Rëndësia e betejës së Maratonës për Europën dhe botën, përballje faktesh dhe aludimesh

Marathona e cila gjendet në zonën e Attikis Veri-Lindore, dikur ishte një nga mbretëritë Mikoniane të Attikis. Falë topografisë dhe territorit pjellor të rajonit, ishte një vend i rëndësishëm që nga prehistoria: Ishte një nga qendrat më të rëndësishme greke të Revolucionit Neolitik dhe më pas një qendër e kulturës së bakrit. Por në shtator të vitit 490 para e.s. Marathona kaloi në histori, në kohën kur Grekët me Gjeneral Miltiadis-in, u përballën me ushtrinë më të madhe në numër dhe të armatosur mirë të Persëve pushtues.

Fitorja e Grekëve i dha lavdi të përjetshme ideatorit të planit strategjik, Miltiadis. Kjo betejë renditet ndër betejat më të mëdha të njerëzimit, sepse është një arritje strategjike dhe mbi të gjitha një simbol i përjetshëm ideologjik, të Humanizmit dhe Lirisë mbi despotizmin, e betejës së personave të lirë kundër skllavërisë, betejës shpirtërore kundër materies. Herodoti thekson, se Athinasit duke qënë të Lirë, kërkonin ta ruanin lirinë e tyre. Kjo ishte fryma e ushtarëve të Marathonas. Fitorja kundrejt Perandorisë së madhe Persiane, ka fuqizuar shpirtërisht Demokracinë e Athinës, duke i dhënë asaj përparësi ideologjike më thelbësore dhe më të rëndësishme për të zhvilluar dhe udhëhequr në politikë dhe kulturë.

Beteja dhe fitorja e Marathonas frymëzoi dhe udhëhoqi jo vetëm demokracinë e Athinës por demokracinë për gjithë qytetërimin tonë, qytetërimin europian. Pas  betejës së Marathonës, ku u dërrmua arroganca perse e luksit dhe e superioritetit numerik, Athinasit, me liderin e tyre politik, Perikliun, krijuan  shekullin e artë  të kulturës. Zbatuan reforma  politike, rindërtuan dhe përmirësuan qytetin, krijuan vepra arti dhe kryevepra arkitekturore, ndërtuan Parthenonin, të cilin e admironte edhe Mikja jonë, Myrtis…

Beteja dhe fitorja në Marathonë, frymëzoi dhe udhëhoqi jo vetëm  demokracinë Athinase  por edhe gjithë  qytetërimin tonë, qytetërimin europian.

Marathona, si pjesë e edukimit klasik, sot është thellësisht e rrënjosur në ndërgjegjen evropiane, por dhe në ndërgjegjen mbarëbotërore.

  1. Rrugëtimi i Maratonës

Rrugëtimi i Maratonës është një garë rezistence me nje distancë zyrtare prej 42,195 kilometrash që përfshihet në sportet moderne olimpike.

Prejardhja e Maratonës vjen nga historia e një lajmëtari Grek. Sipas saj, Gjenerali i Athinës, Miltiadis, menjëherë pas betejës së bujshme të Maratonës, në vitin 490 para e.s.,dërgoi Fidipidis, si më të shpejtin e ushtrisë Athinase, nga fusha e Maratonës në Athinë për të shpallur fitoren kundër persëve pushtues. Thuhet se ushtari vrapoi bashkë me armaturën e tij në qytetin e Athinës, pa ndalesa, duke përshkuar në vetëm disa orë distancën prej 40 kilometrash. Ai hyri në Mbledhjen e Kuvendit të Athinës, bërtiti “Nenikikakamen” (fituam) dhe dha shpirt. Gara e ka marrë emrin e nga rrugëtimi historik i ushtarit Athinas. Miliona njerëz ndjekin hapat e ushtarit dhe 2500 vjet më pas ata mbajnë gjallë emrin e Marathonas, duke demonstruar fuqinë e “unitetit” kundër “egos”. Rruga e Maratonas simbolizon se kursi i qytetërimit dhe lirisë është i gjatë dhe i vështirë. Ajo kërkon angazhim, forcë, durim dhe këmbëngulje. Sot, Europa dhe gjithë njerëzimi kanë më shumë se kurrë nevojë për vlerat, idealet, idetë e krijuara në tokën e Attikis, në fushën e Marathonas, 2500 vjet më parë.

  1. Gjeneza e Maratonës

Kur Lojërat Olimpike moderne rifilluan në fund të shekullit të 19të, në Athinë, gjuhëtari dhe helenisti francez Michelle Bréal propozoi përsëritjen e rrugëtimit të famshëm që përshkoi ushtari i Maratonës. Madje, u ofrua vetë për të marrë pjesë në këtë garë të re, për të cilën Filantropi Georgios Averof kish vendosur dhënien e një kupe. Ideja u mbështet nga Pierre de Coubertin, themelues i Lojrave Olimpike moderne, si dhe gjithashtu nga grekët. Maratona e parë zyrtare olimpike (vetem për meshkuj) u mbajt në ditën e 5-të të Lojërave Olimpike të 1896-ës, e para që nga rivitalizimi i tyre, më 29 mars 1896, ditën premten. Pikënisja ishte Varri Monumental i Maratonës dhe përfundimi ishte në Stadiumin Panathinaikos.

