Rembrandt, piktori që u dashurua me autoportretet ashtu si me shpërthimin nga terri të ngjyrave dhe dritës së beftë

Nga Albert Vataj

Pikturat e Rembrandt janë të karakterizuar nga penelata të harlisura i ngjyrave drithëruese që shpërthejnë si një dritë gati hyjnore për t’u rrethqarkuar nga toni i fortë i koloritit të ftohta, të dominuara nga e zeza. Autoportrete të shumta shfaqin një depërtim të thellë të karakterit, një tejshikimi në thelbin e një dimensioni shpirtëror të shumëpërmasshëm. 


Por ajo që na thërret në këtë grishje janë autoprtretet, ata të cilat rreken të na rrëfejnë botën e brendshme të piktorit. Nga 26 autoportrete të njohura të Rembrandt, autoportreti i vitit 1659, i cili ndodhet në National Gallery of Art, Washington është jo i ndryshtë nga të tjerët, në rrafshin e teknikës së realizimit dhe shprehisë estetike. Ai pati një interes të shtuar në lidhje me përfshirjen në galerinë e tij krijuese, të autoportreteve. Ai filloi trajtimin e këtij interesi krijues, në vitin 1626, me pikturën me titull, “Në studion e artistit”, për të vijuar më autoportrete të vitit 1628. Në vitin 1629 ai realizon 4 portrete, ku fokusohet te busti dhe detajet shprehëse të fytyrës, të cilat janë pak a shumë në ngjashmëri me njëra-tjetrën, dy e nga dy, por që shfaqin përqendrimin e nevojës për fokusim të elementit dallues, i cili natyrshëm shfaq anën shpirtërore të piktorit. 


Ajo që mbetet interesante në këtë rrafshi është fakti i numrin të autoportreteve që ai bën në vitin e fundit të jetës, në katër tablo të vitit 1669, ai sjell vetveten në të njëjtat teknikë dhe shtjellim në vaj-kanavacë. Fytyra e tij parakalon e trishtë në të katër fokusimet e tablove. Një hije vdekjeje duke se i përshkon në katër cepat e telajos, për t’u sintetizuar në dritëhijen e tij karakteristike, në sfondin dhe në përqendrimin e një bardhësie të mermertë që e përshkon si një shikim tinzar portretin e tij që gatitet të shuhet.
Në autoportretet e mëhershme, ai përpiqet të përcjellë si në një kalendar gjithëçfarë tek ai ngjet në vite dhe kohë. Ulje-ngjitjet emocionale, stabiliteti dhe hovet e suksesit, të gjitha janë të trajtuara në këtë kontekst krijues. Diku ai është një kalorës që ka zbritur nga kali, ka hequr armaturën dhe duke veshur rrobet e një fisniku, tregon se është aty për të ndarë me artdashësit fitoret e tij. Diku ai shfaqe grotesk dhe alegorik. Fjalori i tij i komunikimit në thelb nuk ndryshon. Ai ligjëron me të njëjtat shprehi koloristike dhe i beson të njëjtit ritëm dhe puls. Vështron i përqendruar dhe i shkujdesur duke ruajtur pozicionimin ose duke e këmbyer atë me një larmi që orvatet të tregojë zhvendosje dhe fokusim. 


Por nga të gjithë autoportretet e Rembrandt, ai i vitit 1659 spikat. Asokohe ai ishte një burrë 53-vjeçar me një përvojë të pasur në pikturë dhe me një sukses të padiskutueshëm. Në këtë tablo është saktësisht ai Rembrandt Harmenszoon van Rijn një nga kolosët e historisë së artit.