Praga, qyteti magjik i të dashuruarve, atraksioni që tejkalon çdo fantazi

Nga Albert Vataj

Ai është një qytet i veçantë. Ai është një qytet, i cili fton dhe mirëpret në magjinë e saj kërshëritëse shumë admirues të hostorisë dhe arkitekturës, të dashurisë dhe gastronomisë, të arkeologjisë dhe aventurave. Ai është një qytet që i ka të gjitha dhe asgjë nuk të lë ta marrësh me vete, sepse ai të rrëmbën, të mban peng në prehrin e saj të bukurisë dhe joshjes, sharmit dhe grindit. Ai është për të joshur çdo ëndje, për të dalldisur çdo dashuri, për të fashitur çdo yrysh, për të qenë përjetimi juaj i patëdytë.

Krejçka në këtë qytet është e themeltë në historinë dhe traditën e saj të larmishme dhe pasunore, në krejçka ajo shëmbëllen. Arkitektura është kërshëria fillimore e kësaj prekje delikate të bukurisë dhe sharmit. Ajo e shkruan të shkuarën dhe të tashmën e vet në çdo gurë dhe zëshëm e përcjellin në eter krejt katedralet, kreshtat e tyre prekin në re, zëri shugurues i kambanave u’a përcjell gjithësekah kjo magji shtrihet në shndritjen e vet dhe merr frymë në lëmyshkun që nderet mureve që gjakojnë historinë. Pjesa e vjetër e qytetit është e thjeshtë për orientim, ndërsa rrugicat janë të shtruara me pllaka, kështu që janë parajsë e vërtetë për adhuruesit e ecjes në këmbë. Përmbi të, në krahët e një zogu a të një reje hokatare pranverore, të fluturosh, e ta shijosh deri në gllënkën e fundit këtë mrekulli dehëse të Bohemisë. E kuqerremra e qerpiqeve, që u është hedhur që kurë këtij qyteti mbi shtatin e saj si një mantel, është ai prarim mallnues që deh pamjen dhe kumtin.

Qyteti magjik i të dashuruarve

Kryeqyteti i Çekisë po i tërheq turistët me pallatet, rrugët dhe birrën e saj, ndërsa pranvera është stina e vërtetë për të vizituar këtë qytet romantik. Edhe pse shumica mendojnë se Praga është më romantike në dimër, koha e vërtetë për ta vizituar “qytetin e artë” është pranvera, për shkak se me rrezet e para të diellit kullat dhe kupolat e qytetit me të vërtetë ndriçojnë me shkëlqim të artë. Për këtë arsye “qyteti i qindra kullave” (ka më shumë se 500) është një në vargun e emërtimeve me të cilat çekët në mënyrë përkëdhelëse e quajnë kryeqytetin e tyre.

Praga është lokacion i shkëlqyeshëm për të dashuruarit, të cilët i lë pa frymë falë rrugicave të ngushta, kështjellave të vjetra, mejhaneve të hareshme dhe birrën më të mirë. Në qytet jetojnë më shumë se një milion njerëz, por transporti në mënyrë të përkryer funksionon, edhe me metro deri në qendër mbërrihet për një moment…

Pjesa e vjetër e qytetit është e thjeshtë për orientim, ndërsa rrugicat janë të shtruara me pllaka, kështu që janë parajsë e vërtetë për adhuruesit e ecjes në këmbë. Kumtimin e vet ky qytet e pikënis nga Kështjella e Pragës, që vlen si një nga komplekset më të mëdha të kështjellave në botë. Në përbërjen e tij janë pallati (në të cilat qëndrojnë presidenti dhe kardinali), disa kisha, kopshte, manastir, galeri. Pragën e kanë themeluar sllovenët në shekullin 9, por kulmin e saj e ka arritur gjatë qeverisjes së Karlos së Katërt. Ai jo vetëm që e ka ndërtuar një prej urave më të bukura në botë, por edhe ka urdhëruar që kullat të prarohen me arë që të shndërisin prej së largu. Ndërtimi më i fotografuar, megjithatë, është Kulla e Astronomit (me 12 apostuj të cilët kanë domethënien e fundit të ditës) në të cilin shesh ndodhet përmendoreja e Jan Husit.

Përmbledhëse për qytetit

Praga është kryeqyteti i Çekisë, e njëkohësisht qyteti më i madh në vend dhe metropoli më i rëndësishëm historik i krahinës së Bohemisë. Ai renditet i 14-ti për nga madhësia në listën e qyteteve më të mëdha të Bashkimit Europian. Aktualisht qyteti shtrihet në një sipërfaqe prej 496 km2 me popullsi prej rreth 1,3 milion banorësh. Zona metropolitane e Pragës kishte në vitin 2004 (sipas Eurostat) rreth 2 milionë banorë.

