Michelangelo Buonarroti një nxënës i përkushtuar në kopështin neoplatonik gjatë ngjizjes filluese të gjeniut

Me shumë gjasa Michelangelo-ja nuk e mbaroi tre-vjeçarin formues në punishte, duke gjykuar nga të dhënat e turbullta të biografisë së Condivi-t. Ndoshta u tall me mësuesin e vetë, duke zëvendësuar një vizatim nga dora e Domenico-s, që duhej ta ribënte si ushtrim, me kopjen e tij, pa e kuptuar dot Ghirlandaio-ja diferencën, “me një shok të tijin duke e vënë në lojë”.

Sido që të jetë, duket se nën sugjerimin e një tjetër çiraku, Francesco Granacci-t, Michelangelo-ja nisi të frekuentonte kopështin e Shën Markut, një lloj akademie artistike e mbështetur financiarisht nga Lorenzo-ja i Mrekullueshëm në një pronë të tijën në lagjen mediçease të Firenze-s. Këtu gjendej një pjesë e koleksioneve të mëdha të skulpturave antike, që talentet e reja, të paduruar për tu përmirësuar në artin e skalitjes, mund të kopjonin, të mbikqyrur dhe ndihmuar nga skulptori i vjetër Bertoldo di Giovanni, nxënës i drejtpërdrejtë i Donatello-s. Biografët e kohës e përshkruajnë kopështin si një qendër të vërtetë të formimit të lartë, ndoshta duke ekzagjeruar pak realitetin e përditshëm, por është e pamohueshme se përvoja pati një ndikim thelbësor mbi të riun Michelangelo.

Midis rrëfenjave të ndryshme të lidhura me aktivitetin e kopështit në literaturën mikelanxholeske është e famshme ajo e Kokës së faunit, një kopje e humbur në mermer nga një vepër antike. E parë nga i Mrekullueshmi gjatë një vizite në kopësht, kritikohet dashamirësisht për përsosmërinë e dhëmbëve që dalloheshin në gojën e hapur, e pamundur në një figurë të moshuar. Por para se zotëria të mbaronte shëtitjen në kopësht, Buonarroti mori daltën dhe çekiçin për të gërvishtur një dhëmb dhe çpuar një tjetër, duke shkaktuar befasimin admirues të Lorenzo-s. Duket se pas episodit vetë Lorenzo-ja kërkoi lejen e Ludovico Buonarroti-t për ta strehuar djaloshin në pallatin e “via Larga-s”, rezidencë e familjes së tij. Burimet flasin përsëri për një rezistencë atërore, por nevojat e rënda ekonomike të familjes do të luanin një rol përcaktues, në fakt në fund Ludovico-ja lëshoi pe në këmbim të një vendi pune në doganë, duke marr tetë skude në muaj.

Afër 1490-it artisti i ri u prit si bir i adoptuar në familjen më të rëndësishme të qytetit. Pati kështu mundësinë për të njohur drejtpërdrejt personalitetet e kohës, si Poliziano-n, Marsilio Ficino-n dhe Pico della Mirandola-n, që e bënë pjesmarrës, në njëfarë mase, të doktrinës neoplatonike dhe dashurisë për rievokimin e antikitetit. Njohu veç të tjerave edhe pinjollët e rinj të shtëpise Medici, pak a shumë bashkëmoshatar, që në vitet pasardhës do të bëheshin ndër porositësit e tij kryesor: Piero, Giovanni, më vonë papa Leoni i X, dhe Giulio, papa Klementi i VII në të ardhmen.

Një tjetër fakt i lidhur me ata vite është zënka me Pietro Torrigiano-n, skulptori i ardhshëm me nivel të mirë, i njohur mbi të gjitha për udhëtimin e tij në Spanjë ku shpuri mënyrat rilindase. Pietro-ja ishte i njohur për bukurinë dhe ambicien, të paktën sa ajo e Michelangelo-s. Midis të dyve nuk kish marrdhënie të mira dhe me të hyrë në mosmarrëveshje, gjatë një soditjeje në kishëzën Brancacci, përfunduan duke u zënë; ku ai që e pësoi ishte Michelangelo-ja, që mori një grusht në fytyrë, duke thyer hundën dhe njollosur përgjithëmonë portretin.