Vjena kryeqyteti i valsit, gërshetim epokash e stilesh nga të gjitha kohërat.. dhe shqiptarët

Çfarë mrekullie, çfarë pasurie! Performanca e shkollës spanjolle në rrugët e qytetit kalon përmes Hofburgut vjenez – një mrekulli arkitekturore nga Fisher fon Erlah, pallati i ndërtuar në vitin 1730, brenda të cilit janë vendosur galeri luksoze të ndriçuara me llambadarë të fuqishëm. Vendasit shprehen se “ Nëse ti vështron lëvizjen e njerëzve në rrugë dhe vëren një numër të madh kuajsh dhe karrocash për transport, atëherë ju ndodheni në Vjenë.”

Vjena është qyteti më marramendës në Evropë, sepse duke u rrotulluar në muzikën e valseve mund të harrosh gjithçka. Art i lartë, opereta, simfonitë e Bethovenit, fatkeqësia e Perandoreshës Sisi, parku Prater – në finale Vjena mbetet Vjenë. Qytet me një sharm fisnik, me 50 % të sipërfaqes me gjelbërim , ka etje për të qenë i kuptueshëm prej të tjerëve, gjë që fatkeqësisht nuk e ka arritur askush deri tani.

Vjena është e bukur në cilëndo stinë të vitit që të vizitohet. E bukur është edhe në stinën e dimrit. Syri i vizitorit mahnitet nga bukuritë e këtij qyteti sepse ngado që ta kthesh kokën aty sheh diçka të bukur dhe interesante. Gërshetim kulturash, gërshetim epokash, gërshetim të stileve të ndryshme dhe shumëçka tjetër takon në Vjenë.

Ky qytet është i njohur për kulturën klasike, sidomos me Koncertin e Vjenës që mbahet në çdo fillim viti, ku biletat hyrëse me një çmim jo të lirë shiten prej para një viti, por edhe me Valsin e Vjenës që mbahet çdo vit. Ky qytet për kulturën dhe historinë shqiptare ka bërë shumë, origjinali i përkrenares dhe shpatës së kryetrimit shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut gjendet në një nga muzetë e shumta të këtij qyteti.

Edhe aktori i madh shqiptar Aleksandër Moisiu shkeli në dërrasat e shumë teatrove që me interpretimin e tij brilant në atë kohë mahniti të gjithë ata që patën rastin ta shikojnë.

Pothuajse asnjë qytet tjetër nuk të ofron mundësinë që në një hapësirë të ngushtë të organizohen aktivitete të shumta kulturore, artistike e sportive si këtu. Qyteti i Vjenës ka një numër të madh muzesh, mbi 100 sojesh, me famë ndërkombëtare.

Vjena është një metropol historik, kulturor dhe arkitektonik, ku gërshetohen shumë epoka, duke filluar nga antika e lashtë e deri në kohën më të re. Numër i madh i objekteve me vlera arkitektonike, arkeologjike dhe artistike, pozita e përshtatshme gjeografike, tregojnë për vlerat historike e kulturore.

Monumentet janë dëshmi e historisë, ata ruajnë e dokumentojnë identitetin e qytetit.

Katedralja e Shën Stefanit është simbol i qytetit të Vjenës, si një nga objektet më të rëndësishme për gotikët austriakë ku ndodhen punime të shumta e të çmueshme austriake Kjo katedrale është në mbrojtje të konventës së UNESKO-s si monument i rëndësishëm.

Pallati mbretëror bukuri dhe aristokraci e dekorit

 Historia e Vjenës nis në vitin 1156 , kur austriakët e kthyer nga lufta me Francën, ndërtuan këtu një rezidencë të Valter fon Fogelvejd e cila u bë qendra e takimeve të këshillimit. Me përçarjen e Dinastisë së Babenbergëve më 1246, pushteti mbeti në duart e Habsburgëve, të cilët themeluan një qeveri të re, të fortë e të madhe në brigjet e Danubit si dhe një bastion të fuqishëm për mbrojtjen nga turqit. Habsburgët dolën nga skena në vitin 1918 kur Austria u bë Republikë.

