Kisha e Shirgjit, në mëshirë të Bunës dhe në qëndresën e paepur të besimit

Kushedi sa herë janë përcjellë njerëz në këtë vend. Do të thotë janë varrosur dhe mbi varrosur. E megjithatë, sot, këtu në breg të Bunës, lulëzojnë emra të rinj të vdekurish, që i kanë fshirë krejt ata të dikurshmit. Në vend të bujarëve dhe princave sllavë, tashmë prehen fshatarët lokalë në ritualet e tyre funebre, në një varrezë aspak të mbajtur ndanë kishës së Shirgjit. Fragmenti i mbetur i saj është më i fundmit kujtim shkëlqimi i ndërtimtarisë që provon një memorie krejt të zhdukur. Buna po e merr pak e nga pak edhe atë, ndërsa fshatarët e kanë të pamundur ta mbajnë…

Ka dy udhë për të shkuar deri më aty, por më e mira është të shkosh në kthesën e Bushatit dhe pastaj t’i futesh tutje udhës drejt e në jug drejt Detit. Befas, të kthehesh dhe të marrësh pandalim një rruge jo aq të mirë për të gjetur sërish një kthesë gati 90°. Kuptohet, duke pyetur. Mungojnë tabelat dhe për të shkuar në fragmentin e vetëm të njërës prej kishave më të mëdha dhe me histori të ndritshme të Shqipërisë së Veriut, të duhet pak udhë. Kjo është e asfaltuar, por vende-vende krejt e dëmtuar. Gjithsesi, në fund fare, kur afrohesh të duhet t’i ngjitesh një argjinature që lejon vetëm kalimin e një makine dhe të shkosh edhe pak minuta më tej. Peizazhi është i rregulluar, kurse zotësinë e fshatarëve të zonës e sheh nga tokat e punuara dhe mirëqenia, të cilën ata ia atribuojnë sistemit por edhe emigracionit. Ajo që kujtoj nga një udhëtim i 15 viteve të shkuar është ngatërrimi i kohës dhe i hapësirës prej tyre. Ndodh njësoj në këtë fushë të madhe mbathur nga Buna, gati 2 orë prej kryeqytetit. “Po. Ja dhe një kilometër!” “Ja edhe pesëqind metra!” Por udha zgjat e zgjat pafund. Dhe, ndonjë i ri konfuz. Ku është kisha e Shirgjit? “Jo se kam digju…!!!”.Oh.

Gati dhjetë vjet më parë, ministria e kulturës së asaj kohe shoqëruar me drejtorin e ndjerë të Monumenteve Gazmend Muka merrnin udhën të përuronin një argjinaturë, që do të mbronte kishën e Shirgjit. Dhe, ajo rezulton puna e fundit e mirë këtu. Në të njëjtën kohë, kisha malazeze dhe kolegët sllavë të monumenteve, në mos gabojmë kërkonin bashkëpunim për ta restauruar. S’u bë asnjëherë. Që atëherë kanë rrjedhur kohëra. Kisha, në fakt, fragmenti i mbetur është përmbytur dy herë vitet e fundit, kur e gjithë zona iu nënshtrua ujit. Faji? Kush s’është në pushtet shan, atë që është në pushtet dhe anasjelltas. Nga ajo që mbaj mënd, në këtë ditë, është se janë shtuar varret e reja, të ndërtuara pasurisht, por që varreza mbetet krejt e pambajtur, pushtuar nga barishte të harlisura. Ndoshta, përmbytjet, dhe kapriçiot e kohës kanë qenë më të egër sesa vetë vullneti i njerëzve. Një fshatar na lë të mbajmë makinën tek shtëpia e vet, kurse ai vjel rrushin, që i është ngjitur pemës së lartë të manit. Nuk zbret, ndërsa e shoqja nga poshtë i jep muhabet që të shtyjnë kohën. Më vjen mirë se nuk zbret dhe për ne. Ritualin e mikpritjes e bën gruaja. Janë vetëm 100 metra larg kishës së Shirgjit. Kanë fëmijët jashtë dhe i gëzohen jetës, këtu. Me ato që u ka dhënë Zoti. Ah, vetëm atëherë kur Buna s’merr kot dhe i përmbyt. Ju ka bërë dëm? “Boll na ka bërë. Punët e Zotit!” Janë të dy fetarë. Zoti kudo për ta.

