Martesa, kjo vuajtje e modernitetit. Si e mbronin spartanët e Likurgut që ajo të ishte gjithnjë ngasëse dhe e freskët

Nga Albert Vataj

Moderniteti, ka ekspozuar njeriun përpara shumë problematikave serioze, përshtatshmëria e së cilave shpesh nuk i përgjigjet pozitivisht, cilado qofshin përpjekjet. Një nga ballafaqimet më jetike të kësaj përballje sfiduese është martesa. Ajo ka më shumë zhgënjim se sa pritshmëri shëndetmira të funksionalitetit dhe jetgjatësisë. Pak nga fushëbetejat ku ajo luftoi arriti të kishte fitore. Dashurojmë më pak, ndjejmë edhe më pak. Ndjenja shteron pikërisht atëherë kur etja është ndezur. Askush nuk mund të thotë me saktësi, se cili nga partnerët është pika e thyerjes. Të gjithë përpiqen që të besojnë më shumë atë që duan, se sa janë gati bëjnë ballë të papriturat, me të cilat martesa i ballafaqon. E megjithatë jeta bashkëshortore është në vetvete një sprovë e forcës që i bën ballë karakteri, ndjenja dhe përfshirja. Duhet të dakordësohemi se të gjithë jemi bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor. Po pse?!

Përgjigjen e kësaj pyetje na e jep historiani i antikitetit grek, Plutarku, i cili ka arritur që nëpërmjet shumë zbulesash, të sjellë dhe mënyrën se si grekët e kohës së Lukurgut e ruanin martesën nga grryerja, nga shterrimi dhe dekompozimi.

Për këtë vullnetmirë reformator kanë folur pothuajse të gjithë historianët e lashtë dhe filozofët, nga Herodoti, Xenoni, Platoni, Polybiusi, Plutarku deri tek Epictetus. Sepse ishte e tillë rëndësia që patën reformat dhe ligjësitë në Spartën e asaj kohë, përfshi këtu dhe institucioni i martesës.

Sipas Plutarkut, martesat në kohën e Likurgut, (viti 820, para Krishtit), bëheshin me anë të rrëmbimit dhe vajza duhet të ishte zhvilluar mendërisht dhe fizikisht, e aftë për martesë dhe e gatshme për t’u bërë nënë.

Pas rrëmbimit, vajzën e merrte bulla, një autoritet fetar, i cili i rruante kokën vajzës, i jepte një leshnik, një veshje leshi pa mëngë. I jepte gjithashtu një palë sandale burrash. Me pak fjalë kjo ishte e gjithë paja e nuses. Më pas lihej në dhomw qw do tw ishte dhoma bashkwshortore, ku kishte një shtrat kashte. Ajo duhej tw priste e vetëm dhe në errësirë. Ky do të ishte takimi i parw martesor. Dhëndri jo i pirë dhe i ligështuar nga qejfet, por i përkorë, pasi të hante darkë në mensën publike, ku hanin të gjithë meshkujt, fshehurazi hynte tek gruaja që e priste. Të dy shkonin në shtrat në takimin intim, por burri duhet të dilte nga dhoma pa zbardhur, për të bërë pjesën tjetër të natës në fjetoren me të tjerët ku flinte zakonisht. Takimet intime ishin të sanksionuara të bëheshin kështu. Ata do të takoheshin në errësirë, të jetësonin marrëdhënien e tyre, duke e ndjerë, kurrsesi jo duke e parë njëri-tjetrin. Për të dy partnerët ishte e “turpshme” të dihej se ishin bashkëshortw. Ky komunikim bashkëshortor shpesh vazhdonte aq gjatë sa çifti bëhej me fëmijë, pa u parë në dritë njëri me tjetrin. Ky komunikim që mbahej i fshehtë nga sytë e njeri-tjetrit dhe të botës, jo vetëm kaliste vetëkontrollin dhe urtësinë, mbronte intimitetin nga konsumimi dhe shterimi i interesit, por bënte të mundur të bashkonte burrin me gruan pikërisht atëherë kur trupat e tyre ishin plot energji krijuese dhe dashuria e tyre qëndronte gjithnjë e re dhe e freskët. Është pikërisht kjo përvojë që bënte të mundur që dy partnerët as të veleshin as të flashkeshin prej teprimeve në marrëdhënie. Për të mbetur brenda tyre pas ndarjes  një shkëndi malli dhe dëshire për njëri-tjetrin.

