Xhakomo Kazanova, lavdia dehëse e kryemjeshtrit të mashtrimit dhe shpërbërja e trishtë e mitit të epshit

Nga Albert Vataj

“Jetova si një filozof dhe po vdes si një i krishter”, këto ishin fjalët që shqiptoi në shtratin e vdekjes, sot 221 vite më parë më 4 Qershor 1798 , Xhakomo Kazanova, (Giacomo Giralomo Casanova). Ai lindi më 2 prill 1725 në Venecia, i pari i 6 fëmijëve të prindërve të tij, aktorja Zanetta Farussi dhe aktorit aktorit dhe balerin Gaetano Giuseppe Casanova.
Vitet e fundit të jetës ishin më të trishtat për njeriun e llamburitjeve vërbuese të hoveve të pasionit. U dëbua nga Edeni si një Adam. U shporr si një i pavlerë. Me shqelma e përzunë nga krevatet ku fërgëllenin kurme të epshme dhe ku ai ndërtoi me devocionin e një apostulli besimin e tij tek seksi. Me vite mbi supe, me pamundësi për sprova të tjera, me një grumbull mishi dhe kockash që i hiqte zvarrë në ditët që i kishin mbetur, ai ishte gati të kthente gjithçka që kishte marrë në këmbin të pak ditëve të dëshiruara.
As pendimi, as dhimbjet që e përcëlluan me zjarr verri në ditët e mbrame, as përgjërimet jargavitëse, as vullnesa për të bërë fli yllin e vet të famës, nuk e mëshiruan shenjtorin heretik të kultit të mishit dhe epshit në ditët kur ai e gjeti veten si i dëbuar. Vdekja po i vinte si një kapak i florinjtë për mjeshtrin e poshtërsisë, për kusarin e paskrupullt të nënfustaneve, për mendjen djallëzore të një predikuesi.
Me çfarë nuk i mbishi 73 vitet e jetës së tij ky personazh i jashtëzakonshëm. Ai ishte fiilozof, prift, ushtarak, spiun, kumarxhi, diplomat, bibliotekar, shkrimtar, udhëtar, aventurier, por gjeneratat dhe vetë historia do ta mbajnë mend si dashnori emblematik, si kremtimin e pashoq të një mashkulli që do të flijonte 40 vite të jetës së tij në krevatet e epsheve.
“Dashuria është një ndjenjë që nuk mund të shpjegohet! Është Zoti i të gjithë natyrës! Është një ndjenjë e hidhur dhe e ëmbël njëkohësisht! Dashuria! Një përbindësh i bukur që është e pamundur ta kuptojmë! Zot, që në mes të gjithë gjembave që na shpojnë e na shkaktojnë dhembje, ti shtron kaq shumë trëndafila në rrugën ku ecim, dhe pa të cilën ekzistenca dhe vdekja nuk do të kishin më dallime e do të ishin një!” do të thoshte ai
Asokohe ishte periudha e humanizmit evropian si dhe periudha e ngjizjes së ngjarjeve të mëdha, siç ishte Revolucioni Borgjez Francez, në të cilën edhe Giacomo Giralomo Casanova (Kazanova) me rrethin e tij, si një frimason i lozhave të Lionit dhe si një rosikrucian, kishte dhënë padyshim kontributin e vet, së bashku me njerëzit e shquar të letrave dhe miqtë e tij frimasonë si B. Franklin, alkimistë e shkrimtarë të shquar si Count de Saint, Germain, Volterin, d’Alembertin dhe Jean Jacque Rousseau.
Kazanova ka qenë gjithashtu mik me Gëten dhe Mozartin. Ai ka takuar Xhorxhin III të Anglisë, Luigjin XV, Frederikun e Madh të Prusisë, Katerinën e Madhe të Rusisë, Papa Klementin XIII si dhe ishte anëtar i Urdhrit Papal “Èperon d’or”. Gjatë Luftës 7-vjeçare kundër Prusisë, Kazanova përfitoi shuma të mëdha financiare nga disa veprime me tregun e Bursës në Amsterdam, e si pasojë hapi një fabrikë tekstili.
Femrat që punonin në këtë fabrikë tekstili ishin si një harem për Kazanovën, deri sa ai falimentoi dhe u shkatërrua nga borxhet. Vitet e fundit të jetës, Kazanova i kaloi në Bohemi (Çeki) si një bibliotekar në shtëpinë Ëaldstein, ku ndërroi edhe jetë më 1798 në moshën 73 vjeçare, një vit pasi ishte prishur Republika e Venecies nga Napoleoni. Pikërisht, për shkak të mërzisë në tre vitet e fundit në Bohemi, Kazanova filloi të shkruante “Kujtimet”, këtë margaritar të rrallë në periudhën e humanizmit.
Ky ishte Kazanova. Historia e jashtëzakonshme e jetës së një prej figurave më të përfolura të historisë së Europës së shek. XVIII