Ndeshje e përgjakshme dhe vdekje për të “qetësuar të vdekurit” dhe për të “ngushëlluar shpirtin”

Nga Albert Vataj

Romakët ishin të apasionuar për shfaqjet me gladiatorë. Ndoshta do të habiteni po të mësoni se fillimisht këto dyluftime bëheshin në funeralet e personaliteteve të rëndësishme. Besohet se ndeshjet e kishin origjinën te flijimet në njerëz ndër popullsitë oskane ose samnite, që sot përkon me Italinë Qendrore. Flijimet bëheshin për të qetësuar frymërat e të vdekurve. Ky luftim quhej munus ose «dhuratë». Ndeshjet e para të dokumentuara në Romë u mbajtën në vitin 264 p.e.s., kur tre çifte gladiatorësh u ndeshën në tregun e gjedhëve. Në funeralin e Mark Emil Lepidit, u bënë 22 dyluftime. Në funeralin e Publi Licinit, u bënë 60 dyluftime. Në vitin 65 p.e.s., Jul Cezari nxori në arenë 320 çifte.

“Funeralet e aristokratëve ishin shfaqje politike, thotë historiani Keit Hopkins, dhe garat në këto funerale kishin ngjyrime politike . . . sepse pëlqeheshin nga shtetasit që ishin zgjedhës. Në të vërtetë, madhështia e shfaqjeve me gladiatorë u bë gjithnjë e më e madhe kryesisht si pasojë e konkurrencës politike ndërmjet aristokratëve ambiciozë.” Në kohën e mbretërimit të Augustit (27 p.e.s deri në 14 të e.s.) këto munera ishin shndërruar në dhurata luksoze për zbavitjen e masave, që zyrtarët e pasur shtetërorë bënin për të përkrahur karrierën e tyre politike.

Lidhur me origjinën e ndeshjeve të gladiatorëve, Tertuliani, shkrimtar i shekullit të tretë, thotë: “Pasi i kishin zbutur këto shfaqje me një formë më të kulturuar mizorie, njerëzit në lashtësi mendonin se ato u bënin një shërbim të vdekurve. Kjo sepse, në lashtësi, të bindur se shpirtrat e të vdekurve qetësohen me anë të gjakut njerëzor, në funerale ata e kishin zakon të flijonin robër ose skllevër që s’vlenin shumë, të cilët i blinin. Më pas, iu duk mirë ta maskonin mizorinë e tyre duke e kthyer këtë rit në një kënaqësi. Kështu, pasi njerëzit e zgjedhur stërviteshin me armët që ishin në atë kohë dhe sa më mirë që mundeshin​ imagjinoni që stërviteshin të mësonin se si të vdisnin!​ vriteshin në ditën e caktuar të funeralit, nëpër varre. Pra, ngushëllimin për vdekjen që u kishte ndodhur e gjenin duke parë vrasje. Kjo është origjina e munusit. Por dalëngadalë këto u bënë edhe më të rafinuara, edhe më mizore; kënaqësia e ditëve të pushimit nuk ishte e plotë në qoftë se bishat e egra nuk bënin edhe ato pjesën e tyre për të shqyer trupat e njerëzve. Ajo që ofrohej për të qetësuar të vdekurit llogaritej si një rit funerali.”