Në Natën e Kadrit, Shpërblyer qofsh për çdo lutje dhe falenderues për begatinë e asaj bujarie

NJE URIM PËR MIKUN TIM MYSLIMAN, Indrit Isufi
PËR SONTE, NATËN E KADRIT

Sonte, në Natën e Kadrit, qofsh pjesë e mëshirës së Tij të pakufishme, miku im. Sakrifica tu pranoftë! Shpërblyer qofsh për çdo lutje dhe falenderues për begatinë e asaj bujarie që vjen të të mëkojë shpirtin e madh përmes dritës!
Besimi dhe gjithçka që Ai vjen të të porosit, qoftë një vullnet i lartë që zbret në ty, si një mirënjohje dhe pranim i gjithë atyre sakrificave dhe veprës së mirë e devocionit të pastër që shpirti yt ka blatuar.
Qofsh i përzgjedhur mes të përzgjedhurve që këtë Natë, të shohësh me sytë e shpirtit tënd të dlirë, të pranofsh me zemrën tënde të dritshme atë çfarë Ai ka urdhëruar për ty dhe gjithë çfarë ke të shtrenjtë e të shenjtë në izmin e dashurisë dhe përkushtimit tënd në besim dhe mirësi.
Dashtë ai vullnet i lartë që na ka bashkuar në një strehë, na mban në një prehër e na ushqen nga dora e Tij, që edhe ju miku im, të jeni të bekuarit e asaj drite që zbret për të mëkuar gjithçka që në ty shkëlqen. U pranoftë sakrifica jote dhe besimi të shpërbleftë me mirënjohjen e bujarisë së asaj begatie që është porosi për ty dhe meritë për veprën tënde të besimit të dlirë.

Çfarë di unë për “Natën e Kadrit”
Nata e Kadrit, e njohur ndryshe si Nata e Dekretit, Nata e vlerës, Nata e Fatit, apo Nata e masave, është në besimin islam, si nata kur ajetet e para të Kuranit u shpallën profetit Muhammed. Është një nga netët e dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit. Myslimanët besojnë se në këtë natë bekimet dhe mëshira e Perëndisë janë të bollshme, mëkatet falen, lutjet pranohen dhe dekreti vjetor u zbulohet engjëjve që zbresin në tokë, veçanërisht engjëlli Gabriel, i quajtur “Shpirti”, që vjen për të përmbushur detyrim të dekretuar nga Perëndia.
Islami Sunni pohon se Perëndia i përgjigjet vetëm përgjërimeve të njerëzimit dhe se vetëm Ai i pranon ato dhe i fal njerëzit dhe u jep atyre atë që kërkojnë dhe se në këtë natë të veçantë, muslimanët duhet të kërkojnë në mënyrë aktive faljen e Zotit dhe të angazhohen në akte të ndryshme të adhurimit.
Kurani ka një sure të veçantë e cila mban këtë emër dhe përshkruan me hollësi veçoritë e saj.
“Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit. Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E çka di ti se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë Natë, duke sjellë dekretin Hyjnor lidhur me çdo çështje. (Pas zbritjes së tyre) ka paqe deri në lindjen e agimit”.
Kur besimtari mundohet të përmbushë detyrën e tij ndaj Zotit me të gjitha aftësitë që posedon, u bindet porosive të Tij, dhe kalon muajin Ramazan në adhurim, lutje, reflektim mbi Kuran dhe në veprat që e shpien drejt Zotit, atëherë si shpërblim i jepet Nata e Kadrit. Zoti zbret nga Arshi dhe vjen pranë robit të Tij, e përmes mëshirës së Tij të pakufishme, e shpëton nga papastërtia dhe i plotëson çdo lutje.”
Hazret Kalifi IV i Xhematit Musliman Ahmedia r.a. ka porositur
“Gjunjëzohuni para Zotit me përulësi dhe lutuni që Ai të ketë dhembshuri ndaj jush e të ndieni ngrohtësinë e dashurisë në dorën e Tij. Lutuni që Zoti me anë të mëshirës së Tij, të falë mëkatet tona, të harrojë shkujdesjen tonë dhe të mbulojë dobësitë tona, edhe pse nuk jemi të denjë për këtë…
Pra, drejtohuni Allahut për çdo nevojë, dhe mos shikoni nga njerëzit që t’ju plotësojnë kërkesat. Mos i shqetësoni të tjerët. Keni për detyrë t’i jepni fund çdo pështjellimi dhe të largoni dhimbjen e tyre. Kërkoni çdo gjë prej Zotit, dhe atë që fitoni prej Tij, shpërndajeni mes njerëzve. Në këtë mënyrë, ata që ende nuk janë interesuar për Islamin, do të shohin shkëlqimin e këtij revolucioni të bukur. Allahu e mundësoftë Xhematin Ahmedia për të vepruar kështu!” Amin!”

Mos paça gabuar në ato që shkrova, edhe nëse, do të jem i falur.
Faleminderit, Albert Vataj