Vetvetja dëshpëruese e humbjes së besimit në gjërat që na japin më pak se sa na marrin

Nga Albert Vataj

Po më ankohej një ditë një mik, për rënien në një gjendje serioze humbje të besimit, zhvleftësim të gjërave që shkruaj dhe mungëse e shtuar e etjes për lexim. Kam nisur të lodhem, shtoi ai duke vizatuar në fytyrë një portret të ngurtësuar në një shikim të gozhduar në një një pikë të vdekur. Sa herë po mendoj t’i braktis të gjitha dhe të bëj jetën e një njeriu të zakonshëm. Nuk mundem, them, dhe përsëri e gjej veten duke lexuar apo shkruar. Mori frymë thellë sikur u çlirua nga një barrë e rëndë që po e zinte përfundi, dhe duke më hedhur një vështrim të ngulmët, më pyeti, po ju profesor, jeni gjendur ndonjë herë në momente të tilla.
Qesha ashtu shkujdesur dhe i’a ktheva: Shpesh, gjithnjë e më shpesh.
Fytyra i’u çil sikur një dritë e beftë i lau të tërën, jo nga jashtë por nga brenda.
Duke vijuar, shtova: – E gjithë jeta mes letrave dhe fjalëve, mendimeve dhe përjetimeve, përfytyrimit dhe përfshirjes më ka kaluar nëpër këtë terren të ashpër. Aq sa mendoj se këto zhgënjime, këto rrëzime, vërtetë na japin plasaritje në zemër, na i gjakosin gjunjët, grisemi dhe çirremi. E pse? Për të dalë sërish aty ku ajo vetvete e krisur të pret, si kurthet pren e vet.
Kjo është normale miku im. Do të shqetësohesha nëse nuk do të ishe kështu sa rrëfyet. Si për të dashur ta bind, vijova:
Vetvetja shpesh më kredh në një gjendje dëshpëruese, apatie, humbjes së besimit dhe shtërrim grryes në interesimin e gjërave që më kanë dhënë më pak se sa më kanë marrë.
Mes asaj që përpiqem të jem dhe asaj që dëshiroj me gjithë shpirt, shtrihet një hendek kaq i madh, teposhtë saj thellon një gropë nga ku dëgjohen vetëm thirrje terri dhe hukam të acarta. Është ky moment kur besimi më lëshon nga krahët e tij, përdhunshëm, siç i’a shkul shkëmbit era rrënjët e një peme shumëvjeçare.
Sado që përpiqem të qëndroj pas shpresimeve të rrejshme e një vullneti që ngulmueshëm më mban për të mos më lënë të bie, përsëri ndihem ashtu si një objekt në rënie të lirë.
Më bëhej se çdo ditë e më shumë nisja të humbisja cakun që më mban larg këtij honi, që më grishte me boshin dhe jehonën e vet. Kisha humbur besimin te gjërat që bëj, dhe ato me të cilat merrem. Më dukej aq të zbrazëta këto përpjekje dhe aq koti këto arritje, sa gjithnjë e më shumë po e shihja si të mundshme rishikimin e marrëdhënieve me lirinë, më kotin e të bërit të gjërave dhe përjetimit të tyre. Më duket se gjithçka më zbraz. Njerëzit, ata, janë kaq të lumtur në kotin e tyre dhe unë kaq shumë vuaj në boshin tim. Gjithë kjo rrugë, gjithë ajo përpjekje… gjithnjë e më shumë më flihet.
Ngado më rrethojnë libra me nënvizime dhe shënime, blloqe të mbushur me copëza krijimesh më vështrojnë ashtu mospërfillës. Gjërat që kam shkruar ma neverisin, shpesh i grisi, i djeg, në rastin më të mirë i flak diku në një skutë. Ka prej tyre që thjeshtë nuk dua t’u kthehem. Janë pa vlerë dhe humbje kohe. Ndihem në turp, ashtu si i zënën në faj, për kohën që kam shpenzuar që t’i jetësoj në fjalë, përfytyrime e përjetime, që më kanë thirrur në joshje. Shpesh, ndihem gjithnjë e më i huaj në mbretërinë time të shpirtërores të përbërë prej librash, librash, raftesh, raftesh… dhe maceve. Shkruaj, shkruaj, lexoj, lexoj, meditoj dhe merrem me diçka tjetër që merr nga koha ime. Dita nuk ndryshon nga nata. E sotmja, është identik me të djehmen, me përjashtim të ndonjë zënke koti me bashkëshorten dhe ndonjë shkaje me tim bir. Iki dhe kthehem te të njëjtat gjëra, te e njëjta kohë që merr nga unë dhe unë i marr prej saj.
Dëshpërohem dhe vuaj, diçka prej pamundësie më kafshon dhe iluzionet më faniten si zjarret apokaliptike që kërcënojnë çdo moment perandorinë time prej fjalësh dhe letre. Askush nuk guxon t’i afrohet vetmis time. Ikja e gjërave, e kohës kryesisht, më dhëmb më shumë edhe se frika e vdekjes që më përndjek si një qoftlarg që ngulmon të më gjunjëzojë.
E megjithatë kjo është jeta ime, ajo që besoj dhe për të cilën kam sakrifikuar gjithçka, miku im. Dhe kjo më mjafton që unë të ndihem i lumtur, në një lumturi krejt e ndryshtë nga ato që i sheh drita llamburitëse e boshit dhe mbështjell atmosfera e hareshme e shtirjes dhe fallsitetit.
Ne duhet të pranojmë se i përkasim asaj lënde që është krijuar për të përballuar trysninë, peshën dhe hapsirën, për ta parë zjarrin si shndërrim dhe hirin si thelbi i gjithçkasë që rivjen për të rinisur.
Miku im, unë nuk i’a lejoj vetes të të jap këshilla apo të të sygjeroj rrugdalje nga bataku ku na hedh shpesh zhgënjimi, humbja e shpresës dhe zhvleftësimi në asgjë, të gjithçkaje që ne bëjmë, që është e vetmja gjë që na bën të besojmë.