Herman Melville, shkrimtari që na dhuroi “Mobi Dik”, një prej klasikëve të letërsisë botërore

Nga Albert Vataj

Ka prej atyre krijuesve, shkrimtarëve dhe artistëve, të cilën mund t’i identifikosh nëpërmjet një vepre dhe ajo të jetë e mjaftueshme të përmbush gjithë detyrimin njohës dhe vlerësimin shterues të asaj çfarë ndërmendja e ka të plazmuar në kujtesën e kohës. Shkrimtari amerikan, Herman Melville është njëri prej tyre dhe kryevepra e tij është “Mobi Dik”, një nga romanet që ka rrëmbyer interesim global të lexuesve dhe grishja e tij në një galeri të bujarshme veprash, në gjini të ndryshme të shprehisë estetike dhe artistike, ku filmi ka vend dominues.

Në jetën e Herman Melville, vepra “Moby Dick” nuk konsiderohej si kryevepër, pasi duhej një interesim përtej librit, duhej një dritëpamësi më vepruese si ajo e kinematografisë, që ky roman të merrte frymë në një dimension tjetër dhe të rrokte interesim në përmasa që do ta shndërronin atë në kryevepër dhe autorin në një gjeni. Pasi e publikoi romanin, “Mobi Dik”, Melville vuajti financiarisht për pjesën e mbetur të jetës. Ai përdori pjesën më të madhe të kursimeve të tij për të publikuar romanin e dytë, “Pierre”, i cili gjithashtu nuk u prit mirë. Para se të vdiste, ishte një kontrollor doganash në një port në New York, dëshmi kjo e nevojës për të sfiduar vështirësitë, të cilat e kërcënuan vijimsisht jetën dhe krijimtarinë e tij.

Herman Melville u lind më 1 gusht 1819 dhe u shua më 28 shtator 1891. Ai ishte dhe do të mbetej në letërsinë amerikanë dhe historinë botërore një shkrimtar që lëvroi plot pasion dhe pati interes vlerësues si poet, tregimtar dhe romancier. Ai i përkiste periudhë së Rilindjes Amerikane, duke e përfaqësuar dhe merituar këtë vend nderi.

“Typee”, libri i parë i Herman Melville, u pasua nga një vazhdim, “Omoo” (1847). Të dy ishin të suksesshëm dhe i dhanë bazën financiare për t’u martuar me Elizabeth Shaw, një vajzë e një familje të shquar të Bostonit. Romani i tij i parë që nuk bazohej në përvojat e veta, “Mardi” (1849), nuk u prit mirë. Punët e tij të ardhshme, “Redburn” (1849), dhe “White” (1850) u pritën shumë mirë, por nuk mundën që t’i ofronin atij siguri financiare.

Romani që e bëri të famshëm këtë autor, duke i siguruar një vend në panteon është Mobi Dik, i cili u botua në SHBA dhe më pas në Britani, duke u shndërrua në bestseller brenda një kohe të shkurtër.

Humbja e dy djemve lanë pasoja të rënda shpirtërore tek Herman Melville, të cilat natyrisht që ndikuan në krijimtarinë e tij. Gjatë viteve të fundit të jetës, ai publikoi dy vëllime me poezi, la gjithashtu një vëllim të pabotuar. Novela “Billy Budd” mbeti e papërfunduar, por u botua më 1924 duke hyrë një radhën e librave të tij të suksesshëm. Melville vdiq nga sëmundja kardiovaskulare më 28 shtator 1891. Viti 1919 që ishte 100-vjetori i lindjes u bë pikënisja e “Ringjalljes së Melville”, kohë e cila solli një rizbulim të veprës së tij. Kaq mjaftoi që romanet e tij kryesore filluan të njihen si klasike botërore me rëndësi të spikatur për letërsinë bashkëkohore botërore dhe Herman Melville të renditej në radhët e para të asaj plejade krijuesish që ndërtuan themele të qenësihme të letërsisë, poezisë dhe prozës amerikane.