Peneli në duart e një doktoreshe si mënyrë komunikimi përmes ngjyrës

PORTRET I PAAUTORIZUAR

Nga Albert Vataj

Sfida e çdoditshme si mjeke e familjes për Entela Labaj është një sipërmarrje që kërkon përgjegjësi të lartë profesionale dhe ndjenja të thella humaniteti. Puna si patologe në poliklinikën Nr. 4 Tiranë, nuk është thjeshtë të dëgjosh me stetoskop frymëmarrjen e pacientëve dhe të matësh tensionin, të plotësosh receta e të japësh rekomandime për tek specialisti, është njëherash edhe të dëgjosh ankimet e tyre, çfarë ata i shqetëson. Më shumë se përgjegjësia e punës, është bashkëjetimi me hallet dhe problemet e dhjetëra e dhjetëra njerëzve, kryesisht të moshuar, që vijnë të marrin kontaktin e parë me mjekun. Veç stresit dhe vështirësive që duhen kapërcyer në ballafaqimin me të përditshëm si mjeke e familjes, kjo punë ka edhe emocionet e saja. Dhe për doktoresh Entelën kjo është gjithçka e një dite të zakonshme, që nga orët e para të mëngjesit deri në përfundim të ditës së punës.

Por dita për të nuk përfundon me të hequr stetoskopin nga dora dhe zhveshjen e bluzës së bardhë. Një ditë tjetër fillon në orët e prehjes dhe relaksit. Po, është pasioni për pikturën, ai që e grish dhe e thërret në një tjetër realitet, në një tjetër botë, në një tjetër dimension, Entelën.

Ajo kërkon ta shohë dhe të komunikojë me botën dhe gjithçka përreth nëpërmjet ngjyrave, toneve dhe dritëhijeve. Bluzën e bardhë e zëvendëson me një tjetër, që ka marrë ngjyrat e tablove si për të treguar rrugën nga kanë ardhur për të zbritur në kanavacë momente dhe përjetime, ajo idilikë që pluskon brenda saj si llamburitja e dritave dhe haresë në një lëndinë ku ka shtruar gosti pranvera.

Ajo nuk pretendon ta quajnë piktore, e aq më pak që punët e saj të ballafaqohen në një sfidë estetike vlerash. Ajo tek paneli dhe kavaleti, tek kuadri dhe ngjyrat kërkon të hedh gjithçka struket brenda shpirtit të saj. Në një farë mënyre, peneli është ai që bën zëdhënësin e botës së saj të brendshme. Ashtu shkujdesur si një fëmijë, kërkon t’u flasë momenteve dhe t’u dëshmojë çasteve. Nisën dhe e bitisën udhën e vet krijuese me një hov shpërthyes, si ai poeti që nxiton të end në fjalë gjithëçfarë i feks brenda vetes. Dhe në fund e rrok me vështrim adhurues si nëna fëmijën e vet që sapo e ka nxjerrë në dritë. Dhe kënaqet, lumturohet dhe… diçka e trishton, diçka e bën që të rrëmojë sërish brenda vetes për të gjetur të tjerë fije, me të cilat të nis të end një tjetër përjetim.

Secili nga ne kërkojmë dhe gjejmë një gjuhë tonën për të komunikuar nëpërmjet shpirtit me të tjerët, Entela Labaj ka zgjedhur pikturën, zërin e botës së brendshme, që të komunikojë nëpërmjet kodit të ngjyrave, ashtu siç bëjnë shpirtrat e pasur. Entela ka lidhur jetën e saj me stetoskopin, por peneli është ai që i’a përcakton caqet e lirisë së shpirtit.