Masat që mori Likurgu lidhur me martesën synon mirëqenien fizike dhe morale të shtetasve, duke i prerë rrugën shthurjes, aq sa shkeljet e kurorës ishin fare të panjohura për ta. E tillë ishte ky ndikim, sa kanë ardhur deri në ditët tona rrëfenja e një spartani shumë të moshuar i quajtur Gerada. Kur e pyetën se ç’dënim merrnin shkelësit e kurorës, ai i është përgjigjur: “Or mik, ndër ne nuk ka asnjë që shkel kurorën” I huaji duke insistuar i thotë: “Po sikur të kishte?” dhe Gerada i’a kthen: “Atëherë ai për dënim duhet të gjente një ka të tillë që, duke zgjatur qafën prej malit Taiget, të pinte ujë në Eurota”. I huaji vijoi i shastisur: “E ku mund të gjendet një ka kaq i madh?” Plaku spartan duke qeshur i përgjigjet: “Më aq sa mund të gjendet në Spartë qytetar që shkelin kurorën”.

Një ligjësi e tillë është utopi për vetë mënyrën e jetesës dhe transformimet që ka pësuar kjo filozofi në kohët moderne. Por thelbi është ende i përdorshëm edhe sot pas kaq mijë vitesh. Mësimet e Greqisë së lashtë dhe i gjithë qytetërimeve të tjera mund të mos kenë diçka për të ndarë me njeriun modern, por diçka e tyre, ende është e vlertë, nëse ne dimë të lexojmë dhe të interpretojmë, dimë të zbërthejmë e t’ia qssim si melhem shëndetit të keq të marrëdhënies bashkëshortore sot.

Nga shqyrtimi që mund t’i bëjmë përvojës likurgase, dalim në përfundimin se çelësi i sekretit të një marrëdhënie martesore të sukseshsme dhe jetëgjatë është i fshehur diku në dhomën e gjumit. Përfundimisht intimiteti është ai që thotë fjalën e parë dhe fjalën e fundit. Gjithçka që mbush skajet është thjeshtë ballafaqim jetësor, aspak me ndikim në cilësinë e marrëdhënie bashkëshortore. Nëse krevati i dhomës së gjumit ka vendosur t’i flakë tej trupat tanë si të mefshtë, pa jetë dhe pa ndjenjë, më përdhunshëm do të sillet hapësira tjetër e marrëdhënies mes partnerëve. E ndërsa ne kërkojmë të gjejmë problemin aty ku nuk është, krisja në marrëdhënie vijon të bëhet gjithnjë e më e thellë. Deri një ditë sa ne të shohim me sytë tanë dhe të përjetojmë me ndjenjat tona, se ai ose ajo që kemi ndarë gjënë më të shtrenjtë dhe bashkuar vetë shenjtërinë e jetës është një i huaj, ndaj të cilit nuk kemi as detyrim mirënjohje respekti as obligim përfshirje në komunikimin intim.

A kemi në dorë diçka që mund ta shpëtojë marrëdhënien pa prekur fundin? Sigurisht që po. Të dy partnerët kanë njëjtësisht barrë përgjegjësie në këtë përfshirje, por ndodh që vetëm njëri prej tyre është gati të sakrifikojë të shpëtojë nga shuarja këtë diell që ka ngrohur ditët e tyre më të mira. Çdo përpjekje për të kërkuar shpëtim jashtë këtij pakti martesor është thjeshtë një aventurë e cila merr më shumë se sa është gati tu japë partnerëve zemërthyer dhe të zhgënjyer nga martesa. Ata nisen të gjejnë çfarë u ka humbur në dhomën e tyre të gjumit, atje ku u mbetet t’u tregojnë se shpirt dhe trupi i tyre gjen prehje aty prej nga ata janë nisur.

Asnjë nga viktimat e një martese të fikur nuk i thotë jo një mundësie të shtuar, një shansi të ri, për aventurë, seks dhe dalldisje, për asgjë tjetër jo. Honi në të cilin i mbetet të kapërcejnë zemërthyerit e një dashurie bashkëshortore në agoni është më i thellë dhe më i pakalueshëm se çdo ndalim tjetër që ka vënë shpirtin dhe trupin në sprova.