Planeti Mars dhe ndikimi në jetën tonë, muaji mars, e marta, natyra dhe rizgjimi

Nga Albert Vataj

Pavarësisht se dyshuesit janë më dominues se sa ata që besojnë në vërtetësi faktesh dhe intuitivitetin e pretendimeve shkencore, planetët kanë një ndikim të pashmangshëm me jetën e njeriut, njëri prej të cilëve Marsi. Nëse ne nuk kemi pranuar veten tonë si një ngjarje në galaksi, atëherë nuk kemi pse t’i jepemi një kohëhumbjeje për të hulumtuar fakte dhe për t’iu bindur argumenteve që provojnë se ne nuk jemi thjeshtë një rastësi në ekzistencë, në jemi një fakt që bashkëngjitet çdo fenomeni tjetër që përbën në vetvete pafundësinë e universit.
Marsi “Zoti i luftës”
Pretendimi i pareshtur romak për zgjerimin e territoreve dhe sundimeve i favorizonte synimet e tyre dhe përdorimin e Marsit si Perëndia e Luftës, kjo kryesisht për shkak të rinisjes së fushatave të përgjakshme të nënështrimit të popujve. Duke shfrytëzuar kushtet atmosferike të përmirësuar, projektet dhe sprovat i jepeshin ekspeditave, shumë prej të cilave të ndërprera sikur Marsi vinte të ndërsente etjen e bishës së tërbuar për gjak dhe vdekje . Gjithashtu, Marsi (greqisht: Ares) është edhe për grekët “Zoti i luftës”. Astronomët kinezë e quajnë Marsin “ylli i zjarrit”, ndërsa edhe për priftërinjtë e lashtë egjiptian i tillë mbetet përkufizimi për këtë planet.
Të martat janë Ditët e Marsit!
“Çfarë dite është kjo?” Në prejkohje ne i jemi dhënë kureshtisë se çfarë dite është kjo dhe ku konsiston lidhja mes ditës së martë dhe planetit Mars. Kjo sfidë e njohjes i ka rrënjët thellë në kohë, afërsisht 5000 vite të shkuara, atëherë kur babilonasit krijuan fillimisht javën duke e ndarë atë saktësisht siç e kemi ne sot, në shtatë ditë. Çdo ditë fatlume u pagëzua me emrin e shtatë të qiellit, siç quheshin në lashtësi planetet: Dielli, Hëna, Marsi, Merkuri, Venusi, Jupiteri dhe Saturni. Babilonasit besonin se secili nga këto objekte qiellore ndikon në jetën e njerëzve në ditët e emërtuara për ta. “Dita e Marsit” ishte dita e martë. Për shkak të ngjyrës së kuqe të planetit, babilonasit e lidhën Marsin me agresionin, gjakun dhe zjarrin, pikërisht referuar këtij fakti besohet se ata kryenin ceremoni të veçanta çdo të martë të marsit për të shmangur ndikimin e frikshëm të këtij planeti luftarak.
Muaji mars i takon planetit të kuq!
Ne mendojmë dhe kremtojmë 1 janarin si Dita e Vitit të Ri, por faktet dëshmojnë për të kundërtën. Marsi ishte i shumënjohur dhe trajtuar si Perëndia romake e luftës, edhe pse fillimisht këtë planet e lidhin me bujqësinë, mbjelljet, kultivimin, me zgjimin e njeriut në rivendosjen e komunikimit të tij me tokën dhe natyrën, në funksion të bashkëjetesës së harmonishme dhe reciprocitetit të faktorëve. Nga kohët romake deri në shekujt e mëvonshëm, Marsi pati nderin të fillonte Vitin e Ri, sepse shihej si një kohë ringjalljeje e natyrës, por edhe e njeriut si pjesë e kësaj marrëdhënie, kur stina e ftohtit dhe acarit i çelte rrugën pranverës, përtëritjes dhe gjallërisë, vlimit dhe gufimit, ngjyrave dhe aromave, fluturimit dhe vërshimeve.
Marsi ka një ndikim të fuqishëm jo vetëm në normën e aktivitetit tonë fizik por edhe në mendimet dhe yshtjet shpirtëror. Teresia anatomike e njeriut i përgjigjet asaj të natyrës, si në një bashkërendim të veprimtarisë. Njeriu ashtu si dhe bimët, pemët, shpendët, kafshët, insektet, ndihen të rrokur fuqishëm nga një afsh përfshirje zgjimi. Tek ne rriten të rrahurat e zemrës, tensioni i gjakut pëson ndryshim të theksuar, gjithë ai univers i padukshëm qelizash, nervash e sekretimesh, i dorëzohet një vullneti agresiv veprimi. Jo vetëm jashtë por edhe brenda nesh, na mbetet të jemi dëshmitar të bindur të një beteje flakëruese, të një luftë për transformim gjallimi. Nuk mbeten pas në këtë “kacafytje të përgjakshme” edhe epshet, dëshirimet e thekshme të ndijimeve tona, të cilat në një harmoni perfekte të komunikimit e marrim trupin dhe shpirtin tonë për ta hedhur në zjarrin e përjetimit, në krahët e asaj force dhe atij pushteti që vjen të sjell krijimin, të mëkojë dritën, të shkrij lumenjtë e ngrirë të limfës për t’i vërshuar brenda nesh si zemëratën e një vullkani të egërsuar nga ndalimi. Me marsin rilind jeta, në natyrë dhe gjithçka që popullon bujarisht atë, ku njeriu ka rol parësor ngase është i përulur dhe mirënjohës të pranojë se është ai i zgjedhuri të sundojë përmes njohjes.
Marsi mikpritës
Është domethënës fakti se Marsi është planeti më mikpritës për jetën përveç Tokës. Si i tillë, misionet planetare të kohëve të fundit janë përpjekur të përcaktojnë nëse ekziston edhe baza më e thjeshtë e jetës në sipërfaqen e planetit. Misioni “Viking” ka kryer eksperimente në tokën marsiane me shpresën e zbulimin e mikroorganizmave. Ndërsa fillimisht besohej se formimi i përbërjeve gjatë eksperimenteve ishte rezultat i agjentëve biologjikë, është përcaktuar përfundimisht që këto komponime mund të krijohen pa mekanizma biologjikë.