Miku im, bija juaj, ajo që erdhi ti japë një kuptim të ri jetës, qoftë shpërblyer nga dashuria dhe mirësia

Gëzuar ditëlindjen e bijës suaj, miku im.

Mili Xhani, Zoti, ai vullnet i lartë që ju shpërbleu me princeshën tuaj, e cila sot bën një vjeç, qoftë aq bujar sa ta bekojë atë me një jetë të gjatë e fat të begatë, dhe juve me sfidën ngadhënjyese të prindërimit, një luftë e gjatë dhe një përpjekje e pambarimtë si sprovë e qëndresës përballë asaj që na bën më të fortë dhe na jep gjithnjë çfarë meritojmë.

Bija juaj, ajo që erdhi ti japë një kuptim të ri jetës suaj, ajo që erdhi të mbush me gëzim dhe motivim, qoftë shpërblyer nga ajo dashuri që mirësia juaj di ta gatuaj me përkushtimin e një babai model, një babai, i cili me gjithë angazhimet orëshumëta në punë, ka ditur ta vlerësojë si një sfidë rolin e prindit dhe si një obligim sakrifikues angazhimin e babait.

Mik im i mirë dhe koleg i përkushtuar deri në caqet e vetëmohimit, puna na ka lidhur si në një familje dhe ashtu na ka mbajtur çdo çast të angazhimeve tona. Jetojmë çdo ditë me hallet dhe dertet e njëri-tjetrit. Përfshihemi si në hidhërime ashtu edhe në gëzime, për ta pranuar këtë familje të madhe si një adhurim. Ndajmë me njëri-tjetrin çfarë është e shtrenjtë dhe e shenjtë për ne, dhe e ngremë në altarin e njerëzores sinqeritetin dhe dashamirësinë, përkushtimin dhe përfshirjen në gjithçka që tek ne është motivim. Në gjithë këtë sprovë ke qenë dhe ke ditur të mbetesh një koleg i mirë dhe një mik i vlertë dhe kjo është dhurata më e madhe që bija juaj do të gëzojë, vlerësimi më i lartë që shpirti juaj do të marrë si shpërblim.

Një baba i mirë si ju, i dashur dhe sakrifikues, do të arrijë të kultivojë në zemrën e bijës së vet, asaj fatlume që sot bën një vjeç; një bijë ëndërrimtare, një motër vullnetmirë, një bashkëshorte dinjitoze dhe fisnike, një nënë të dashur dhe të përkushtuar, një mike dhe një kolege që do të arrijë të komunikojë përmes artit të dashurisë dhe të sfidojë botën, me duart e bekuara të besimit dhe mirësisë, asaj që është gjithçka tek ti.

Bija juaj, ashtu si të gjithë fëmijët, kanë ardhur në jetët tona, jo vetëm për t’i dhënë një dimension të ri jetës, për të parë dhe kumtuar botën në një optikë ndryshe, por të provuar dhe për t’u vetëdijesuar për sakrificat e mëdha, që bënë prindërit tanë me ne, për të na rritur, shkolluar dhe prindëruar. Vetëm në këtë cak ne kuptojmë se me çfarë çmimi e vlerësuan ata gëzimin e tyre dhe me çfarë kostoje e paguan, që ne të mbërrijmë deri te caku i mirënjohjes, këtë mirënjohje që arrijmë ta kuptojmë në tërësoren e saj, sot, sot kur jemi prindër si ata.

Të qarat e para të bijës suaj, hapat fillues të rrugëtimit të saj në jetë, më shumë se vlerë sakrifice, do të jenë sfidë e një babai që bija do ta ketë heroin e saj, dhe dashuria për ju do të jetë përgjithmonë një altar besimi në shpërblimin e lartë.

Bekuar qoftë ajo mirësi e lartësuar në dashuri, miku im, ajo me të cilën bija juaj është shpërblyer dhe do t’i jetë mirënjohës. Përkushtimi dhe përkujdesja që ju i jepni me gjithë forcën e shpirtit, i ka dhuruar botës një vajzë, ka mrekulluar familjen dhe zemrën tuaj me një dhuratë.

Bija juaj u bëftë jetëgjatë e fatbardhë, shpirtdritur e zemërplot.

Miqësisht, Albert Vataj