Praga njihet si një nga qytetet më të bukur të Evropës.[4] Qendra historike e qytetit, bashkë me pamjen unike të Kështjellës së Pragës, fitues i rekordit Guiness në vitit 1996 për kompleksin-kështjellë më të madh në botë, është pasuri e UNESCO-s. Pikërisht kjo qendër historike tërheq miliona turistë çdo vit. Në vitin 2007, 4 009 000 turistë vizituan qytetin. Viti 2006 e renditi Pragën si qytetin e tetë më të vizituar në Evropë e 2007-a të shtatin dhe në vendin e 19-të në rang botëror. Pseudonimet për Pragën përfshijnë “qyteti i artë” dhe “qyteti i njëqind majave”. Ky i fundit u përdor për herë të parë nga historiani Josef Hormayer në fillim të shekullit 19-të. Në atë kohë këto maja i numëroi matematicienti e filozofi Bernard Bolzano, i cili arriti deri në 103 (duke përjashtuar ndërtesat private).

Fillimet e Historisë

Vendi ku më vonë do ndërtohej Praga ka qenë i banuar që në periudhën e Paleolitit. Disa mijëra vjet më parë, rrugë tregtare që lidhnin Evropën Veriore me atë Jugore kalonin nëpër këto toka, duke ndjekur luginën e lumit. Rreth vitit 500 p.e.s, fisi Kelt i njohur si Boii, ishin të parët banorë të njohur të kësaj zone. Boii-t e emërtuan krahinën Bohemia dhe lumin Vltava. Ndërmjet shek. VI p.e.s dhe shek. IX e.s., fisi gjerman Marcomanni emigroi për në Bohemi dhe fise të tjera gjermanike vijuan gjatë shek. V e.s., por në shek VI. elita e tyre dhe shumica e popullsisë lëvizën për në zonën e Danubit që i hapi rrugë një fisi Sllav që pushtonte nga perëndimi, të ngulej në këtë zonë. Fisi Sllav Çek erdhi në Bohemi në shek. VI dhe u bë themeluesi i kombit çek.

Sipas legjendës, princesha Libuše, udhëhqëse e fisit Çek, u martua me një bujk të thjeshtë me emrin Přemysl dhe themeloi dinastinë me të njëjtin emër. Kështjella e princeshës, Libusin, ndodhej në Boheminë qendrore. Në një profetësi, thuhet se ajo parashikoi lavdinë e Pragës. Ajo pati një vegim: “Shikoj një qytet të madh, lavdia e të cilit do prekë yjet! Shikoj një vend në mes të një pylli, ku një shkëmb i thepisur ngrihet mbi lumin Vltava. Është një burrë, i cili po gdhend pragun (çekisht: prah) e shtëpisë. Një kështjellë e quajtur Pragë (Praha) do të ndërtohet aty. Sapo princët dhe dukët të ndalojnë para pragut, ata do ti përulen kështjellës dhe qytetit përreth saj. Do të nderohet, do jetë i famshëm, dhe lavde do ti thurë e gjithë bota.”

Panoramë e Pragës nga kodra Petrin

Mesjeta

Që në fillimet e shek. XII, Praga ishte një qytet në zhvillim, mbi të cilin ngrihej kështjella madhështore. Tregtari Ibrahim Ibn Jacob e përshkruante Pragën në shek. X si një “qytet prej guri”, që në atë periudhë ishte cilësi e qyteteve të pasur. Praga e atëhershme ndodhej në zonën e sotme të Qytetit të Vjetër (çekisht Staré Město). Emërtimin i Vjetër, respektivisht në gjuhën latine Maior, që do të thotë gjithashtu i Madh, qyteti e mori kur Přemysl II. Otakar i dha të drejta zonës nën kështjellës në vitin 1257, që ishte e banuar që prej shek. X. Kështu u themelua Qyteti i Vogël i Pragës, ose Lagjja e Vogël (çekisht Malá Strana). Fluksi dhe veprimtaria e artizanëve dhe tregtarve në të dy qytetet u rrit vrrullshëm sidomos gjatë sundimit të Karlit IV.

Panoramë e Pragës e fund shek. XV.

