Përgjigje pyetjes dashamirëse të një miku që beson se paraja është gjithçka

Nga Albert Vataj

Një miku im, mori guximin dhe pa ndrojtje mu drejtua me një pyetje, që mendoj se e kishte shumë të sinqertë.
– Miku im, keni shkruar me dhjetra portrete, kumtime monografike, esse, përsiatje, impresione, e një larmi të pafund shkrimesh, të cilat i ndan me miqt përmes profilit tuaj në facebook dhe blogut tuaj, www.albertvataj.com.
– Në dijenin time për gjithë këtë nuk keni marrë kokërr leku.
– E jo vetë kaq!
– Modestia juaj është jo për t’u admiruar, por për t’u ndëshkuar. Refuzoni ftesa dhe çmime, fshiheni sikur i keni borxh gjithë botës. Shkon dhe vjen nga puna në shtëpi dhe anasjelltas, si për të ruajtur brenda një misteri vetën dhe punën tuaj.
Pse bëni gjithë këtë, pse i jepeni kësaj pune, harxhoni gjithë këto orë angazhim dhe cfilitje, për diçka që nuk të ofron asnjë shpërblim financiar?
– Egoizmi?!
– Nuk do të besoja mik, sepse je kaq i përulur dhe dashamirës.
– Pse atëherë?! – shtoi ngulmues.
– Nëse nuk të mbetet hatri, ju nuk është se nuk keni nevoja ekonomike.
– Pse nuk i vini fre këtij tërbimi pasioni për t’iu dhënë një pune angari, një lodhjeje të pa bereqet?
– Dëgjomëni mua miku im, jeni ende në kohë të pendoheni. Merruni me punë që të shpërblen, përfundoi ai.

I bindur se nuk i kisha para borxh, e dëgjova pa u traumatizuar, këtë ligjërim, duke i lejuar edhe kredencialeve shoqërore që i jepnin mundësi të guxonte kësisoj.
Pak a shumë, drejtpërdrejtë ose tërthorazi, ma kanë bërë këtë pyetje, shumë miq dhe të njohur, të cilët kanë qenë në dijeni dhe shpesh të përfshire nga zjarri i pasionit, me të cilin unë gdhendi portrete dhe ndërmendje, kumte dhe përsiatje, për të gjithë ata që sipas meje na lanë peng shpirtin e tyre përmes aktit të lartë të krijimit, të cilin ikën nga kjo botë, pa mundur ta merrnin dot me vete atë që na bëri ne të pasur në shpirt.

– Miku im, ju drejtova, unë nuk jam i pasur, por pasuria që më ka dhënë ky përkushtim, kjo punë rraskapitëse por e bukur, është nga ato pasuri që dritin përditë në shpirtin tim diej, me sytë e të cilëve unë shoh dhe përjetoj botë të panjohura.
Unë e bëj këtë punë ngase ndihem borxhli, të gjithë atyre, për të cilët kam shkruar, padyshim edhe atyre për të cilët do të thur me fijet e holla të ndijimeve të mia, pëlhurën e asaj breroreje që do të bëjë që ata të shndrijnë përgjithnjë, së paku në sytë e mi, por me gjas edhe të atyre që besojnë ashtu si dhe unë, dhe priren t’i jenë falënderues deri në përulësi kontributin dhe vlerave, me të cilën ata pasuruan jetën tonë.

– Miku im në jetën tonë, paraja është shumë e rëndësishme. Unë nuk jam aq naiv sa të besoj se mund të jetoj me frymën e shenjtë që mëkuan këto profetë, sikurse nuk mund ta fsheh besimin që kam te shpërblimi që i blatohet lutjeve të mia, më të cilën i drejtohem shpirtit të madh të universit, aty ku u mbrujtën këto vullnete qiellore, si shprehje e lartë e pasurimit të botës me më të shtrenjtin pasionin e tyre.

– Të siguroj miku im, se shumë prej atyre, për të cilët kam shkruar dhe nuk do të resht së ndërmenduri, jetuan, krijuan dhe vdiqën pa mundur të vilnin qoftë një kokërr të vetme nga pema e tyre e begatisë së shpirtit. Të tjerë fatkeq, jeta i ndëshkoi me pamëshirshëm se fati, koha i paragjykoi dhe i linçoi më egër se çdo gjykatore puritane. Të tjerë ishin ata që u përzunë dhe ju përbalt emri dhe altari. Vdiqën dhe i mori harrimi disa të tjerë. Por të gjithë, të gjithë erdhën për të lënë në etjen tonë për dije, afshin tonë për diell shpirti, epjen e pandalshme tonën për të rrokur të magjishmen e endjeve fijeholla, me të cilën ata thurën ëndrrat dhe dëshirat, qëndisën qiejt me yje, llamburitën trupin e epshëm me flakërima ndijimesh, duke na mëkuar mrekullimin.
Ata më kanë mësuar miku im, të njoh botë, të mëkohem me të bukurës, të jetoj gjithësinë në një çast. Më kanë treguar se nga hyhet në shpirtin e njerëzve, Më kanë bërë me dije mbi forcën që ka fjala për të ndezur një dritë ku pllakosë errësira, për të prushur një hukamë ndjesi ku cerg shpirtin dhimbja dhe braktisja. Ata më kanë treguar se si të jetoj i lumtur dhe t’i ndaj rrezet e këtij dielli me të tjetër që kanë nevojë, pa u drashtur se do të shuhet dielli im. Zejën e fjalës dhe mendimit, të zjarrit dhe të rrufesë, të prekjes dhe puthjes, prej tyre e mëlmeva. Gjithëçmos më dhanë ata, pa më kërkuar asgjë në këmbim, sepse nuk kishin shpirt për të shitur as për të blerë.
– Miku im, unë, ne, i jemi mirënjohës atyre që na shpërblyen me çfarë patën më të shtrenjtë në shenjtërinë e tyre, krijimin. Dhe… ajo që unë bëj, dhe jo vetëm unë, është një përpjekje modeste për të shlyer këtë borxh, për të shpaguar këtë detyrim, për të merituar këtë dhuratë, me të cilën shpërblehem dhe çmohemi, çdo çast që ndjej se si përshkohem nga dielli që ndezën ata në shpirtin tim.
Albert Vataj