Për bukurinë dhe shëmtinë, sipas filozofit skocez, David Hume

Nga Albert Vataj

Sido që të cilësohet trupi, si pjesë të Unit apo si objekt i jashtëm, duhet pranuar se ai gjendet aq afër nesh sa të krijojë njërën nga këto dy lidhje të dyshimta, të cilat i kam cilësuar, kumton Hume, si të domosdoshme për shkaqet e krenarisë dhe përuljes.
Kënaqësia dhe mirakanda që ndjejmë nga bukuria, apo dhimbja dhe brenga që përftojmë nga shëmtia, janë të ndryshme në raport me frymorin që i bart këto dy cilësi.
Nëse përftojmë të gjithë gamën e mendimit dhe përkufizimeve filozofike dhe estetike që orvaten të nxjerrin dallimin midis bukurisë dhe shëmtisë, do të konstatojmë se gjithseçka në këtë përçapje të gjithëkohëshme, kanalizohet në një përfundim: se bukuria, kjo ujdisje pjesësh natyrore, konvencionale apo tekanjoze, është prerë për t’i dhënë shpirtit kënaqësi dhe ngazëllim. Ky është karakteri dallues i bukurisë sipas Hume, dhe që këtej formohen të gjitha veçantitë mes saj dhe shëmtisë, prirja e së cilës është brengosja.
Kësisoj, kënaqësia dhe dhimbja janë jo vetëm pinjollët e bukurisë dhe shëmtisë, por edhe vetë thelbi i tyre.