Karl Gustav Jung, themeluesi i psikologjisë analitike, ai që “muret ndarës” i pati të tejdukshëm

Nga Albert Vataj

Themeluesi i psikologjisë analitike, psikologu dhe psikiatri zviceran, Karl Gustav Jung, u lind më 26 korrik 1875  dhe vdiq më 6 qershor 1961. Në bazë të raportit të individit dhe të rrethit njerëzit, i ndan në dy tipa karakteri kryekëput të ndryshme -të ekstravertuar (të kthyer kah bota e jashtme, aktivë) dhe të introvertuar (të kthyer kah bota e brendshme, pasivë, kontemplativë).

Në emër të qëndrimit “metafizikisht më të lirë” dhe psikologjikisht të palidhur, Jung refuzon çdo simplifikim të problemit të psikikës dhe konsideron se është jokritike të pranohet një i vetrai instinkt themelor, i cili do të duhej të shpjegonte çdo gjë dhe të bëhej themel i gjithë jetës shpirtërore.

Duke mbrojtur kompleksitetin e psikikës dhe me këtë psikologjinë e relativizuar, ai ndahet nga psikoanaliza dhe konstituon psikologji të re karakteristika themelore, e së cilës është tipologjia e jetës shpirtërore.

Ndryshueshmëria psikologjike e njerëzve, të cilën nuk mund ta mbizotërojë kurrfarë legjislature shoqërore, paraqitet edhe në faktin se individët-njerëzit kryesisht janë të paaftë të kuptojnë çdo pikëpamje tjetër përveç të vetes: këta janë tmerrësisht të vetmuar.

Njerëzit, ndërkaq, mund të dalin nga ky izolim i plotë vetëm për shkak se ekzistojnë tipat jetësorë të përbashkët. Njeriu i tipit të caktuar ka mirëkuptim për jetën shpirtërore të atij njeriu që hyn në të njejtën fushë të tipave, por jashtë kësaj nuk ekziston kurrfarë mirëkuptimi. Mirëpo, ajo që lidh tipat dhe që mundëson në përgjithësi shpëtimin nga vetmia, nuk është dhënë në psikologji as në rregullimin shoqëror; kjo është krejtësisht e natyrës morale dhe gjendet në anën tjetër të psikologjisë dhe të sociologjisë, kumton Karl Gustav Jung.

Veprat kryesore:

Psykologische Typen (1921); PsiholoSki tipovi; Die symbolik des Geistes (1948); Von den Wurzeln des Bevnisstseins (1953); Në serbokroatishte, në vitin 1969 është botuar edhe një zgjedhje e punimeve të tij me titull «Lavirint u ëoveku» me një parathënie të shkoqitur të V. Jerotiqit, kurse më vonë edhe zgjedhja nga të gjitha veprat e tij në 5 vëllime.

Karl Gustav Jung për vetveten e tij

Është një legjendë e vjetër e bukur për një mësues tek i cili kishte shkuan një nxënës dhe e kishte pyetur: “Më heret ka pasur njerëz të cilët Zotin e kanë parë në fytyrë; përse nuk ka më?” Mësuesi iu është përgjigjur: “Për shkak se sot askush nuk mundet aq thellë të përkulet”. Njeriu duhet të përkulet për të nxjerrë diçka nga lumi. Dallimi ne mes shumicës së njerëzve tjerë dhe meje qëndron në atë se në mua “muret ndarëse” janë të tejdukshme; në këtë qëndron specifika ime. Tek të tjerët këto mure janë aq të ngjeshura saqë përtej tyre asgjë nuk shihet dhe për këtë arsye ata mendojnë se prapa tyre s’ka asgjë. Unë i vërej faktet në prapavijë dhe për këtë arsye kam siguri të brendshme. Kush asgjë nuk sheh gjithashtu nuk ka siguri, dhe nuk është në gjendje të nxjerrë konkludim apo bazohet në konkludimet e veta.

Nuk e di se çfarë fitohet me atë që jam në gjendje ta vërej lumin e jetës; kjo është vetëm e nënvetëdijshme; ndoshta këto kanë qenë më heret ëndrra. Ato prej fillimit më kanë nxitur.

Kur tash e shikoj të shkuarën dhe mendoj për kuptimin e asaj që më ka ngjarë kur kam punuar me ëndrrat, më duket sikur para meje është krijuar një lloj zëri shumë i fuqishëm. Ka pasur gjëra në imazhe të cilat nuk më kanë ngjarë vetëm mua por edhe të tjerëve. Me këtë është arritur që më s’kam guxuar ta dëgjoj vetveten. Prej atëherë jeta ime i përketë bashkësisë. Njohjet të cilat kanë qenë rreth meje apo për të cilat kam gjurmuar në atë kohë për shkencën kanë qenë të panjohura. Më është duhur vetë t’i mësoj dhe, përveç kësaj, atë që kam mësuar t’i vë në rrafshin e realitetit përndryshe do të kishin mbetur në formë të një supozimi subjektiv të paaftë të jetës. Atëherë jam vërë në dispozicion të shërbimit shpirtëror. Unë e kam dashur dhe e kam urrejtur por ai ka qenë pasuria ime më e madhe. Aktiviteti im për t’u bashkuar me të ka qenë e vetmja mundësi, që jetën time ta jetoj dhe ta përballloj si një tërsi relative.

Të gjitha shkrimet e mia thuajse janë shprehje e vetë atyre; ato janë krijuar nën presionin e fatit. Ajo për të cilën kam shkruar më ka xhindosur përbrenda. Shpirtit i cili më ka nxitur i kam lejuar të vijë në shprehje. Unë kurrë nuk kam llogaritur në përshtypjen e shkrimeve të mia. Ato paraqesin kompensim për botën time të përditshme dhe mua më është duhur ta them atë të cilën askush nuk ka dashur ta dëgjojë. Për këtë arsye, posaçërisht në fillim, aq shpesh jam humbur. E kam ditur se njerëzit do të kishin reaguar me refuzim, pasi që vështirë është të pranohet kompenzimi për botën e vetëdijshme. Sot mund të them: madje është edhe e çuditshme se çfarë suksesi kam arritur, shumë më të madh se që kam shpresuar. Kryesore e kam pasur që atë që më është duhur ta shpreh – ta shpreh. Kam pasur ndjenjën se kjo mund të bëhet. Kuptohet se kjo ka mundur të bëhet edhe më shumë edhe më mirë, por jo në bazë të aftësive të mia.

Mund vetëm të dëshiroj dhe të shpresoj se askush të mos bëhet “Jungist”. Unë nuk mbroj kurrëfarë doktrine por vetëm i përshkruaj faktet, dhe propozoj interpretim të caktuar për të cilat pohoj se ja vlenë të diskutohet.