Disa fakte interesante për pemën e ullirit, frutin e tij çudibërës që erdhën në botë si një simboliz me njeriun

Nga Albert Vataj

Ajo është vetë përjetësia. Është ai vullnet i lartë i bujarisë dhe mëshirës. Është simbolika e përafris sonë me jetën, vdekjen dhe ringjalljen. Është krijuar për të qenë në simbiozë me njeriun, me tërësinë e veprimtarisë së tij. Ulliri me njeriun janë kohanik, atabashkëjetuan dhe bashkekzistojnë prej mijwra vitesh. Ashtu sikurse njeri ka aftësinë të lind, të rritet kudo që fati ka paracaktuar, të shuhet dhe të ringjallet, ashtu edhe kjo pemë mrekulli, pritet, digjet, thahet, dhe… rilindin për të dëshmuar pamposhtjen e jetës, riardhjen e këtij misionare në një tjetër sprovë.
Pema legjendare e ullirit dhe vaji i nxjerrë nga fruti i saj e kanë shoqëruar për rreth 8000 mijë vite historinë e njerëzimit. Kjo bimë kultivohej në Lindjen e Mesme, por më vonë fenikasit e shpërndanë kultivimin e saj në të gjitha brigjet e Mesdheut, që nga Afrika e deri në Evropën e Jugut. Me rritjen e prodhimit lindi edhe nevoja për ta përpunuar ullirin. Romakët arritën të ndërtonin edhe mjetet e para për shtypjen e ullinjve, duke perfeksionuar gjithmonë e më shumë edhe teknikat e konservimit të vajit. Por, ndërkohë që kultivimi i ullirit po shtohej gjithmonë e më shumë, romakët ndoqën një tjetër teknikë. Ata provuan të kultivonin në çdo territor të pushtuar ullirin, pemën e shenjtë për ta. Ndër vite, vaji i ullirit është përdorur jo vetëm për të pasuruar ushqimet, por edhe në kozmetikë. Druri dhe dega e ullirit janë cituar edhe në Bibël, edhe në Kuran, duke dëshmuar kështu rëndësinë historike të këtij “fryti” në jetesën dhe punën e njerëzve. Studimet kanë treguar se vaji i ullirit luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen ndaj sëmundjeve. Ndër shekuj është protagonist i padiskutueshëm i dietave mesdhetare, duke ndikuar në uljen e vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare e duke çuar në parandalimin e disa lloje tumoresh. Kështu, studiuesit në Spanjë dhe në SHBA gjetën se një prej përbërësve të vajit të ullirit ul pothuajse me 30% nivelin e substancave që shkaktojnë kancerin e gjirit. Që në lashtësi popujt rreth brigjeve të Mesdheut e kanë përdorur vajin e ullirit si balsam për zbutjen dhe rritjen e lagështisë së lëkurës së thatë, për shkëlqimin e flokëve, për masazh të muskujve, mbylljen e plagëve, parandalimin e rrudhave dhe për kurimin e pagjumësisë. Vitet e fundit është zbuluar se vaji ullirit ka shumë ndikim mbi aktivitetin metabolik të organeleve të qelizës. Prej kohësh ai përdoret jo vetëm si ushqim, por edhe si medikament me vlera të larta për kurimin e disa sëmundjeve të ndryshme. Sipas specialistëve, vaji ullirit me hudhër ndihmon në kurimin e astmës, arteriosklerozës dhe hipertensionit.
Gjithashtu edhe gjethet e ullirit në saje te heterozideve (oleuropeozid dhe oleosid) dhe të acidit glikolik etj., veprojnë drejtpërdrejt kundër hipertensionit, sidomos ne fazën fillestare. Ky frut ka dhe veti te ule ethet e te pakësoje sasinë e sheqerit ne gjak.
Ulliri njihet edhe për ndihmën që i jep zhvillimit të trurit dhe kockave si te fëmijët, ashtu edhe tek të rriturit, duke ruajtur metabolizmin e tyre gjatë humbjes së kalciumit.
Ulliri në mitologjinë greke
Herkuli sipas mitologjisë mbante një topuz nga druri i ullirit ndërsa Odiseu me një kunjë ulliri verboi ciklopin Polifem, ai flinte në një krevat nga druri i ullirit. Homeri vajin e ullirit e quante ar i lëngshëm. Hipokrati vajin e ullirit e rekomandonte për shërimin e më shumë se 60 sëmundjeve. Fituesve në lojërat olimpike në kokë u vendoseshin kurora prej degëve të ullirit dhe u dhuroheshin amfora të mbushura me vaj ulliri, që atëherë ishte shumë i shtrenjtë.
Ulliri biblik
Më shumë se 3500 vjet më parë, profeti Moisi e përshkroi Izraelin si ‘një vend të mirë, një vend me ullinj’. Edhe sot, ullishtat mund t’i vëresh të përhapura andej-këtej në natyrë, nga këmbët e malit Hermon në veri e deri në skajet e Bershebës në jug. Ato zbukurojnë ende Rrafshinën bregdetare të Sharonit, shpatet shkëmbore kodrinore të Samarisë dhe luginat pjellore të Galilesë.
Shpesh, shkrimtarët e Biblës e përdorën pemën e ullirit në kuptim figurativ. Disa tipare të kësaj peme shërbyen për të ilustruar mëshirën e Perëndisë, premtimin e ringjalljes dhe një jetë të lumtur familjare.
Pjesa më e rëndësishme e pemës së ullirit janë rrënjët, të cilat mund të arrijnë deri në 6 metra thellësi nën sipërfaqen e tokës dhe shumë më larg horizontalisht. Këto spicifika janë faktori vendimtar për bollëkun dhe mbijetesën e pemës. Janë pikërisht rrënjët që asaj i japin kuptimin e ringjalljes dhe përjetësisë. Edhe sikur një zjarr, një thatësirë apo një shkatërrues tjetër kërcënon deri në ekzekutim pemën e ullirit, kur vdekja ka pllakosur mbi tokën e bimës së shenjtë, me të ardhur shirat, filiza shpërthejnë nga toka dhe bima rivjen në jetë nga rrënjët e vjetra. Gjithashtu edhe filizat që dalin rrëth trungut, simbolikisht në Bibël paraqiten si bijt, të cilët duke u lejuar të rriten do të japin bollshëm fruta nga rrënja e bimë at, e cila nga vitet dhe mosha ka rënë në bujarinë e tij, por është rritur në vlerat që frutet e pakëta krijojnë.
Ky është ulliri, kjo është jeta, për këtë simbiozë me njeriun.