Praga u kthye në rezidencë perandorake dhe Karli IV synonte ta kthente në qendrën e Perandorisë së Shenjtë Romane. Sipërfaqja e përkufizuar nga muret e lagjeve të Pragës shumë shpejt u mbipopullua, deri sa perandori mori vendimin dhe në vitin 1348 themeloi Qytetin e Ri të Pragës (Lagjen e Re), që shtrihej në zonën midis Vyšehrad dhe Qytetit të Vjetër. Ky u mbush dhe u popullua gradualisht me rezidenca, kisha, manastire e tregje. “Madhësia dhe shkëlqimi i Pragës së asaj periudhe krahasohej me atë të Romës, Firences, Parisit, Këlnit” shkruan František Palacký për kryeqytetin e Karlit IV.

Bashkimi i Qyteteve të Pragës

Kisha Tyn në Sheshin e Qytetit të Vjetër

Përpjekja e parë për të bashkuar qytetin e vjetër dhe të ri u zhvillua në 1518 me nxitjen e qytetarëve të Qytetit të Vjetër të drejtuar nga Jan Paška. Në vitin 1523, mbreti Ludvík Jagellonský konfirmoi njësimin e Këshillit të qytetit dhe legalizoi bashkimin e lagjeve. Praga e bashkuar u nda përsëri në vitin 1528. Bashkimi i qyteteve të Pragës në një njësi administrative u arrit vetëm në vitin 1784, gjatë sundimit të perandorit Joseph II. Qyteti mbretëror i Pragës përbëhej nga Qyteti i Vjetër, Qyteti i Ri, Lagjja e Vogël dhe Kështjella e Pragës, së cilëve iu bashkëngjitën gradualisht edhe Josefov, Vyšehrad e Holešovice.

Në fund të shekullit XIX, niveli i indstustrializimit së Pragës, zhvillimi me shpejtësi i sistemit hekurudhor e ndërtimi i fabrikave ishin disa herë më lart dhe të pakrahasueshëm në të gjithë territorin çek.[6] Në vitin 1893 filloi rinovimi urban i Pragës, i cili preku lagjen çifute Josefov dhe Podskali; filloi të zhvillohen linjat hekurudhore elektrike, e në vitin 1901 qytetit ju bashkua lagjja Liben.

Pavarësia e shtetit çek u shpall në fund të Luftës së parë botërore, të cilit ju bashkua edhe Sllovakia. Kjo periudhë u shoqërua me shkatërrimin ose heqjen e disa simboleve të monarkisë austro-hungareze, si psh Kolonës Marian në Sheshin e Qytetit të Vjetër, e më vonë një monument i Marshallit Vaclav Radecky në Sheshin e Qytetit të Vogël dhe një statujë e perandorit dhe mbretit Franc I. në bregun Smetana, ku u rikthye në vitin 2003.

Praga vazhdoi të modernizohej e zhvillohej si kryeqytet i shtetit të sapoformuar Çekosllovak. Në 1922 u themelua Praga e Madhe (çekisht Velká Praha), e cila përfshinte të gjithë lagjet e rrethinat deri në atë kohë të pavarura si Vinohrady, Nusle apo Košíře. Qyteti, ku jetonin popullsi çeke, gjermane e çifute, u shndërrua në qendër të rëndësishme kulturore.

Për ta shijuar atë si duhet thuhet shpesh lipset fillimisht të njohësh mirë shpirtin e vetë çekëve dhe mënyrën e të menduarit të tyre. Duhet të bëheni një me Pragën me gjithçka që ajo ka për të ofruar.

Çekët i nderojnë vendet ku prodhohet birra e tyre, si pasuri kombëtare, prandaj kur ta ndjeni rrëmbimin e kësaj kërshërie, nuk duhet të largoheni nga Praga pa shijuar të paktën një gotë birrë tradicionale të vendit. Gllënkat e para të birrës shijoni deri në fund dhe merrjani turrit në zbulim të të mrekullive gjithnjë të pazbuluara të qytetit. Ora Astronomike ju pret. Ajo ka tërhequr vazhdimisht turmat e mëdha të banorëve, vizitorëve apo edhe kuriozëve që prej vitit 1490, duke u renditur unike në llojin e saj si një orë e lashtë dhe historike. Çdo orë e saj, nga ora 8 e mëngjesit në orën 8 të mbrëmjes mban mbi vete të shenjtët dhe poshtë tyre ndodhen simbolet e një fabule të vjetër mesjetare mbi Lakminë, Kotësinë, Vdekjen dhe Turkun. Meqë jemi në atmosferë arti bëjmë mirë t’i hedhim një sy qendrës më të re të arteve të hapur në vitin 2008 në Pragë dhe ku pasqyrohet arti bashkëkohor në mënyrën më të mirë të tij, pikërisht qendra e quajtur DOX.

