Stephen Hawking, fikja e atij dielli shndritës të dijeve që shtyti tej caqet e zotërimit njohës të njeriut

Nga Albert Vataj

Fizika, shkenca dhe gjithë ajo galaksi, së cilës mendja e tij e përshkoi tejpërtej, u ndanë një vit më parë. Ishte shuar pas një kohërendie të ngulmimit përdhunshëm në jetë, Stephen Hawking, ai kapaciteti i patëdytë i shtytjes tej të caqeve të pambërritura më parë nga njeriu. Stephen Hawking, një prej kreshtave më të larta të të mundshmes së njeriut për të zotëruar misteret e universit, erdhi për të dhënë si pakkush tjetër të tilla aftësi të njohjes. Ai kishte ardhur me mison për të “ç’burgosur” naivitetin e njeriut nga terri i pafundësisë. Një vdekje e paralajmëruar e merr në moshën 76-vjeçare atë fenomen të dimensionit të dijes, atë njeri që vuajti kaq shumë në betejën me sëmundjen dhe i dha njerëzimit shkodimin e shumë sekreteve, duke i garantuar një status të privilegjuar në aftësinë për të perceptuar fenomenet derimsot të pashpjegueshme të hapësirës.

Fizikanti i njohur Stephen Hawking i’u dha vdekjes paqësisht në shtëpinë e tij në Kembrixh në orët e para të ditës së sotme, 14 mars 2018.

Stephen ishte i njohur për punën e tij me vrima të zeza dhe relativitet, dhe shkroi disa libra të njohura shkencorë duke përfshirë një histori të shkurtër të kohës.

Në moshën 22-vjeçare, Stephen Hawking i’u dhanë vetëm disa vite për të jetuar pasi u diagnostikua me një formë të rrallë të sëmundjes neurone motorike. Sëmundja e la atë në një karrige me rrota dhe në masë të madhe nuk mund të fliste përveçse përmes një sintetizuesi zëri.

Prof Hawking ishte i pari që përcaktoi një teori të kozmologjisë si një bashkim relativiteti dhe mekanikë kuantike.

Humbja e tij ishte mbarim i kohës së sundimit të hapësirës… dhe kurajë për të besuar te kapacitetet e njeriut për t’i shtytur tej në pafundësi caqet e së mundshmes së zotërimit përmes vullnetit të dijes.