Gjatë garës kishte shumë ndryshime në pozicionimin e vrapuesve të parë. Kështu, në 10 kilometrat e parë, garuesit e huaj Lermusiau, Flack dhe Blake ishin të parët, pas kilometrit të 20 që përbënte gjysmën e rrugëtimit vrapuesit grek Vasilikos, Louis, Mpelokas filluan të rrisnin shpejtësinë e tyre. Në kilometrin 23, Blake nuk duron më dhe braktis garën. Në kilometrin e 32, në krye të garës u pozicionua Louis, i ndjekur nga Vasilakos.

Kur një kalorës lajmëtar mbërrin në Stadium dhe njofton se “Paraprin një grek ”,  pasoi një delir. Hyrja e Louis në stadiumin nxiti të gjithë shikuesit të cilët u ngritën në këmbë dhe brohorisnin në mënyrë ritmike mbiemrin e tij, dhe kështu ai përfundoi garën me një kohë 2 orë, 58 min. dhe 50 sekonda, ndërsa i dyti në stadium hyri pas shtatë minutash,  Vasilakos, i cili përfundoi garën me nje kohë 3 orë, 06 min dhe 30 sekonda.

Fituesi i Maratonës së parë Olimpike në vitin 1896 (vetëm për meshkuj) ishte Spiros Louis, një transportues uji nga Greqia.

Lojrat Olimpike të vitit 1896 në atë moment përjetuan çastin më të rëndësishëm. Pierre de Coubertin duke ju drejtuar Spiros Louis tha “Sot shkruajte histori”. Maratona e meshkujve është gara e fundit në Lojrat Olimpike, është kulmi i përpjekjes, e ndjekur nga Festa përmbyllëse e Lojërave. Rekordi olimpik është 2:06:32, nga Keniani Samuel Kamau Wanjiru. Sot më shumë se 800 Maratona zhvillohen çdo vit në 40 vende, pjesa dërrmuese e vrapuesve janë amatorë, burra, gra, të rinj, shpesh herë edhe familje të cilat vrapojnë së bashku, për qëllime bamirësie ose thjesht për eksperiencë. Pjesëmarrja në një maratonë është një ngjarje e rëndësishme në historinë personale të një njeriu dhe mbështetet nga të afërmit dhe miqtë të cilët në këtë mënyrë marrin gjithashtu pjesë në këtë përpjekje madhore. Maratona të mëdha kanë me dhjetëra dhe mijëra pjesëmarrës: Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve nuk konkurrojnë për të fituar, por për të arritur në fund, për të përfunduar garën, që është dhe arritja më e rëndësishme në një maratonë. 

  1. Kotinos – Kurorë me degë ulliri

Kotinos ishte kurora me degë ulliri të egër me të cilën kurorëzoheshin fituesin e Lojrave Olimpike të antikitetit dhe përbën simbol mbarëbotëror për paqen dhe lirinë.

(Në lojërat e tjera Pan-helenike, fituesit nderoheshin me kurora me bimë të ndryshme: pishe në Isthmia, kurorë selino në Nemea dhe kurorë dafine në Pitia.)

Lastarë nga pema e ullirit që ndodhej pranë tempullit të Zeusit, i priste me gërshërë floriri një i ri. Në vazhdim degët dërgoheshin në tempullin Eras, vendoseshin në një tavolinë prej floriri dhe dhëmb elefanti, nga ku i merrnin Hellanodikes, gjyqtarët e Lojrave Olimpike antike, i thurnin dhe u’a vendosnin fituesve si trofe.

  1. Të dhëna historike

Në Lojrat Olimpike kotinos u sanksionua si trofe për fituesit nga mbreti i Elias, Ifito,  pas parashikimit që iu bë nga orakulli i Delfit për të inkurajuar pjesëmarrjen e sportistëve.

Sipas mitologjisë, u vendos si trofe për fituesit e vrapimit, gara më e lashtë, nga Herkuli, në nder të të atit të tij Zeus. Për herë të parë, sipas Pafsaniasm u dha në vitin 752 para e.s. në organizimin e gjashtë olimpik dhe zëvendësoi frutin e mollës që jepej deri në atë kohë.

Kurora e ullirit kishte vlerë simbolike, pasi mendohej se sjellë lumturi dhe mbrojtje hyjnore për atletin e kurorëzuar.

Kur pushtuesit Persian morën vesh se trofeu për fituesin e Lojrave Olimpike ne Greqi ishte një kurorë ulliri u trembën dhe thanë “Kundër çfarë burrash po luftojmë, kur ata luftojnë për virtyt dhe jo për pasuri”.

Për shkak të simbolikës së tij, si një simbol universal i paqes dhe lirisë, kotinos u përzgjodh për të qenë emblema e Lojrave Olimpike Verore të vitit 2004 që u zhvilluan në Athinë, ku për here të parë u ringjall tradita e lashtë e dhënies së Kotinos për fituesit.