Leonardo da Vinçi, “njeriu universal” i Rilindjes, 500 vjet më vonë

Më 2 maj 1519, ndërronte jetë në Amboise të Francës, në moshën 67-vjeçare, artisti, arkitekti, shpikësi, por edhe botanisti dhe muzikanti Leonardo da Vinçi, i lindur pranë Firences. Muzetë e Vatikanit e kremtojnë me restaurimin e sixhades së frymëzuar nga “Darka e tij e Mbrame” dhe me ekspozitën falas të “Shën Jeronimit”, hapur deri në qershor, me hyrje në Sheshin e Shën Pjetrit.

R.SH. – Vatikan

Vdekja e Leonardo da Vinçit, më 2 maj 1519, 500 vjet më parë, në kështjellën e Clos-Lucé në Cloux, mbi qytetin Amboise, ku ai jetonte që prej dy vitesh, si mik i mbretit të Francës, thonë se e bëri të derdhë lot të dëshpëruar edhe vetë Françeskun I, i cili e pati nderuar me titullin “piktori i parë, arkitekti dhe inxhinjeri i mbretit”, duke i dhënë një pension prej 5 mijë skudësh. “Njeriu universal” i Rilindjes italiane, artist, arkitekt, shpikës por edhe botanist dhe muzikant, lindi më 15 prill 1452 në Anchiano, fraksion i Vinçit, fshat i vogël pranë Firences. Ishte i biri jashtë martese i noterit Piero dhe i Katerinës, një grua e varfër.

Vitet e fundit në Francë, mik i mbretit Françesku I

Shpikjet dhe gjenialitetin e tij e njohin të gjithë. Pak vetë e dinë si i kaloi vitet e fundit të jetës. Mbreti i Francës, Françesku I, sovran i kulturuar dhe i rafinuar, dashuronjës i artit italian, siç e tregoi edhe më vonë duke pritur me nderime artistë të tjerë, i dha mundësinë t’i kalonte në qetësi vitet e fundit të jetës, i ndihmuar nga dy nxënës të tij besnikë. Megjithëse i dobësuar nga pleqëria dhe, ndoshta, edhe nga një trombozë cerebrale, që i paralizoi dorën e djathtë, Leonardo da Vinçi mundi të vazhdonte studimet dhe kërkimet shkencore, me pasionin dhe përkushtimin e tij të zakonshëm. Bëri projektin e rezidencës mbretërore të Romorantinit, që u kthye në një qytezë të vërtetë, për të cilën Leonardo parashkoi edhe zhvendosjen e lumit.

Në funeral, deshi 60 të varfër

Më 23 prill 1519, gjeniu fiorentin bëri testamentin para noterit Guglielmo Boreau, në prani të pesë dëshmitarëve dhe nxënësit të tij të pandashëm, Francesco Melzi, duke lënë që të varrosej në kishën e shën Fiorentinit, me një funeral, ku të merrnin pjesë kapelanë dhe fretër të vegjël, si edhe 60 të varfër, secili me një pishtar; gjithashtu, kërkoi kremtimin e tre meshëve solemne dhe të 30 meshëve sipas ritit tridentin, në abacinë e shën Gregorit, në Saint-Denis dhe në kishën e françeskanëve. Francesco Melzi-t, përmbaruesit të tij, i la “librat […] dhe Instrumente e mjete të tjera rreth artit dhe zejes së tij si piktor”, përveç koleksionit të vizatimeve dhe veshjeve; shërbëtorëve De Vilanis dhe Salaì, përgjysëm, “një kopsht, jashtë mureve të Milanos, ku Salaì kishte ndërtuar një shtëpi”; shërbëtores Maturina i la veshje dhe dy dukate; vëllezërve fiorentinë nga njerka u la pasurinë e tij në qytetin toskan, pra, 400 skude, të depozituara në Santa Maria Nuova dhe një pronë në Fiesole.

