Franc von Nopça, albanologu që punoi dhe luftoi për kulturën dhe interesat shqiptare

Nga Albert Vataj

Sot 86 vite më parë u vetvra Baron Franc Nopça. Një figurë e rëndësishme e albanologjisë. Nopça njihej si etnolog, gjeolog, paleontolog, udhëtar, aventurier, dhe figure publike dhe politike, dhe veprimtaria e tij shkrihet në një hartografi që përshkon: Vjenë, Shkodër, Sarajevë, Bukuresht dhe Budapest.

Më datën 26 prill 1933 gazeta Neue Freie Presse e Vjenës botoi artikullin e mëposhtëm:

“Drama e përgjakshme në rrugën Singer. Studiuesi si vrasës dhe vetëvrasës. Siç u njoftua, Privatdocent (Baron) Dr. Franc Nopça, pesëdhjetepesë-vjeçar, vrau dje paradite sekretarin e tij afatgjatë, shqiptarin dyzetepesë-vjeçar Bajazid Elmas Doda, në banesën e tij në katin e tretë të shtëpisë së parë në rrugën Singer, numër 12, dhe pastaj vrau vetën para tavolinës së dhomës së punës me një të shtënë në gojë. Nga hulumtimi mjekësor zyrtar doli që sekretari kishte pësuar dy të shtëna gati në të njëjtin vend në tëmblën e majtë, të cilët shpunë kafkën krejtësisht, kështu që fisheku, pas daljes nga koka, ngeli në jastëkun e karrigës.

Duket se Nopça e kishte përgatitur veprimin paraprakisht. U gjetën shumë letra lamtumire të mbyllura për farefisin dhe për miqtë e tij, si dhe një testament të mbyllur për një avokat vjenez dhe shënime të tjera. Mendohet që një arsye e veprimit të ketë qenë gjendja e vështirë financiare e tij, me qenë se shërbëtorja tha që ajo nuk e kishte marrë rrogën që prej katër muajsh. Dihet gjithashtu që Franc Nopça, i cili donte më shumë se çdo gjë tjetër librat dhe koleksionet e tij, kishte menduar edhe për bibliotekën e tij të madhe me shumë vepra unikale.

Një shkresë policisë: “Arsyeja e vetëvrasjes sime është sistemi im nervor i hallakatur. Arsyeja që vrava mikun dhe sekretarin tim afatgjatë, zotin Bajazid Elmas Doda, në tëmblën kur flente gjumë, dhe pa dijeninë e tij, është që unë nuk doja ta braktisja të sëmurë, të shkretë dhe pa para në botë duke qenë se ai do të kishtë vuajtur shumë. Unë dëshiroj që trupi im të digjet.”

Ky ishte fundi i tij tragjik

Gjeografia dhe gjeologjia e Shqipërisë Veriore është vepra më e madhe e Nopçës, kulmi i jetës së tij shkencore

Në lidhje me Shqipërinë, Nopça ka qenë i njohur kryesisht si etnolog, por ishte edhe një gjeolog, gjeograf dhe paleontolog me famë. Kujtimet e tij, të cilat mbulojnë periudhën nga 1897 deri më 1917, na prezantojnë Nopçën deri diku edhe si historian i kohës së tij. Para Luftës së Parë Botërore ai kishte blerë një shtëpi në Shkodër ku jetonte, pranë maleve dhe malësorëve të Veriut që i donte aq shumë. Nopça ishte ndër të huajt e parë që kanë depërtuar në Malet e Veriut (dhe që i kanë mbijetuar udhëtimit). Ai u shqua gjithashtu si figurë publike dhe politike e kohës së tij. Ai dinte me siguri më shumë për Shqipërinë dhe për shqiptarët e Veriut se çdo austrohungarez tjetër.

Si studiues i pavarur Nopça ishte tepër aktiv gjatë periudhës së largimit nga jeta politike dhe botoi me të gjithë 186 punime, 54 të këtyre veprave janë për Shqipërinë dhe për kulturën shqiptare.

Për sa i takon lidhjeve që baroni pati me shqiptarët është interesant fakti se Nopça ka qenë komandant i një njësie ushtarake të vullnetarëve shqiptarë. Qëndrimi i tij në favor të interesave shqiptare ishte ai në Kongresin e Triestës në vitin 1913, për zgjedhjen e një princi evropian për Shqipërinë, ku ai ka qenë kandidat.  Sipas albanologu kanadezo-gjerman, Robert Elsie, Franc Nopça duke qenë i informuar mirë për Shqipërinë, ka mundur të mbrojë interesat e saj në Vjenë. Herë ishte i respektuar aty si ekspert, herë ishte i mënjanuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, punë intrigash. Si kandidat për postin e mbretit të Shqipërisë nuk besoj se ai ka qenë i rëndësishëm. Kishte mbështetjen e shqiptarëve të Veriut, por – që është më thelbësore -, nuk kishte mbështetjen e Austrisë, apo të Fuqive të Mëdha. Pas pavarësisë së Shqipërisë, Nopça u tërhoq nga politika, siç thekson, nga inati për faktin se Ismail Qemali, të cilin ai e trajton si tradhtar, i kishte dorëzuar Çamërinë dhe Janinën grekëve. Gjatë Luftës së Parë Botërore ka qenë prapë në Shqipëri, ku organizoi një njësi vullnetarësh shqiptarë nën komandën e Austro-Hungarisë, por, siç dihet, Austro-Hungaria humbi luftën, dhe Nopça u kthye në Vjenë.

