Nga Albert Vataj
Martin Luther King, Jr erdhi për të mbetur në historinë moderne si një prej veprimtarëve më të shquar të lirive dhe të drejtave të njeriut. Një orator karizmatik, me shumë influencë dhe dinjitoz në kauzën e tij. Trashëgimia kryesor ishte garantimi i përparimit të të drejtat civile të njerëzve me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara, duke u shndërruar në një ikonë e kësaj sfide. King njihet si një martir i dy kishave të krishtera, por edhe predikues, i cili udhëhoqi një prej lëvizjeve më të fuqishme të të drejtave civile që ndryshoi Amerikën dhe bëri jehonë në mbarë botën. Qysh atëherë, Amerika ka bërë hapa të mëdhenj në çështjen racore, por ndarjet e thella fatkeqësisht ende vazhdojnë, ashtu siç mbetet frymëzuese fjala e tij, betejat e tij paqësore për mosdiskriminim racor, vëllazërim dhe bashkëjetesë përmes besimit dhe tolerancës.
Ai kishte një ëndërr në të cilën besoi
“Unë kam një ëndërr. Edhe pse përballemi me vështirësitë e së sotmes dhe së nesërmes, unë ende kam një ëndërr. Është një ëndërr e rrënjosur thellë në ëndrrën amerikane. Më në fund të lirë! Më në fund të lirë! Falë perëndisë së plotfuqishme… Ne jemi më në fund, të lirë.” Ky është një nga fjalimet më frymëzuese të shekullit XX, fjalimi historik i Martin Luther King, i mbajtur më 28 gusht 1963 në Washington, që do të shndërronte përgjithmonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fraza e famshme “I have a dream” (Unë kam një ëndërr) do të kumbonte përpara 250 mijë protestuesve që kishin dalë për të denoncuar racizmin dhe për të kërkuar barazi.
Më 14 tetor 1964, Luther King, merr një Nobel për Paqe, për luftën kundër pabarazisë racore pa dhunë.
Çastet e kobshme
“Nuk e di se çfarë do të ndodhë. Kemi ditë të vështira përpara. Por kjo gjë nuk më shqetëson tani. Le të bëhet vullneti i perëndisë. Nuk i frikësohem askujt. Sytë e mi kanë parë madhështinë e ardhjes së perëndisë.” Ky ishte fjalimi i fundit i tij. Në të u duk sikur parashikoi fundin e tij. Të nesërmen, në orën 06 pasdite, King po qëndronte në ballkonin e dhomës 306 në katin e dytë në motelin “Lorraine”, duke biseduar me muzikantin Ben Branch, i cili do të performonte atë natë në një mbrëmje ku do të ishte vetë Luther King i pranishëm.
Në orën 06:01 minut, të 4 prillit 1968 u dëgjua një e shtënë. Ishte plumbi i një snajperi që goditi në qafë Luther King-un duke zbritur në shtyllën kurrizore e më pas në shpatull. E çuan menjëherë në spitalin “St. Joseph”, ku u deklarua i vdekur një orë më vonë, në moshën 39 vjeçare.
Tronditja dhe ankthi mbi lajmin e vdekjes së Martin Luther King, shkaktoi trazira në më shumë se 100 qytete të vendit, duke përfshirë djegie dhe plaçkitje. Mes një vale zie kombëtare, presidenti Lyndon B. Johnson, iu bëri thirrje amerikanëve të dënonin vrasjen e Luther King-ut, duke e quajtur atë “apostullin kundra dhunës”.
Vrasësi i dënuar dhe vrasësi i vërtetë
Në 4 prill 1968, Martin Luther King Jr u vra nga një snajper pranë Lorraine Motel në Memphis. Dy muaj më vonë, vrasësi i King, 40 vjeçari, James Earl Ray u kap nga policia në aeroportin Heathroë të Londrës. Dëshmitarët e kishin parë atë të largohej me shpejtësi nga një ndërtesë pranë motelit “Lorraine”, me një objekt në dorë që mendohet të ishte arma më të cilën kreu vrasjen. Prokuroret thanë se ai ndodhej në dritaren e tualetit të një ndërtese kur kreu vrasjen fatale. Pasi u shpall fajtor, ai u dënua me 99 vjet burug. Ashtu si të gjithë vrasjet e njerëzve të famshëm, edhe kjo është e rrethuar me teori komploti. Ray deklaroi gjatë të gjithë kohës se ishte i pafajshëm dhe se ishte futur në kurth për t’u fajësuar si vrasësi i Luther Kingut. Në kohën kur Ray ndërroi jetë në vitin 1998, edhe djali i tij u bind se nuk kishte qenë Ray që e kishte kryer vrasjen. Pyetja më e madhe e mbetur pa përgjigje në këtë teori komploti është ekzistenca e një figure misterioze të paidentifikuar me emrin Raoul. Në vitin 1967, Ray ishte një i arratisur nga njëburg i Missourit, ndërkohë që ishte i dënuar për vjedhje. Pasi ishte larguar për në Montreal, Ray pretendonte se kishte takuar një person misterioz që e quante veten Raoul, i cili e kishte pajtuar Rayn që të bënte punë kontrabande për të. Disa ditë përpara vrasjes së Kingut, Ray