Sa për argumentet shkencore, gjuhëtarët tanë as e vranë dhe as s’e vrasin mëndjen. Nuk arrij ta kuptoj se si një gjuhëtar s’ka pikë turpi që, paaftësinë e tij profesionale dhe mungesën e argumenteve shkencore ta fshehë pas termave të atdhedashjes, pas tymrave retorikë, hartimeve dhe ligjëratave patriotike. Sepse, mënyra më e shkëlqyer përmes së cilës një gjuhëtar duhet ta shprehë ardhetarizmin e tij, është padyshim vetëm puna me gjuhën shqipe. Rastin madhor që iu dha në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 për të shprehur atdhetarizmin e tyre, gjuhëtarët tanë e nëpërkëmbën në mënyrën më të turpshme. Kësisoj, gjuhëtarët që morën pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, nuk kanë absolutisht të drejtë morale për të folur. Në vitin 1972, treni i historisë u kaloi krejt afër, por ata nuk patën këllçe të hipnin mbi të. Tashmë, heshtja do të qe në nderin e tyre.

Po cila është gjuha që na lanë? Një gjuhë terësisht artificiale! Dhe e quaj artificiale për një arsye fare të thjeshtë: është gjuhë që nuk flitet! Janë apo s’janë një grusht njerëz që e flasin. Por, pa më thoni, sa gjasa ka të zhvillohet e të begatohet një gjuhë që nuk flitet? Ku e merr ushqimin një gjuhë që nuk flitet? Cilat janë burimet e një gjuhe që nuk flitet? A mund ta quajmë të gjallë dhe organike një gjuhë që nuk flitet? Por, e forta fare është se këtë gjuhë, as për ta shkruar nuk e shkruajnë mirë shumica dërrmuese e shqiptarëve. Ka madje edhe gjuhëtarë që as s’e shkruajnë e as s’e flasin mirë! Po të tjerët? Mos pyet! Po masat tona të gjëra, mbi të cilat po shtrihet dita-ditës hija e zezë e analfabetizmit?

Nuk dua ta besoj se kjo gjuhë është toskërisht! Sepse prej një gjuhe të tillë nuk do mund të kishim fare poetë të mëdhenj si Naim Frashëri, Lasgush Poradeci, Ali Asllani, apo prozatorë shijehollë si Konica, Kuteli, etj. si dhe trashëgiminë e mrekullueshme epike dhe lirike të trevave të Jugut. Pra, po të ishte modeli më i mirë i toskërishtes, askush nuk kishte për ta kundërshtuar kaq energjikisht, sepse autorët që sipërpërmenda na kanë dhënë prova të shkëlqyera të fuqisë së saj shprehëse. Kjo gjuhë është në të vërtetë aliazhi më i palezeçëm i nëndialekteve toske, një gjuhë stisur që po tëhuajësohet dita-ditës. Kjo gjuhë nuk asnjë shans të nxjerrë prozatorë të mëdhenj, sepse maksimumin e vet e ka arritur tashmë me Kadarenë. Por, letërsia shqipe nuk quhet “Kadare” dhe gjuha shqipe nuk mbaron me të. “Ta pasurojmë”-thonë disa. Po si ta pasurojmë? Nëse këtë gjuhë e krahasojmë me një godinë, e kuptojmë saora se kolonat i ka aq të dobëta, sa nuk mbajnë. Leksiku i pafundëm dhe i larmishëm gegë, është i destinuar të mbetet jashtë, sepse përndryshe kolonat shkërrmoqen.

Personalisht nuk jam specialist i gjuhës, por si shkrimtar gjuhën e ndjej në gjak, e kam frymëmarrje, e kam mënyrë jete. Jam autor gegë, por gjuhën që përdor s’e quaj gegnisht; e quaj thjesht gjuhë shqipe të njësuar në raporte të reja. Në gjuhën standart më tërbojnë fjali të tilla si: “Do të doja të vija të të takoja, por kisha frikë se mos do të të shqetësoja…”. Ose: “Të të them të drejtën, unë të kam patur inat, por tani e tutje të premtoj se do të të dua përjetë!” Ose: “Të jini të sigurtë të gjithë se të korrat do të jenë të mbara!” A s’ju duken pak a shumë si krismat e një pistolete TT? Simbas kësaj gjuhe, njerëzit nuk duhet të pijnë “verë në verë”, sepse s’është e qartë nëse je duke pirë stinën apo lëngun e rrushit, dhe duhet t’i zbatojnë plotësisht “vendimet e marra”, çka se mund të jenë edhe idiote. Skandaloze! Shembujt janë të pafundëm. Pse kjo është gjuha shqipe?! Me të vërtetë besoni se kjo është gjuha hyjnore shqipe me rrënjë pellazgo-ilire? Unë nuk besoj! Ose, është një thërrime e saj, po kurrë terësia. Pjesëmarrja e gegnishtes në këtë standart, është minimale, ose thënë ndryshe realizohet vetëm për të mbyllur vrimat e çatisë së standartit, apo për të suvatuar muret e saj të rrjepura. Koha e sapunit që shitet për djathë ka marrë fund tashmë. Duke mënjanuar gegnishten, në fakt kanë mënjanuar gjuhën shqipe, apo thënë ndryshe, tri të katërtat e fuqisë së saj ekspresive. Sigurisht, duke mos qenë specialist i gjuhës, nuk e kam tagrin shkencor për ta denoncuar me terma këtë padrejtësi të turpshme. Por, nga ana tjetër, na rezulton se mjaft nga ata që patën tagrin e duhur shkencor, nuk patën tagrin e duhur moral për ta mbrojtur, sepse nën sytë e tyre u masakrua gjuha jonë e bukur shqipe. Gjithsesi, një gjë mund ta bëj: mund të flas rreth të drejtave morale që ka gegnishtja për t’u rikthyer në skenë me tërë autoritetin dhe pushtetin e saj, i cili shtrihet në rrafshet historike, letrare, gjeografike, demografike, etj. Nëse ndonjë nga argumentet e mia mund të trajtohet edhe si shkencor, aq më mirë.