Pallati Schönbrunn në Vjenë është një nga destinacionet turistike më të njohura në Austri, dhe me të drejtë, në qoftë se dhomat e dekoruara bukur në pallat nuk janë të mjaftueshme për të nxitur një vizitë, vizitorët do të joshen me lehtësi nga kopshtet e bukura ku shquhen edhe labirintet e mrekullueshme në formë gardhi.

Vendi i Pallatit Schönbrunn fillimisht ka shërbyer si një vend gjuetie për familjen perandorake austriake. Një rezidencë ishte ngritur nga familja në 1548, dhe kjo rezidencë është transformuar përfundimisht në një pallat nga Eleonore Gonzaga, e veja e Ferdinandit të II-të, dhe një anëtar i shquar i Dhomës së Habsburgëve.

Pallati Schönbrunn është rimodeluar disa herë, sipas tekave të pronarëve të saj të ndryshëm. Është përdorur nga familjarët si një shtëpi vere, por perandori Franz Josef ka kaluar shumicën e jetës së tij atje dhe vdiq aty në vitin 1916. Rrëzimi i monarkisë në 1918, mundësoi që ky pallat të posedohet dhe të ruhet mirë si një Pallat muze dhe tani është një trashëgimi botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Një nga karakteristikat më të dukshme të Schönbrunn është ngjyra e saj unike, ” Pranverë e bukur” me një ngjyrë të verdhë të gëzueshme, që është quajtur ” Schönbrunn Yellow”.

Në një ambient tepër të gjerë sa shtrihet ky pallat mbretëror me zbukurime e dekorime të kohës, gjendet edhe kopshti zoologjik më i vjetër në botë, i themeluar në vitin 1752.

Vjena të mahnit me bukuri, por edhe të ofron një kënaqësi të veçantë që ndoshta nuk e gjen dhe nuk e takon në metropolet tjera evropiane.

Vjena dhe shqiptarët gjatë historisë

Vjena, kryeqyteti i Austrisë, luajti një rol me rëndësi në kulturën e shumë popujve që ishin në përbërjen e monarkisë Austriake, por edhe të popujve të tjerë të kontinentit. Shqiptarët, si popull i vogël, por me kulturë të lashtë, ishin gjithnjë pikë interesimi e shumë shkencëtarëve evropianë, ku dallohen në veçanti ata nga hapësira gjermano- folëse. Këtu duhet përmendur dokumenti i vjetër me fjalë të shkruara nga shqipja, fjalori i gjermanit Arnold Von Harfit para pesë shekujsh, i cili merret si njëri nga burimet e vjetra të gjuhës shqipe.

Vjena duke qenë si qendër e kulturës dhe politikës evropiane, edhe shqiptarët ishin të interesuar për shkollim në universitetet austriake e veçanërisht në UN-Vjenës, si njëri nga më të njohurit jo vetëm në Evropë.

Ndjenja e miqësisë e shprehur nga vendasit ndaj kulturës e historisë shqiptare bëri që Vjena të jetë një qendër me peshë në historinë tonë dikur dhe në historinë tonë më të re.

Emra të njohur të shkencës kanë ndihmuar edhe në shumë fusha hulumtuese rreth gjuhës, kulturës dhe etnisë shqiptare.

Njëri nga këta, pa dyshim, është Norbert Jockli, albanolog dhe Franz Nopca, ndër të parët themeltarë të albanologjisë si shkencë. Veprimtari i njohur Dr. Gjergj Pekmezi me iniciativën e tij në Institutin e Orientalistikës së Vjenës hapi katedrën e gjuhës shqipe (viti 1903) njëra nga të parat në Europë dhe në botë, ku do studiohej gjuha shqipe. Ai ishte edhe nga të parët ligjërues të gjuhës shqipe në UN-e Vjenës deri në vitin 1938.

