Si e portretizoi filozofi francez, Jean Paul Sartri, fotografin e famshëm amerikan me origjin shqiptare, Gjon Mili?!

Ndoshta do të na pëlqente që portreti i një shqiptari të madh siç ishte fotografi Gjon Milio të kishte më shumë nota lirike dhe pathos, dhe më pak lënë të ngjeshur dhe shpesh të murosur mendimi filozofik dhe meditimi shprehës. Por Jean-Paul Sartri nuk dinte të bënte ndryshe, nuk mund të shikonte përtej lenteve të tij optike dhe një shpirti të endur prej fijesh të tendosura. Ai gjithsesi e ka skalitur portretin e këtij shqiptari të madh në një memuar të pavdekshëm, e ka gdhendur në një shkëmb graniti për ta përcjellë ndër breza ashtu të paciflosur dhe tërësisht të vërtetë.  A.Vataj

Jean-Paul Sartri për një Ekspozitë me fotografitë e Milit në Paris, 1946. marrë nga “Photographs & Recollections” by Gjon Mili, 1980;

Ai ka kokën e një ngrënësi milingonash (anteater) që udhëhiqet nga nuhatja për t’u hedhur papritmas mbi prejën e tij. Nën hundën, shumë poshtë saj, një palë mustaqe të vogla. Pjesa tjetër e fytyrës – sytë, mollëzat, flokët e shpërndarë – të kujtojnë një bandit malesh. Para se t’a takoja Milin, kisha njohur vetëm fotografë që të nxjerrin në fotografi nisur nga një lloj zemërimi, si ai që vret. Mili nuk fyen; ai pëlqen çdo gjë: të ngrënët, të pirët, vallzimin. Harlemin e njeh më mirë se çdo i bardhë, Nju Jorkun, më mirë se kushdo tjetër. Ai është i lumtur. Të vret – më keq akoma, dëshiron të robërojë. Edhe në fotografinë më të mirë, ti je jo më shumë se një trup i balsamosur, ruajtur në hipersulfat, ndërsa vetja jote e vërtetë ndryshon vazhdimisht nën trysninë e përjetësisë. Mili të mban në kurth të gjallë, të papërpunuar; në fotografinë e tij, ti vazhdon të luftosh me veten, si peshku në rrjetë.

Mili është njeri i kurtheve. Ai është plot marifete e lëvizje mashtruese që të ç’armatosin; çdo fotografi e tij është një provë, një përpjekje. Për Milin, mënyrat për të fotografuar janë të shumta sa edhe njerëzit.

Nëse të ka zgjedhur si pjesë të koleksonin e tij, ai jo vetëm që do të ngulë me thumb në tabelën e specieve të tij, të gjitha si të gjalla dhe duke luftuar, por, përtej kësaj, ai do të vëzhgojë a shqyrtojë për të njohur thellë e më thellë. Thuhet se banorët primitivë të deteve të Jugut refuzojnë të lejojnë për t’u fotografuar, duke besuar se kështu mund të bëhen përgjithmonë robër të fotografit. Për të kuptuar urtësinë e tyre ju duhet vetëm të shikoni disa nga portretet e Gjon Milit.