Caktimi i një dialekti si bazë e një standarti gjuhësor, duam apo jo, duhet të jetë i lidhur ngushtë edhe me ndihmesën gjuhësore e letrare të individëve që mund t’i përkasin këtij apo atij mjedisi gjuhësor, kësaj apo asaj treve. Ja, pikërisht me këtë do merrem: me ndihmesën që kanë dhënë gegët dhe veprat e shkruara në gegnisht, në historinë e letërsisë dhe gjuhës shqipe, por edhe në formësimin e vetëdijes kulturore e kombëtare. E di që është temë delikate, por gjithashtu e di që është një temë e vërtetë. Dhe e vërteta duhet thënë:

-Formula e pagëzimit mbërrin deri në ditët tona falë kryepeshkopit të Durrësit, mikut dhe bashkëpunëtorit të Skendërbeut, Pal Engjëllit. Meqë ishte kohë luftrash, kjo formulë u mundësonte shqiptarëve që t’i pagëzonin vetë fëmijët e tyre, me fjalët: “Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”. Porosia për ta përdorur këtë formulë, është lëshuar nga një kishë në Mat dhe mban datën 8 nëntor 1462. Kjo formulë është në dialektin e Veriut dhe me shkronja latine, ndërsa Pal Engjëlli ishte pinjoll i familjes së ndritur të Engjëllorëve të Drishtit.

-Fjalori i Arnold Fon Harfit. Dihet se ky fjalorth prej 26 fjalësh, është hartuar nga udhëtari gjerman Arnold Fon Harf (1417-1505) në vitin 1496, gjatë ndalimeve që bëri në bregdetin shqiptar të Ulqinit, Durrësit e Sazanit, rrugës për në Tokën e Shenjtë. Që të mund të merrej vesh me banorët shqiptarë, ai ai shënoi 26 fjale shqipe, 8 shprehje, si dhe numrat 1 deri 10 dhe 100 e 1000, duke ua pranëvënë edhe përkthimin në gjermanisht. Janë fjalë të përdorimit të përditshëm, si: ujë,verë,bukë, mish etj. Vlen të thuhet se me përjashtim të ndoshta një apo dy fjalëve, të tjerat janë të dialektit verior!

-Meshari i Gjon Buzukut 1555. Kolona e parë e njohur në ngrehinën e shqipes së shkruar. Nuk ka nevojë për komente, por po citoj diçka nga Prof. Shaban Demiraj: “Tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nuk kish gjaa të endigluom en së shkruomit shenjtë”, ai iu përvesh me zell punës së vështirë për të shkruar një libër mjaft të vëllimshëm në gjuhën amtare , i nxitur, siç na e thotë vetë, “en së dashunit së botësë sanë”. E Pra, më mbetet të shtoj vetëm se, Gjon Buzuku, i biri i Bdek Buzukut, ishte nga treva e Tivarit apo e Ulqinit.

-Pjetër Budi, autori i “Doktrina e krishtenë„ “Rituali roman” dhe “Pasqyra e të rrëfyemit”. Një nga poetët e parë të vargëzimit shqip. Pjetër Budi është jo vetëm një nga figurat më të vetëdijshme dhe më të shkëlqyera të shkrimit shqip, por dhe martiri i parë i saj. Qarqet antishqiptare e mbytën në vitin 1662, teksa po kalonte Drinin. Ju kujtojmë se Pjetër Budi ishte nga katundi Gur i Bardhë i Matit.

-Pjetër Bogdani. Njeri me kulturë të gjerë dhe me pikëpamje iluministe. Përmes leximit të veprës së tij, zbulojmë se, përveç gjuhës amtare, ai dinte italishte, latinisht, kroatishten, armenisht, greqisht, arabisht, hebraisht, dhe sirisht. Konsiderohet autori më i shquar i letërsisë së vjetër shqiptare, autor i “Çeta e Profetëve” (Cuneus Profetharum) dhe njëkohësisht një poet i mrekullueshëm. Kujtojmë Sibilat. Le të mos harrojmë se ishte nip i Andrea Bogdanit, kryepeshkop i Shkupit, i cili qe marrë me lëvrimin e shqipes, pati hartuar edhe një tekst gramatike dhe pati hapur në Kosovë një shkollë ku mësohej shqip. Pjetër Bogdani ishte nga Hasi i Kukësit.

