Mukades Çanga, “Mjeshtër i Madh”, zëri që i dha dimenione të reja këngës shkodrane

Mukades Çanga, “Mjeshtër i Madh” është një zë i rëndësishëm i traditës së pasur të këngës qytetare shkodrane. Vokali dhe forca interpretuese e saj kanë kaluar publikun shkodranë për të rrëmbyer interesim dhe ovacione, duartrokitje dhe vleresime përtej.

Emri dhe kontributi i saj renditen në kolanën e gjatë të atyre vlerave që e përfaqësuan dhe e ngriten në një nivel sfidues këngën dhe muzikën shkodrane, duke e renditur atë në kryeradhën e admirimit dhe vlerësimit.

Në 60-vjetorin e lindjes, Shkodra, Teatri “Migjeni” dhe gjithë artdashësit dhe muzikdashësit shkodran janë të obliguar të mblidhen në këtë solemnitet urimi, si në një kremte të rëndësishme të artit të këtij qyteti dhe Shqipërisë në tërësi.

Mukades Çanga, të gëzoni jetë të gjatë dhe shëndet. Të jeni gjithnjë në skenën e këngës, si në një arsye për të sfiduar vitet dhe për të frymëzuar brezat, ata që po e përfaqësojnë dhe denjësisht po e shpien në një gjeneratë të re traditën e muzikës qytetare shkodrane dhe këngën e bukur të këtij qyteti, krijuesve të pavdekshëm të këtyre brilanteve të skenës së këngës.

Albert Vataj

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur një vajzë e vogël çapkëne, shpalosi talentin e saj në moshën 9 vjeçare në aktivitetet që organizonte shtëpia e pionierit në atë kohë. Ky zë i bukur fëminor premtonte për një këngëtare të ardhshme, e cila jo shumë vonë hodhi dhe hapat e parë në skenat rinore të qytetit. Interpretimi i këngës së parë “Mori drandofilja e vogël”, nën drejtimin e violinistit, mjeshtrit Mark Kaftalli, befasoi specialistët dhe muzikantët e asaj kohe. Ishte akoma e re në karrierën e saj artistike dhe me që në këtë kohë në Tiranë ekzistonin kurse për kualifikimin e talenteve të reja, Mukades Çanga pati fatin e madh të mbarojë këtë kurs, por pati fatin më të madh që “kaloi nëpër duart” e mjeshtrave të mëdhenj të këngës popullore si: Ramadan Sokoli, Abdulla Grimci, Luçije Miloti, Ibrahim Tukiqi, Naile Hoxha, Xhevdet Hafizi, etj. Shkëlqimi i talentit të saj ishte një premisë që ajo të thirrej pa ngurrim në skenën e Teatrit “Migjeni” si këngëtare e estradës profesioniste duke u radhitur përkrah kolosëve të jareve shkodrane, mjeshtrave Bik Ndoja dhe Shyqyri Alushi dhe që nga ajo ditë nuk është shkëputur nga skena. Ajo është trashëgimtarja e denjë e brezit të këngëtarëve të mëdhenj shkodranë, është një nga zërat që ka dhënë kontribut të shquar për ta ruajtur traditën e muzikës popullore shkodrane. Pjesëmarrëse në spektaklin “12 në Hollywood”, i zhvilluar në Tiranë në vitin 1994. Në festivalin Folk Izmir, Turqi, viti 1996, në Maratona e Këngës Popullore. Gjatë karrierës së saj artistike ka bashkëpunuar me shumë figura të shquara të muzikës shqiptare si me kompozitorët: Pjetër Gaci, Mark Kaftalli, Luan Barova, Zef Çoba, Adil Ujkashi, Shefqet Kruja, Shpëtim Saraçi, Naim Krasniqi, Ilir Zoga, Xhavit Ujkani, Jetmir Barbullushi etj. Këshilli Bashkiak i Shkodrës i ka dhënë titullin “Mirënjohja e Qytetit”, me motivacionin: “Këngëtare e shquar e muzikës popullore shkodrane që me zërin e saj melodioz ruajti vlerat e këngës qytetare, si dhe shumë vlera të tjera të mëdha”. Ja si shprehet në vlerësimet e tij shkrimtari dhe dramaturgu i njohur prof. Fadil Kraja: “Në qoftë se do të flasim për ditët e sotme mund të themi pa hezitim se Mukades Çanga është një pikë referimi për këngën popullore qytetare shkodrane, që fillon nga ajo dhe vazhdon me këngëtarë të tjerë që për fat të mirë i kemi me shumicë”.

“Zonja e këngës popullore qytetare shkodrane”. Ky është titulli që i japin bashkëqytetarët e vet dhe ndoshta ka më shumë vlerë se titulli ” Mjeshtër i Madh” dhe “Mirënjohje e Qytetit”. Desin nuk e bëjnë të madhe titujt, por lidhja me këngën dhe me qytetin e saj ku ajo e ndien veten gjithmonë një vajzë shkodrane.

Ramazan Çeka