Nëse jeni ngopur me modernitet kthehuni pas në kohë dhe arratisuni në mesjetë në zonën e njohur si “Qyteti i Vjetër”. Aty do të keni mundësi të shijoni si në asnjë vend tjetër shijen e lashtësisë. Skulptura të luftëtarëve, të të shenjtëve , heronjve apo perëndive do t’iu përshëndesin nga e shkuara. Ndërsa udhëtoni në Pragën magjike pak muzikë shoqëruese nuk do të bënte aspak keq. Sidomos nëse kemi të bëjmë me ritmet e Jazz-it, Blues-it dhe Rock-ut. Shfaqje muzikore por edhe pikat më të mira për këto ritme mund t’i gjeni në teatrin Akropoli si dhe në baret Lucerna Music Bar apo Vagon. Respektoni të vdekurit në Pragë , në pikën e njohur si “Varreza e Vjetër e Cifutëve”. Edhe pse duket si një sipërfaqe e vogël në të gjenden plot 100 mije trupa hebrenjsh të varrosur aty që prej vitit 1700. Me shumë kisha të stilit barok, arkitekturën fantastike dhe hijeshinë e të shkuarës , Praga është vendi ideal për të lidhur kyçin e zemrës në Urën Charles me partnerin tuaj ose për të marrë vendimin e të thënit Po. Praga është mrekullisht romantike dhe po kthehet në një prej destinacioneve më të mira në të cilat mund të martohesh apo të bësh propozimin. Prandaj thuaj Po në sheshin e “Qytetit të Vjetër” dhe atë të “Qytetit të Ri” pasi ndërtesat e stilit gotik do tju ndihmojnë së tepërmi në krijimin e atmosferës së duhur.

Praga është e njohur për artin e fotografisë gjithashtu,me vepra të Josef Sudek apo Jan Saudek që kanë bërë xhiron e botës. Imazhe dramatike të cilat reflektojnë realitetin apo fantazinë do të mund të gjenden në çdo moment në Shtëpinë e Fotografisë së Pragës , në galerine Leica dhe galerinë e Fotografive të Luvrit. Pas shumë shëtitjesh dhe gotave të birrës pa fund do tju ketë marre uria me siguri. Provoni ushqimet tradicionale të Prages në disa prej vendeve më të mira ku mund t’i shijoni ato. Ushqimet nuk janë ndër më të shëndetshmet me siguri por janë më të shijshmet që mund të keni provuar. Vendet e tilla të quajtura “pub grub” si Pivnice u Pivrnice do tju japin mundësinë të shijoni fileto vici të tymosur apo të shkrirë me xhelatinë dhe djath, qofte dhe tostet e përbëra nga ushqime të skuqura mirë. Pasi të ndiheni të ngopur në të ngrënë dhe në të pirë vizitoni Kështjellën e Pragës që dominon për sa i përket lartësisë së ndërtesave në qytet. Kompleksi i keshtjellës do tju deh me stilin gotik të ndërtesave, tju mrekullojë me Katedralen e San Vitus , Bazilikën e Shën Xhorxhit dhe Pallatin e Vjetër Mbretëror.

Praga është dhe një qytet që mat shkallën e guximit tuaj pasi cdo vit atje vizitorët bëhen pjesë e një eksperience unike. Prej qershorit e deri ne shtator zhvillohet festivali KI Bungee Jump ku të gjithë ata që dëshirojnë mund të hidhen nga ura Zvikovské në lumin Vlatva. Hedhja është me pagesë dhe prej fluksit të madh që ka , bëni mirë të prenotoni hedhjen tuaj. Shfaqjet me marioneta dhe kukulla nuk janë vetëm për fëmijët në Pragë. Në fakt ky aspekt përkundrazi është tepër i përhapur në qytet dhe ka shënuar gjurmë në historinë e popullit cek. Shfaqjet me kukullat e dorës dhe marioneta , ndër më të bukurat në botë duhet theksuar mund t’i gjeni në teatrin Divaldo Minor. Me siguri do të mbeteni te impresionuar saqë do të donit të mos largoheshit nga Praga pa marrë një marionetë me vete. Mund të blini një sigurisht. Kjo është e mundur në dyqanin historic të njohur si Truhlar Marionety.

Dhe se fundmi nëse ju pëlqen aventura mund të përjetoni pak Vegas në brëndësi të Pragës. Provoni fatin tuaj në kazinonë e famshme te qytetit qe quhet Savarin Casino. Nëse fitoni më shumë qëndroni më shumë për të zbuluar luksin e qytetit ne hotelet e shtrenjta apo dyqanet e bizhuterive. Nëse humbisni, nuk u mbetet gjë tjetër veçse të ktheheni të ngopur me Pragën magjike.