Kisha

Ndahemi me çiftin që vazhdon punët vjeshtore, kur nga pas pemëve shfaqet Kisha e Shirgjit. Mbaj mënd një roje që më ka treguar një tog me kocka dikur. Tani qetësi. Muri i mbetur i kishës duket se e mbron gjithçka. Është dukshëm me ato pak elementë të mbetur të stilit romaniko-gotik, që evidentohet gjithnjë. Janë mbjellë shumë varre, që kur kam qenë herën e fundit, ku shquajnë statueta të Shën Mërisë mbi varre. Ato i kanë kthyer kurrizin Bunës dhe ndjekin përballë lëvizjen e Diellit. Gurë të vegjël varresh të paidentifikueshëm janë kudo. Pak metra më tutje, buzë lumit peshkatarët kanë shtrirë rrjetat dhe kanë lënë disa rroba të vjetra. S’pitëtin përreth. Kjo është butaforia. Me miqtë e monumenteve, me të cilët kamë ndarë disa nga udhëtimet, më është treguar shumë për Shirgjin. “Deri vonë nga objekti ruheshin faqja perëndimore dhe ajo jugore, një pjesë e murit lindor si dhe 5 pilastra” shkruante specialisti i njohur Aleksander Meksi. Në fakt, ajo që duket është një mur i ndërtuar pastër me gurë dhe tulla dhe 2 harqe të verbra, siç i njohin specialistët. Muri mes të harqeve, referuar specialistëve, është i ndërtuar me 6 radhë gurësh dhe tullash të alternuara. Prej këtij lloj ndërtimi t’veçantë mund të arsyetosh edhe rikonstruksionet e shumta që ka pasur ndër vite Kisha. Diur, ajo mbushej plot të premteve dhe në kohët e nxehta këtu bëheshin ritet e Shëne Premtes. Por, Kisha që është vetëm 20 kilometra nga qyteti më zulmëmadh shqiptar i shekullit të XIX, në bregun e majtë të lumit Buna pranë fshatit Obot, e ka një datë hipotetike që e çon themelimin e saj rreth vitit 1290. Ka kaq emra të nderuar që janë marrë me të, saqë e kupton disi edhe pse preferohej nga ana e princërve shqiptarë dhe malazezë për të kryer ceremonitë e martesave.  Kisha e lashtë dedikuar shenjtërve Sergji dhe Baku në Shirgj të bregut të Bunës pranë Shkodrës, “e Shna Prendes”, përfaqëson sipas specialistëve mbetjen ndoshta më të shquar të arkitekturës mesjetare në Shqipëri. Të kemi parasysh se në Mesjetë, Shirgji pati funksionuar si skela e Shkodrës dhe si doganë. Në vitet ’30 të shekullit të shkuar, me historikun e saj u mor historiani At Marin Sirdani në punimin “Mbretnesha Helena de Francia dhe Kisha e Shna Prendes në Shirq” (“Hylli i Dritës”, II, 1930). Nga ai kemi matjet e reja të kishës, por edhe një përshkrim të hollësishëm me të dhëna të reja të saj, ku ai pati mendjen e hollë të vinte re elementet bizantine në stilin e saj, citojmë studiuesin Ardian Ndreca. I ndjeri Theofan Popa më 1953 ia gjeti gurët me mbishkrime kishës në ujët e Bunës dhe pasi i identifikoi i përcolli në Muzeun e Shkodrës. Mendohet edhe për një kapelë tjetër afër. Popa ishte i mendimit që rindërtimi i bërë prej Uroshit (Milutin) mund të ishte bërë në vendin e ndonjë kapele të vogël paraekzistuese të Shna Prendes, përderisa në popull kisha vijonte të quhej “e Shna Prendes”. Orbini tek historia e tij e Sllavëve dëshmon se në at’ kishë janë varrosë disa princa të Duklës: Mikeli(1100), Vladimiri, Draginja i varrosun me nderime prej Radosllav Ivaniqit rreth vitit 1140, citohet Ndreca sërish. Kurse Ippeni vërente se: në fund të ‘800 e në fillim të ‘900 mbrenda rrënojave të kishës varroseshin të krishtenët e fshatit Shirgj, të cilët tregonin se kur hapnin vorret për të vdekunit e tyne ndeshnin në mozaikun e shtrojës së kishës”.

Dikur

Shkodranët e përdornin për pikniqe dhe shkrimtari Ernest Koliqi, tek rrëfimet e tij citon pikniqet e atëhershëm të rinisë në Shirq. Shmitt-i na rrëfen dhe interpreton dokumente të shumtë të këtij vendi tek Arbëria, që dikur ishte skelë e përmendur. Por, kjo kohë e artë e vendit i la hapësirë heshtjes, pasi mbas viteve ’40, konsiderohej si zonë e ndaluar pasi për pak metra dilje në ish-Jugosllavi. Dërrmën ia dha Lenka Çuko që mbolli grurë i cili nuk pati fatin asnjëherë këtej të kishte rendimentet e premtuara. Por kisha s’luajti. Larg syve të njerëzve dhe rregjimit, armiku më i madh i saj mbeti Buna. Ajo i erdhi anash e anash dhe mbaj mënd se 12 vjet më parë kur shikoja kockat e dalë sheshit, ajo ishte fare pranë. Këtë bëjmë dhe tani, duke shquar vendin dhe një llogaritje sesi kjo kishë arriti të mbante 3000 veta, apo duke kujtuar të dhënat interesante të studiuesit Ardian Ndreca. Hamendësohet ose përshkruhet se në qelën e saj, Pjeter Bogdani s’është habi të ketë radhitur faqe të tëra të “Çetës së Profetëve”, në shekullin e XVII. Pasi “Nga dritarja e Kishës të Shirqit mund të shikosh të tërë fushën e Shkodrës”, shkruante asokohe murgu Bogdan. Kisha sot, të bën të mendosh për madhësinë e saj thjesht prej këtij muri që po qëndron në mënyrë shumë stoike, por që koha nuk do e kursej dhe atë. Më duket e habitshme sesi fshatarët vazhdojnë e i varrosin njerëzit aty. Besëtytni? Po ku ka më mirë sesa të varrosesh këtu!, ma pret një fshatar atypari kur e pyes. Dikur, kur kalonin afër ndaleshin pak, dhe i faleshin Shën Mërisë, por sot që kanë kaluar kohë e kohë pafund, mjaftohen me një ecje dhe përkulje të thjeshtë. “Ata që vinë këtu, më thonë fshatarët, as marrin vesh fare. Më shumë po e prishin. As nuk ka vallë shtei aq fuqi sa me gjet do njerëz tamamit”. Në fakt, harrojnë se

