Magjepsu prej prehjes së këtij çasti të plazmuar në eterin e ngjyrave dhe dritës në pikturën, “Peshkatarja duke fjetur”

Kjo platitje e ëmbël dhe dehëse, siç është ai lëshim me krahë prej ajri në një kllapitje gjumi si kjo, e përcjellë më kaq gjithanshmëri shprehëse estetike, vjen gjithnjë butësisht dhe përshkueshëm. Në këtë pikturë të Friedrich von Amerling, gjen ëndje në çdo vështrim që e lan me adhurim dhe merr shkas joshjeje. Ajo pluskon dhe mëton me fjalë prej fryme dhe prekje prej fijëzash të paduksheme të dashurimit etern, e shenjtëruar te çdo grua dhe nënë, te çdo shkujdesje dhe dlirësi, të cilën mund ta gjesh me atë paqësi qiellore vetëm në natyrë dhe në penelin e një piktori. E rrëmben këtë shtjellim, këtë jetësim të artistit, në gjithçka që tabloja tregon, në dritën që lan këtë moment, në ngjyrën qe e ndez këtë çast, në atë që e bën arti dhe pikturën një kontakt, një komunikim, një marrëdhënie, një nevojë për tu ndjerë i magjepsur.

“Peshkatarja duke fjetur” është një pikturë e austro-hungarezit, Friedrich von Amerling (14 prill 1803 – 14 janar 1887). Ai ishte një mjeshtër në oborrin e Franz Josef , ishte një nga piktorët e shquar të portreteve austriakë të shekullit të 19-të.

“Peshkatarja duke fjetur” është vaj në kanavacë, me dimensione, 97 x 147 cm dhe e nënshkruar nga Fr. Amerling  më 1834. Ajo është një punë e gjallë dhe ngrohtë, e butë dhe delikate, e thjeshtë dhe rrëmbyese, si çdo ëndje që jep arti. Në një lexim të detajeve të pikturës, ajo që rreket të tregojë dhe të mbajë peshën më të plotë të këtij momenti është gjoksi i gjysmëzbuluar. Kjo tregon se nënën dhe fëmijën e saj i ka zënë gjumi pasi ajo e ka ushqyer të voglin dhe e ka vendosur në anën ku ai është më i mbrojtur. Krahu dhe trupi i saj i qëndrojnë si strehë të voglit. Veshja është solemne dhe shtati i gruas është ai i një nëne vitale. Piktori i ka dhënë nuanca religjioze këtij çasti, si një aureolë paprekshmërie që e koracon.

Albert Vataj