Në dhjetëvjetëshit e parë të shekullit të kaluar në Vjenë studionin e vepronin shumë intelektualë shqiptarë ndër ta figura të njohura të kulturës e shkencës shqiptare.

Në atë kohë ata ishin të organizuar kryesisht në shoqërinë “Albania”. Emra që kanë lënë gjurmë në historinë tonë si: Eqrem Çabej, Hil Mosi, Lasgush Poradeci, Aleks Buda, Aleksander Moisiu, Nush Bushati, Fuad Asllani, Jani Basho, Raku Buda, Remzi Baçe, Safet Butka, Gjovalin Gjadri, Kristë Maloki e shumë të tjerë.

“Albania” e Vjenës krahas shoqërive simotra nga Bukureshti, Stambolli, Bostoni, Kajro etj. do të ketë një rol historik në formësimin e kombit shqiptar dhe aspiratave kombëtare. Kjo shoqëri studentore mblidhte rreth vetes studentët shqiptarë ( rreth tridhjetë), por edhe atdhetarët e miqtë tjerë në aktivitetet me rëndësi kombëtare.

Dy vjet pas formimit të shoqërisë studentore “Albania” , në mars të vitit 1920, kjo merr vendim për nxjerrjen e revistës së saj “Djalëria”, numri i parë i së cilës e sheh dritën në prill të po atij viti. Tani e më shumë se nëntëdhjetë vjet më parë, kjo revistë përhapi dije, informata nga kultura, nga jeta e studentëve në Vjenë, pjesë letrare, ide të zhvillimit ekonomik sipas modelit të zhvilluar të shteteve evropiane

Pa dyshim revista “Djalëria” u bë tribunë e botimeve të studiuesve shqiptarë, por edhe e të tjerëve. Pas gati një shekulli, kur në kohën e lindjes së revistës së ,”Djalërisë” studionin në Vjenë disa dhjetëra studentë shqiptarë, tani numri i tyre është diku rreth 700 student në të gjitha drejtimet.

Shpata dhe përkrenarja origjinale e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, janë në Vjenë dhe ende nuk mund të ekspozohen në muzeun Historik të Tiranës. Është e vështirë që një gjë e tillë edhe të ndodhi pasi nuk është e lejuar nga drejtuesit e muzeut të Artit të Historisë në Austri, ku janë armët origjinale të Skënderbeut. Këto pjesë origjinale të kryetrimit tonë qëndrojnë këtu prej më shumë se 300 vjetësh.

Aleksandër Moisiu, (2 prill 1879 – 22 mars 1935) vdes në moshën 56-vjeçare prej sëmundjes së rëndë të tuberkulozit. I magjishmi i skenës, që fitoi zemrat e publikut me rolet e interpretuara i patën pikërisht këtu fillesat e para, në teatrot e Vjenës të asaj kohe. Shqiptar, qytetar i botës, ky ishte Moisiu, që korrte suksese njëra pas tjetrës në skena të mëdha botërore. Në atë kohë ishin vite të artistëve të mëdhenj.

Talenti, mënyra e të jetuarit, skandalet, dashuritë, xhelozitë, i bashkonin të gjithë, megjithatë Moisiu konsiderohej më i madhi. Interpretim i paarritshëm, një mimikë që fliste më shumë se fjalët, sy të thellë sa një oqean dhe një zë. Ai është Aleksandri i madh i Shqipërisë, pushtuesi i skenave të botës.

Ishte ai që theu rregullat e ngurta të teatrit dhe interpretoi në mënyrën më të mirë të mundshme veprat e emrave të njohur të letërsisë botërore.

Këtu duhet theksuar edhe botimin e disa numrave të revistës Universitas, si organ i Shoqërisë së Studentëve nga Maqedonia në Vjenë për disa vite me radhë.

Në këtë qytet janë të vendosur edhe një numër i madh i mërgimtarëve shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare që janë integruar në sistemin e jetës së këtij qyteti paralelisht me kohën.