Gjeni universal, përtej kufijve të hapësirës e të kohës

Sigurisht, këto nuk ishin frytet e vetme të jetës së një gjeniu të cilin e ndjejmë pothuajse si bashkëkohor. Intuita e tij e pashterrshme, që i dha jetë dhe e bëri të pavdekshme veprimtarinë e tij, projektimi i vazhdueshëm dhe i përhershëm përtej kufijve të kohës, janë elemente, që shkojnë përtej koordinatave të thjeshta hapësinore dhe kohore, e përtej vendeve si Italia dhe Franca e shekujve XV dhe XVI, ku jetoi dhe shprehu gjeninë e tij.

Sixhadja e Drakës së Mbrame, restauruar nga Muzetë e Vatikanit

Muzetë e Vatikanit e festojnë këtë 500-vjetor, me paraqitjen e sixhades së restauruar, frymëzuar nga Darka e Mbrame e Leonardo da Vinçit, pikturë në mur, që mund të admirohet në ish-mencën e kuvendit kishtar, ngjitur me shenjtëroren Santa Maria delle Grazie (Shën Maria e Hireve), në Milano. Pas një viti e gjysmë restaurimi në laboratorët e Muzeve të Vatikanit, ngjyrat e sixhades prej mëndafshi duken shumë më të qarta. Kjo sixhade u punua ndërmjet viteve 1505 dhe 1510, me dëshirën e Luisa di Savoia dhe të Françeskut, Duke i d’Angouleme, i cili më vonë do të bëhej mbreti Françesku I. Ndoshta, u end në Flandër, sipas vizatimit të një artisti lombard e është një nga kopjet e para të kryeveprës së Leonardos, realizuar për oborrin mbretëror francez, që e donte gjithnjë me vete atë kryevepër, e cila nuk mund të transportohej. Dhuruar në vitin 1533 Papës Klementi VII, sixhadja nuk ka dalë kurrë më nga Muzetë e Vatikanit.

Drejtoresha: ka të njëjtat përmasa me Darkën e Mbrame në Milano

Drejtoresha e Muzeve të Vatikanit, Barbara Jatta, kujton për Vatikan News se “Restaurimi i sapopërfunduar dëshmoi se sixhadja është bërë me kërkesën e Françeskut I dhe daton sigurisht ndërmjet viteve 1516 dhe 1533, kur mbreti ia dhuroi Papës Klementi VII, duke e sjellë kështu, në Vatikan. Në thelb, figurat kanë të njëjtat përmasa dhe e gjithë sixhadja ka të njëjtat përpjestime si Darka e Mbrame në Milano”.

Në Vatikan, shën Jeronimi dhe provat e qëndrimit të Leonardos

Drejtoresha flet edhe për veprat e tjera që lidhen me Leonardon, në Muzetë e Vatikanit, duke filluar “nga Shën Jeronimi, i cili tani është ekspozuar në Braccio di Carlo Magno (Krahu i Karlit të Madh), në Sheshin e Shën Pjetrit, por edhe për qëndrimin e rëndësishëm të Leonardo da Vinçit në Vatikan, duke filluar nga vitet 1513-1514, në Belvedere, sot qendra e koleksioneve të Vatikanit, që ruhen në Muzeumin Pio Clementino. Kjo kujtohet nga një dokument i arkivit të Fabrikës së Shën Pjetrit, i cili ekspozohet në Braccio di Carlo Magno, së bashku me Shën Jeronimin pendestar. Në dokument përshkruhet gjithë organizimi dhe të gjitha punët, që duheshin bërë, për të pritur Leonardo da Vinçin në apartamentin e tij në Vatikan”.

Rafaeli e paraqet si Platoni në Shkollën e Athinës

Në afreskun e njohur “Shkolla e Athinës”, thekson më tej Barbara Jatta, “Rafaeli e paraqet Leonardon si filozofin grek Platoni; një Leonardo, që duket shumë plak, por në të vërtetë, e dimë se vdiq kur ishte vetëm 67 vjeç. Kur ndërtoi galerinë e re të Muzeve të Vatikanit, në të cilën ndodhet sixhadja, Papa Piu XI vendosi aty gjashtë emra, ku përfshihej ai i Leonardo da Vinçit, pikërisht, për të dëshmuar rëndësinë e tij në koleksionet e Vatikanit”.