Mira Vataj: Kur një motër e lejon vëllain të ketë qetësinë që kaq shumë ka dëshiruar


Vëllai im i shtrenjtë, jam matur prej kohësh të të shkruaj, por gjithnjë kam hezituar duke shpresuar se do të vijë ai moment kur ti të kuptosh, se ashti siç ka të tjerë që kujtohen për ty, dhe nuk të harrojnë asnjë moment, ashtu duhet edhe tek ti të zgjohet ajo nevojë, për të pranuar se ka brenda teje një ndjesi, që kërkon një prehër prehje dashurie, kujtimesh dhe malli.
Normalisht ndjej se jam pak e vonuar për shumë arsye, që sot që ndaloj të të shkruaj e kuptoj se nuk paskan qenë të tilla.
I dashuri dhe i shtrenjtë vëllai im, si motra e madhe, ajo mbi supet e së cilës rënduan herët hallet dhe problemet e familjes, e rritjes së vëllezërve, e më vonë të motrës më të vogël, të kam dashur pa kushte. Kam bërë shumë më tepër se çfarë obligohet një motër të bëjë për vëllain e vet, pa menduar se një ditë ajo që bëra do të më kthehej, qoftë si një mirënjohje dhe respekt, jo tamam si vëllai motrës, por si dikush që është falënderues për atë që ka marrë dhe pranuar nga dikush tjetër.
Ndoshta nuk është etike dhe e pranueshme të ankohem apo të kërkoj llogari për atë që ndjej se është një cenim, jo vetëm i një vëllai për motrën, por edhe i njerëzve mes njëri-tjetrit. E them me keqardhje se kam konstatuar vazhdimisht nga ty cinizëm dhe maskilizëm të theksuar ndaj meje, arsyen e din vetëm ti. Si parantezë, vëllai im, të duash motrën dhe ta shprehesh këtë nuk të bën të dobët, përkundrazi të shton vlerat dhe të mos ndihesh asnjëherë vetëm, të pranosh se çfarë të mban të lidhur me të, të kujtosh kohën që kaluat së bashku, të përjetosh ato momente gëzimi dhe hillërimi që lidhin me fëmijërinë.
Ka tre vite që ke ikur në emigracion, në Francë, dhe nuk kam patur nga ty asnjë telefonatë apo mesazh, edhe pse mundësitë janë kaq të shumta, për të më pyetur si je me shëndet, si po kalon, si i ke hallet, si po përballon jetën. Ti nuk e bëre. Unë nuk kam mbajtur mëri, të kam uruar për festa e ditëlindje, tendën e të fëmijëve tuaj, kam pyetur dhe jam interesuar për gjithçka që mua ende më mban të lidhur me ty si vëlla, dhe… s’denjove asnjëherë të më kthesh përgjigje. Kjo situatë e pakuptimtë ashtu siç më ka futur në mëndime, në dyshime dhe dilema, ashtu më ka bërë të ndihem në faj.
Ti nuk je vëllai i parë dhe as i fundit që janë kaq zemërgurë me motrën e tyre, por gjithnjë një motër, ashtu sikurse edhe unë, e ka shumë të vështirë të pranojë një realitet të tillë kaq mospërfillës, përjashtues, aq më tepër kur nuk ka asnjë arsye. E kam menduar sa herë dhe më shumë vështirësi dhe zoritje më duhet ta konsideroj fjalën e urtë, sipas së cilës: Askënd nuk mund ta kesh më shumë se sa ai të ka ty.
Nëse për ty, ajo motër që bëri gjithçka edhe të pamundurën që ti të ndjekësh ëndrrën, të ecësh, të arrish, të realizohesh, është askushi, me vjen shumë keq të ta them, por kështu do të jesh edhe ti për mua.
Nuk dua të përmend asgjë në lidhje me prindërit tanë, të cilët mund të jenë arsyeja e paarsyeshme. Ata kanë patur plot gabime, ashtu siç kemi edhe ne, edhe pse e kemi të vështirë t’i pranojmë, për çështje sedre apo krenarie.
Nëse nuk ke dijeni, ose nëse kërkon të mos kesh njohje me realitetin, më duhet të të them se ata sot janë të braktisur. Është e lehtë të gjejmë justifikime, duke akuzuar ata për çfarë nuk ishin dhe për çfarë nuk mundën, apo nuk deshën të ishin, si me ty, me mua dhe me të gjithë ne. Por është e patolerueshme të kërkosh të mos dish asgjë për ta, duke i lënë në harrim dhe në mëshirë të fatit, si një mënyrë hakmarrje ndaj tyre. Vëllai im, ne nuk patëm fatin të zgjedhim prindërit, të zgjedhim njëri-tjetrin, por është në dorën tonë, në përgjegjësinë e secilit të jemi çfarë duhet në raport me ta.
Sikur të të mos mjaftonte kjo shmangie e detyrimit që ka secili për të afërmit, me kujtesë e me fjalë, ti zgjodhe të hedhësh hapin e fundit të vetmisë tënde, braktise edhe motrën e vogël me preteksin e një debati që paske patur me bashkëshortin e saj. Për mua arsyetimi i yt është totalisht i papranueshëm. Jam në dijeni që ajo të është gjendur, sa ka mundur, e favorizuar edhe nga mundësitë që ka duke qenë e sistemuar në emigrim afër vendqëndrimit tënd. Ti ke qenë mosmirënjohës për çfarë ka bërë ajo për ty, dhe injorues për detyrimin që ke patur ti karshjio saj, si vëllai i madh.
Mua me vjen kaq keq të pranoj se u katandisëm kështu, të jemi kaq të padashur për njëri-tjetrin, tamam gjak i prishur.

Vëllai im i shtrenjtë, edhe pse dua kaq shumë të mbesim siç kemi qenë, sot po të kërkoj të falur nëse të kam bezdisur duke të të shkruar e shqetësuar, duke u interesuar si motra për vëllain. Gjithashtu po të kërkoj të pranosh ndjesën time dhe unë ti kërkoj motrës që ke ende tek unë, të ju lërë në qetësinë tuaj që kaq shumë e paskeni dëshiruar.

Qofsh mirë, personalisht dhe familjarisht!
Të do shumë, ajo që deri dje e kishit motër!
E juaja, motra që u përpoq të ishte e mirë me ty deri në këtë cak, të të linte të lirë në zgjedhjen tënde, duke shpresuar që ajo të jetë më e mira për ty.