Sokrati: Nëse ajo që dëshiron të më thuash, është; as e vërtetë, as e mirë dhe as e dobishme; pse dëshiron të ma thuash?

Në Greqinë e lashtë Sokrati kishte një reputacion të madh për mençurinë. Një ditë dikush erdhi për ta takuar filozofin e madh dhe i tha:

– A e di atë që sapo kam dëgjuar për mikun tënd?

“Një moment të lutem”, iu përgjigj Sokrati. – Para se të më thuash, do të doja të të jepja një test, atë të tre sitave.

– Tre sita?!

– Po, – vazhdoi Sokrati. – Para se të tregosh gjithçka për të tjerët, është mirë të marrësh kohë për të qartësuar/situr atë që dëshiron të thuash.Këtë e quaj test të tre sitave. Sita e parë është e vërteta.

A ke kontrolluar nëse ajo që më thua është e vërtetë?

– Jo … sapo kam dëgjuar për këtë …

– Shumë mirë. Pra, nuk e din nëse është e vërtetë. Ne vazhdojmë me sitën e dytë, atë të mirësisë. Çfarë don të më tregosh për mikun tim, a është diçka e mirë?

– Ah jo! Përkundrazi

– Pra, – vazhdoi Sokrati, – don të më tregosh gjëra të këqija për të dhe nuk je i sigurt se a janë të vërteta. Ndoshta ti ende mund ta kalosh testin, mbetet sita e tretë, ajo e shërbimeve. A është e dobishme që unë e di se çfarë mund të ketë bërë e thënë ky mik për mua?

– Jo, me të vërtetë jo.

– Pra, – përfundoi Sokrati, – ajo që ti don të më thuash është; as e vërtetë, as e mirë dhe as e dobishme; pse dëshiron të ma thuash?

“Nëse secili prej nesh mund të meditojë dhe të praktikojë këtë provë të vogël … ndoshta bota do të ishte më mirë”.