Për jetën e tij personale Baroni Franc Nopça flet fare pak, mësohet të jetë shprehur Elsie në një interviste, gjë e kuptueshme për kohën e tij. Për sekretarin dhe dashnorin e tij shqiptar ai thotë: “Më 20 nëntor (1906) jam njohur në Bukuresht me Bajazid Elmaz (Doda). Që prej asaj kohe, Bajazidi ka qenë me mua dhe, pas vdekjes së Lui Drashkoviqit, ai ka qenë i vetmi njeri në botë, të cilën kam dashur vërtet dhe ndaj të cilit prandaj kam patur një besim të plotë, pa menduar kurrë se ai mund të shfrytëzonte mirëbesimin tim. Ai ka patur edhe huqet e tij, por e kam pranuar siç ishte. Serbët, nga inati për çdo gjë austrohungareze dhe nga inati për mua, duke ditur se unë merrem në mënyrë të veçantë me Shqipërinë, i kanë vrarë babain dhe vëllaun e Bajazidit në Stirovicë më 1913. Në fund të nëntorit, dhjetor dhe në janar 1907 kam qenë me Bajazidin në Saçal (vila e baronit në Transilvani) dhe në shkurt kam qenë me atë në Londër…”

Nëse dashuria e tij për sekretarin ka qenë pasoja e dashurisë së tij për Shqipërinë, ose dashuria e tij për Shqipërinë ka qenë pasoja e dashurisë së tij për Bajazidin nuk mund të them, por ka shumë raste të ngjashme të aristokratëve dhe të albanologëve të huaj që kanë patur marrëdhënie intime apo të ngushta me shqiptarë vendas dhe që me siguri u frymëzuan nga këto lidhje shton albanologu. Baronesha gjermane Mari Ameli fon Godin (Marie Amelie von Godin, 1882-1950), e cila kishte shkruar romane aventureske për Shqipërinë dhe kishte përkthyer Kanunin gjermanisht, ishte mike intime afatgjate e aristokratit shqiptar Ekrem bej Vlora (1885-1964). Ata nuk kanë mundur të martoheshin vetëm sepse ajo ishte katolike, kurse ai mysliman. Obori Herbert (Aubrey Herbert, 1880-1923), diplomati dhe shkrimtari aristokrat anglez, i cili, bashkë me Edit Durham-in, kishte themeluar Shoqatën Anglo-Shqiptare në Londër për të mbështetur pavarësinë e Shqipërisë, u frymëzua, si Nopça, nga një dragoman shqiptar, Qazim Kokeli. Margaret Hasluk (Margaret Hasluck, 1885-1948), antropologe skoceze, e cila kishte jetuar 13 vjet në Elbasan, ishte mike e ngushtë dhe, sipas thashethemeve, dashnore e dijetarit elbasanas Lef Nosi (1873-1946). Pa përmendur rastin e jetës skandaloze të Lord Baironit (Lord Byron, 1788-1824), për të cilën është shkruar shumë, shton Elsie.

Një detaj shumë sinjifikativ në lidhje me këtë figurë të rëndësishme është edhe fakti se Baroni Franc Nopça është lënë për një kohë të gjatë mënjanë nga albanologjia shqiptare. Para së gjithash sepse kjo shkencë përqendrohej në radhë të parë në studime gjuhësore, historike dhe letrare. Ndërsa për Nopçen dihej se fokusi kryesor i veprimtarisë së tij hulumtuese, dekaloguese dhe promovuese ishte kryesisht në fushat e etnologjisë dhe gjeologjisë. Ndoshta kjo ka bërë që ai të jetë fare pak pjesë e albanologjisë. Elsie parashtronte si arsye edhe faktin se mungojnë përkthime të veprave të tij në shqip. Gjithsesi ai ishte dhe mbeti një personalitet me veprimtari të pamohueshme albanologjike. Vepra që ai la dhe emri që ai skaliti në memorin e shqiptarëve është një testament i rëndësishëm që meriton të trajtohet dhe të vlerësohet.

Baroni Franc Nopça sot është i vlerësuar dhe konsideruar, ndoshta jo sa dhe si duhet por trashëgimia krijuese dhe dokumentare që ai la janë një visar i çmuar i vetëdijes, kulturës, traditës, dokeve, zakoneve dhe pasurisë shpirtërore të shqiptarëve.