-Frang Bardhi. Ipeshkv i Sapës (Zadrimës). Një tjetër illuminist i madh e njëherësh leksikograf, historian, folklorist e etnograf. Autori i “Fjalori latinisht-shqip„ e i “Apologjia e Skënderbeut”, si dhe hartuesi i parë i një fjalori të gjuhës shqipe. Frang Bardhi ishte nga Kallmeti i Zadrimës. -Përmendim këtu një tjetër dokument shqip, 345 vjet më të vjetër se Meshari i Gjon Buzukut, i cili është zbuluar para do kohësh nga dr. Musa Ahmeti në arkivin sekret të bibliotekës së Vatikanit. Në një farë mënyrë, ekzistencën e këtij dokumenti, na paralajmëron edhe Eqerem Çabejt, kur thotë: “Në nëntorin e vitit 1940, N. Borgia, më tregoi në Grotaferata të Romës se kishte zbuluar në arkivin e Vatikanit një dokument në gjuhën shqipe më të vjetër se Buzuku. Kjo është e mahnitshme! E nuk është fare rastësi që autori quhet Teodor Shkodrani!

Disa argumente të tjera:

-Rreth 70% e shqipfolësve janë gegë, ndërsa rreth 30% toskë. Pyetja është: Cili dialekt ka gjasa të zhvillohet e të begatohet më shumë? Dialekti që flitet nga 70%, apo ai që flitet nga 30% e popullsisë shqiptare? Pyetja është retorike, sepse të gjithë ne ia dimë përgjigjen.

-Shkrimtarë të shquar të shekullit XX e mjeshtra të dorës së parë, pa të cilët letërsia shqipe nuk qëndron më këmbë: Ndre Mjeda, At Gjergj Fishta, Migjeni, Ernest Koliqi, Anton Pashku, Martin Camaj, Azem Shkreli, Zef Zorba, Beqir Musliu, Frederik Rreshpja, etj.

-Lëvruesit e parë të romanit: Pashko Vasa, Ndoc Nikaj, etj.

-Bashkohësia. Dihet se një nga problemet e pandashme të letërsisë shqipe, ka qenë mungesa e kriterit të bashkohësisë, pra lëvrimi me vonesë i rrymave dhe i stileve letrare. Kemi patur e kemi artistë të mirë, por me 50 apo 100 vjet vonesë. Gjithsesi, artistët bashkkëkohor të fjalës nuk na kanë munguar. Përmendim Mjedën (i cili vargëzonte në të njejtin nivel dhe regjistër me poetët e mëdhenj italianë: D’Anuncio, Paskoli, Karduçi), Koliqi, i cili vijon të jetë ende bashkëkohor, Anton Pashku, udhërrëfyesi i prozës moderne në letërsinë shqiptare, etj.

-Studiues të shquar të gjuhës dhe letërsisë shqipe: Krist Maloki, Kolë Ashta, Justin Rrota, Selman Riza, Ibrahim Rugova, Rexhep Ismajli, Sabri Hamiti, etj.

-Helenistët dhe Latinistë e përkthyes të mëdhenj shqiptarë: Gjon Shllaku, Henrik Lacaj, Pashko Gjeçi, Mark Demaj, etj.

-Humanistë shqiptarë me jehonë europianë: Marin Barleti, Marin Beçikemi, Gjon Gazulli, Leonik Tomeu, Andrea Aleshi.

Këto argumente që dhashë, çka se për t’i përmbledhur të gjitha nuk mjaftojnë as tri gazeta, krijojnë pak a shumë portretin e së drejtës morale që ka gegnishtja për t’u rikthyer, për t’u rivlerësuar e për të marrë vendin që i takon. Nevoja e rishqyrtimit të standartit nuk ka të bëjë thjesht me ndonjë tekë apo trill, po me diçka tjetër shumë të rëndësishme. Duke u mënjanuar gegnishten në një mënyrë kaq fatale, mënjanohet Eposi i Kreshnikëve, trashëgimia folklorike e Veriut, Visaret e Kombit, Fishta me epikën e fundit shqiptare, mënjanohet Mjeda, Koliqi, Migjeni, Camaj. Qysh tashti, shumica dërrmuese e nxënësve shqiptarë të trevave të Jugut, nuk janë në gjendje t’i lexojnë autorët e traditës gege. Mbas pak, këta autorë nuk do të jenë në gjendje t’i lexojnë as nxënësit e trevave të Veriut!

Nxënësit e shkollave tona shqiptare mësojnë anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, por nuk mësojnë gjuhën e folur nga 70% e shqiptarëve, pra gegnisht!

Në mbyllje, më duhet të them se para se ta nisja këtë shkrim, disa miq më thanë se mund ndokush mund ta trajtojë këtë qëndrim si përçarës. Përgjigja ime ishte dhe mbetet: Përçarja është kryer tashmë qysh në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972. Ajo që synohet tashti është bashkimi.