është argjinatura e bërë nga shteti, që po e ruan kishën, edhe pse kemi frikë se kjo do të zgjasë shumë, ose dëshirojmë që të mos ndodhë kështu. Duke ditur në çfarë vendi të varfër jemi, mendojmë që të paktën natyra të na kursejë prej kapriçove të saj. Pasi, vite të shkuara, shtrati merrte me vete eshtra, gurë e tulla, pjesë e mureve të Kishës, pa drojë. Ashtu si edhe rrënojat e saj që në pjesën më të madhe janë rrëmbyer krejt nga lumi. Jemi ende konfuz për format dhe sesi mund të qëndronin ata qindra njerëz këtu. Nga vinin vallë? Ippen do të shkruante me trishtim gati një shekull më parë se: “Mjerisht ky monument i bukur, për shkak të parregullsisë së trishtueshme dhe gjendjes së keqe të sistemit lumor në provincën e Shkodrës, mund të ruhet vetëm për pak kohë. Ujët e lumit përparon paprerë drejt kishës, saqë fasada anësore që sheh andej tani është nën ujë, e rrëzuar në shtratin e lumit. Ekziston rreziku që Buna të shkëpusë nga bregu atë copë toke mbi të cilën ngrihet kisha, duke e shpëlarë më mbas ndërtesën, që do të mbetej si ishull, me vërshimet e njëmbasnjëshme. Në këtë rast zona e Bunës do të humbiste një simbol, i cili nga kurora e drurëve shekullorë që rrethojnë kishën spikat që së largu përmbi fushë”

Kishën e kanë vizituar shumë njerëz. Më 1875, Augustin Theiner-i, Pjetër Bogdani kohë më parë; më 1879 Jireçeku  dhe më mbas Jastrebovi. Arkipeshkvi i Tivarit, Imzot Vinçenc Zmajevici, e ka përshkruar në Relacionin e vet të vitit 1702: me tri nefe të zbukuruara, 24 hapa e gjatë dhe 24 e gjerë, e stolisur e gjitha në mermere të holla dhe e pikturuar a fresco mbas mënyrës së vjetër, por e zbuluar prej turqve që kishin nevojë për tjegulla dhe në rrezik shembjeje në shumë vende, me sakristinë pa çati dhe gjysmë të rrënuar, si dhe me kambanaren të rrëzuar (Bartl: Quellen, 41-42). Kurse Degrand-i, nga ana e tij, e ka lënë të përshkruar në “Kujtime nga Shqipëria e Epërme” (1901, 95-96) : një shtyllëz, një basoreliev (me një shqipe me krahë të hapur përmbi), kupën e ujit të bekuar me stolisje të veçanta, por edhe mbetje pikturash me figura shenjtërish, madje në një pjesë të paprishur të kupolës një figurë të madhe me mjekër të zezë, ndërsa nëpër muret shenjtër tre nga tre”.

Kjo është histori e kishës së mrekullueshme, por edhe rrëfimi i pamundësisë së madhe që Shqipëria ta ruajë këtë monument. Çifti i banorëve po punon dhe burri është sërish majë mani. Është 64 vjeç dhe më qan hallin, kur i them të zbres pak. “Po u ula, si zor me u çu. Merr pak nga rrushi çalik”, më thotë. Në pak minuta, gruaja e tij më ka shpjeguar të gjithë peisazhin e kohës dhe si kanë jetuar me fenë. “Ajo na ka mbajt”, më thonë bashkë. Të njëjtën gjë e miraton i shoqi nga lart. Dielli merr rrugën drejt uljes. Na japin leje të kthejmë makinën në oborrin e shtëpisë. Kisha bëhet e vogël dhe më e vogël. Ikim. Banorët mikpritës mendojnë njësoj se kishën e ruan Zoti dhe askush nuk ka se çfarë t’i bëjë më. Ben Andoni/Vjeshtë 2013.