Albert Vataj: Ka shumë gjëra më të cilat ia vlen të mburresh, për ato me të cilat ti je krenar, të bëjnë edhe të lumtur

Veç fotografisë që më bëri im bir Justiniani, gjithçka tjetër e të çdoditshmes në shtëpinë time është si në këtë foto, e njëjtë, shprehëse, ndijuese, përfshirëse, e dashur dhe e ngrohtë… si në shtëpi, e ku tjetër.

Biblioteka është në vendin më të privilegjuar, sepse asaj i dedikohet çdo mirësi të dritshme, me të cilën shihemi, prej saj na është mëkuar çdo begati e shpirtshme, së cilës i përulemi deri në lartësimin e forcës në besim.

Biblioteka qëndron aty në heshtjen e saj të zëshme dhe shpërfaqet me panoramën e saj dehëse. Ajo është gjithçka që është me ne; që nga lutjet, tek falenderimet, që nga përkushtimi deri tek mirënjohjet, që nga shkujdesjet deri te heshtja meditative… ajo është aty. E shohim kur ndahemi me ditën dhe na pret kur takohemi me të sotmen.

Ajo është e përbërë nga… libra, libra, libra, blloqe, shënime. Është e dalë nga pema dhe frymëmerr si një pyll nën rënkimin e sëpatave dhe shtërzimin e shndërrimeve; blatimit në letër dhe frymë, në shpirt dhe përfytyrime; në dhimbje dhe prushëti yjesh. Sa e sa net e jetë kredhur e mbrujtur në pafundësi, janë derdhur në plumb e aromën e luleve, që dalldisja i ka përjetësuar në fjalë, sa e sa përjetësi ka ç’varrosur përfytyrimi dhe jetësuar pasioni, sa e sa kohëra janë derdhur prej qiejve në sytë e përshkënditur në diej e pena ngjyer në gjak e rrufe. Sa? Sa ka frymuar, e do të mbretërojë e bukura e shpirtit dhe e hyjshmja e besimit mbi faqe të dheut. Sa të ketë prehje e epje për çdo ngulm e vrull të njeriut për të pasuruar me ndjenjë e përjetim çdo rrahje të zemërës së tokës në këtë udhëtim të gjëmimshëm të galaksisë drejt të gjithmonshmes.

Ato janë aty, atje, gjithkund ku ka zemër e mendje, ku ka nevojë e ëndërr. Janë prej letre dhe prej heshtje, janë prej gjithçkaje që i dha kuptim jetës në këtë pëshpëritje yjësie. Ato erdhën me dehjen e arsyes dhe ikja i pret në një skaj të errët të kaosit. Ato e përkundën fëmijërinë tonë dhe zjarre u mëkoi gjiri i tokës. U ngjitën në tempull dhe zbritën në ofshamë, dhe… zunë vend thellë brenda nesh. Ato dalën nga mendimi dhe zemra e njerëzve që toka i struk, e qielli na i derdh me çdo rreze drite që shihet, dhe mahnit gjërat që na rrethojnë, gjendjet që na bëjmë të ndjejmë botën që pulson dhe veten që frymëmerr ne gjoksin e një çasti që është vetë përjetësia.

Ka shumë gjëra më të cilat ia vlen të mburresh, por për ato me të cilat ti je krenar, të bëjnë edhe të lumtur, janë vetë shenjtëria e jetës sonë. Sepse janë gjëra, me të cilën jemi shpërblyer dhe i mbetemi përulësisht mirënjohës. Ato nuk janë të përkohshme, janë gjithçka që tek ne, kanë zënë një vend të privilegjuar, për meritën që kanë mëvetësuar në gjithçka që ne jemi dhe gjithëçfarë ne kemi… ajo është besimi te mirësia dhe drita, te ato gjëra prej letre dhe shpirti, që vijnë dhe mbetet në jetën tonë jo vetëm si një bibliotekë, por si një altar.

Faleminderit!

Albert Vataj