Kim Mehmeti: Te ne nuk është e turpshme të jesh “trutrashë’, por truptrashë


“Nëpër vendbanimet tona nuk ka librari e biblioteka, por në çdo lagje ka nga një palestër për mirëmbajtjen e trupit, sepse te ne nuk është e turpshme të jesh ‘trutrashë’, por truptrashë: vashat tona nuk e vlerësojnë djalin nëpërmjet asaj që ka në kokë e shpirt, por për nga marka e xhipit që ai grahë!” “Pa dyshim se e keni dëgjuar batutën për babën i cili, kur i biri e pyet se ç’punë bëjnë dhe çka shesin politikanët shqiptarë, të cilët aq shpejtë dhe aq shumë pasurohen, ai i përgjigjet: ata bir shesin më të shtrejtën dhe më të vlefshmen që kemi – atdheun dhe interesat e popullit! Por ky baba është dashur t’ia sqaroj të birit se, nuk duhet pasur zili pasanikët e tillë, ngaqë ata, përjetë do i shoqërojë mallkimin më i rëndë: ai i popullit dhe i lotëve të varfanjakëve!” “Pakënaqësia dhe revolta që nuk shndërrohet në veprim, përfundon ose në vajtim, ose në nënshtrim! Dhe aty ku pakënaqësia mbetet vetëm lotëderdhje dhe vuajtje e heshtur, njeriu ose pajtohet të jetojë me të keqen, ose ndërmerr atë që bëjnë të rinjtë e ‘Shqipërive’ tona: ikin nga hapësirat ku sundojnë vrastarët e shpresës, ku fatin e të ndershmëve e përcaktojnë hajdutët dhe të pafytyrët dhe ku, njerëzit pajtohen që të keqen e sotme, ta krahasojnë me më të keqen e djeshme!” “Sigurisht e keni dëgjuar rrëfimin për dhelprën që ikë nga pylli, ku luani ka vendosur t’i vret të gjithë ujqit dhe e cila, kur i thonë të mos ikë, sepse është dhelpër e jo ujk, është përgjigjur: nuk jam duke ikur nga luani, por nga gomari, të cilin ai e ka shpallur përgjegjës të pyllit dhe përpilues të listës së ujqve! Jam i sigurt se nëse i pyetni të rinjtë shqiptarë pse e braktisin vendlindjen, edhe ata do u jepnin përgjigje të ngjashme: se nuk janë duke i ikur gjithaq varfërisë, por ‘gomarizimit’ të politikave shqiptare!” “Ne jetojmë në kohë kur shumica e të rinjve nuk mbajnë llogari as si vishen, as ku zhvishen! Pra ne e jetojmë epokën kur vlerësohen prapanica dhe gjoksi i cullakosur, e jo koka e mbushur dhe fytyra që dinë të skuqet! Dhe kjo ndodhi shkaku se ne, prindërit e këtyre të rinjve, u zhveshëm nga morali e ndershmëria dhe, fatin e fëmijëve tanë, e lamë në duar të atyre që janë disfata e shqiptarisë!” “Fare nuk lexojmë , e aq shumë flasim dhe shesim mençuri! Sikur të lexonim nga një libër në vit, do vinte dita kur do e kuptonim sa shumë rrëfen heshtja dhe, sa i mençur është ai që di të dëgjojë!” “…Mençuria dhe oratoria nuk vijnë me porosi: i rrënuam standardet vlerësuese dhe u bëmë shoqëri ku njeriu nuk vlen aq sa ka në kokë, por sa ka ne xhep: të gjithë të rinjtë tanë duan të bëhen o ‘tallava’ këngëtarë, o ‘tallava’ gazetarë, o ‘tallava’ politikanë: jemi duke u bërë ‘tallava’ popull”.