kishte blerë një pushkë në Birmingham. Kjo pushkë i gjend pranë Motel Lorraine dhe u tha se kjo kishte qenë arma e vrasjes. Megjithatë, Ray këmbëngulte se Raouli e kishte urdhëruar të blinte pushkën dhe se ai ia kishte dhënë Raoulit në 13 prill. Ditën tjetër, Raouli i kishte thënë Rayt që të merrte një dhomë me qera në një konvikt përballë Motel Lorraine. Ky ishte vendi ku sipas akuzës Ray kishte qëlluar Kingun, por Ray pretendoi gjatë gjithë kohës se kishte qenë në një tjetër vend kur kishte ndodhur vrasja. Ka patur gjithmonë debat, nëse Raouli ka qenë truri i atentatit kundër Kingut, apo ka qenë një fabrikim i James Earl Ray. Nëse Raouli ka ekzistuar vërtetë, identiteti i tij do të mund të hidhte shumë dritë mbi vrasjen e Martin Luther Kingut.*
Dyshimet që mbeten pas
Më 4 prill 1968, fotografi i revistës “Life”, Henry Groskinsky dhe shkrimtari Mike Silva, me mision në Alabama, mësuan se Martin Luther King, Jr., ishte qëlluar në motelin Lorraine në Memfis. Dy burrat kërcyen në makinën e tyre, shpejtuan për rreth 200 milje deri në skenën e vrasjes, dhe atje – për habinë e tyre – kuptuan se mund të kishin akses të papenguar në mjediset e motelit, tek një ndërtesë e braktisur pranë tij nga e cila me gjasa erdhi e shtëna e pushkës, në dhomën e motelit të Dr.King, si dhe në ballkonin e zhveshur e të gjakosur ku ra lideri i të drejtave civile, i plagosur për vdekje, pak orë më herët.
“Isha i habitur sesa e shkretuar ishte gjithçka”, thotë Groskinsky, tashmë 79-vjeçar, i pyetur për atmosferën në lagjen përreth motelit. “Më pas, sërish, njerëzit me gjasa mendonin se personi që qëlloi mbi Dr. King mund të ishte ende dikur atje rrotull”.
Për arsye që kanë humbur në kohët që pasuan ngjarjen, fotografitë e Groskinsky nga ajo natë çuditshëm e qetë në Memfis – shkrepur në vendngjarje, dhe pikërisht në atë ditë që shënoi ngjarje të rëndësishme të shekullit të 20-të – nuk u publikuan në revistën “Life” dhe historia pas tyre nuk u tregua kurrë. Deri tani…
Sot 51 vite pas vdekjes
Po sot 51 vite pas vdekjes së tij, 51 vite pas atij atentati që vrau një aktivist të të drejtave, paqes, besimit dhe tolerancës. Sot ku është Amerika e njerëzve me ngjyrë, Amerika ku ai kishte një ëndërr?!
Profesorja për Racën, Median dhe Komunikimin në Universitetin Amerikan … Sherri Williams:
“Ajo që ai po përpiqej të arrinte ishte barazia racore dhe jo vetëm barazia racore, por edhe drejtësia ekonomike”. “Ne e dimë se pikërisht përpara se të vdiste, ai po punonte në Fushatën për Njerëzit e Varfër. Ai ishte në Memfis duke punuar me punëtorët sanitarë, të cilët ishin në grevë dhe në thelb po kërkonin vetëm një pagë për të jetuar”.
Greg Carr në Universitetin Howard thotë se ndërsa ka patur përparim, pabarazitë ekonomike ende ekzistojnë.
“Nëse shikoni Amerikën me ngjyrë në përgjithësi, ekonomikisht një familje afrikano-amerikane në këtë vend, ka një pasuri prej 10 centësh për çdo dollar që ka një familje e bardhë. Pra një të dhjetën e pasurisë së një familjeje të bardhë – kjo është absurde”.
Yonas Beshawred është inxhinier informatike në Silicon Valley. Ai thotë se si një imigrant afrikan ai përballet me të njëjtin lloj diskriminimi si afrikano-amerikanët:
“Ndodh në mënyra të ndryshme, psh kur shkon në një takim me një investitor , kupton se ata thjesht nuk duan të dëgjojnë atë që ke për t’iu thënë. Ndoshta është sipërmarrja jote. Ndoshta është si ajo për të cilën po punon, por herë pas here e ndjen se është vetëm për shkakun tënd dhe të ngjyrës tënde. Ata thjesht nuk duan të kenë të bëjnë me njerëzit me ngjyrë dhe unë vetëm e anashkaloj këtë fakt. Them me vete, ‘nuk është për mua, do të shoh për një mundësi tjetër’ “.
Të jesh një njeri me ngjyrë në Amerikë ka ndryshuar që nga fjalimi i famshëm i Martin Luther King “Kam një ëndërr”. Ka thënë Dennis Rodriguez, përkrahës i lëvizjes “Black Lives Matter”. Amerika votoi dy here një president afrikano-amerikan në vitin 2008 dhe përsëri në vitin 2012, por përmirësimi i marrëdhënieve racore – siç dëshmohet nga një ringjallje kohët e fundit e grupeve të supremacistëve të bardhë – është ende larg.
Martin Luther King do të jetë përgjithmonë një “shenjtor” i të drejtave dhe besimit. Ai ngriti një altar dhe thuri ëndrra, u martirizua dhe jeton përjetësinë.