Letër mirënjohjeje mësuesit të tim biri për 7 Marsin

Nga Albert Vataj

Më duhet të nis këtë letër duke sjellë në ndërmendje një episod nga jeta e një personaliteti të madh të historisë botërore, siç ishte Aleksandri i Madh dhe mësuesin e tij, kreshta e mendimit filozofik, Aristoteli, si përqasje vlerësuese dhe falenderuese për punën dhe profesionin tuaj.

E pyetën njëherë Aleksandrin e Madh se përse nderonte Aristotelin, mësuesin e tij, më shumë sesa babain?

– Sepse, – u përgjigj Aleksandri – mbreti, Filip i Maqedonisë, duke më dhënë jetën, më zbriti nga qielli në tokë, ndërsa Aristoteli me mësimet e tij, më bëri të ngjitem nga toka në qiell.

Mësues i tim biri…

… dëshiroj të ju përcjell urimet më të përzemërta, por edhe besimin, se profesioni i mësuesit ka marrë prej jush më shumë se ai ju ka dhënë, pa ju lëkundur në atë që ju ka shtyrë që mes shumë profesionesh, të zgjidhni pikërisht më sfiduesin, atë të mësuesit. Misionarët e dijes dhe jo vetëm, kanë ardhur për të ngritur altarët e përulësisë dhe mirënjohjes, tempujt ku qytetërimi përcakton caqet e së mundshmes dhe kufijtë e njohjes.

Besimin se një mësues është një heroi i ditëve të sotme, nuk ma trondit zhvendosjet tektonike që sjellin mekanizmat kapës dhe denigrues të këtij “shenjtori” të nxënies. Sepse ju nuk mund të jeni fajtorë për shndërrimin që pësoi dhe goditjen që mori, shkolla dhe së bashku me të dhe roli juaj si edukator dhe farkëtues të brezit të ri.

Mësues i tim biri…

… duke njohur vështirësitë gjithnjë në rritje për kryerjen e misionit tuaj të mësimdhënësit, dua të besoj, se im bir ka mundur të ketë një mësues, një ngadhënjyes që ka sfiduar të jetë edukator i një brezi, jo vetëm shumë më të ndryshtë nga moshatarët e tyre në kohën time dhe tuajën patjetër. Nuk mund të bëhet asnjë krahasim mes shkollës që na gatoi ne dhe asaj të sotmes, e cila po shfaq gjithnjë e më kërcënueshëm pamundësinë për të përmbushur detyrën e lartë.

Është folur dhe vijon të ziej ajo retorikë boshe e politikanëve dhe zejtarëve të dalldisjes së opinionit. Nuk ka ide as dashamirësi. Nuk ka përpjekje veç propagandë. Ku duhet vullnet gjithnjë krijohet një preteks. Palët përplasen për të dëshmuar tempin e tensioneve. Ku ziejnë mllefe, mufaten koka të nxehta, zbrazin vrerë gjuhët e helmatisura, gufojnë fermente urrejtje. Dhe ngjet ajo më e “urta” dhe ulëta, fajësohen të pafajshmit, akuzohet viktima. Në këtë situatë pasigurie dhe paniku, ata flasin për teori dhe modele, për pamjaftueshmëri predispozite e nxënësve dhe neglizhencë të rolit kontribues të prindërve.

Nuk e përjashtoj për asnjë moment përgjegjësinë time si prind, për t’u bërë ingranazh i atij mekanizmi që vë në lëvizje një rol të pasuruar të shkollës, tempullit ku ngjizet gjeneratat e ardhmërisë. Por pengesat për të patur një vlera dëshmuese në këtë sipërmarrje, kanë qenë shumë herë më larta se mundësia reale për t’i kapërcyer. Përkundër nevojës së tyre për më shumë prani tonën, është shumëfishimi i domosdoshmërisë kohore për të bërë ballë të sotmes. Gjithsesi ajo që prindërit bëjnë, gjithnjë është e pamjaftueshme, sikundër mbetet krejtësisht e papranueshme trajtimi i mangësisë së prindërve, si shkaksi e situatës së vështirë ku përballen pritshmëritë e shkollës për të paraprirë.

Por nuk duhet mohojmë faktiken e problematikës, nëse duam të udhërrëfejmë zgjidhjen. Fatkeqësisht shkolla e ka zhbërë dukshëm prestigjin e vet, (me hidhërim për ta besuar si të vërtetë), duke u kthyer në një institucion asistimi. Kjo jo vetëm për arsye jashtëarsimore, politike dhe denigruese, por edhe për kredencialet në rënie të autoritetit të mësimdhënësve. Se çfarë ndodhi me mësuesin ndoshta duhet ta gjejmë në të kuptuarit e evoluimit të brezit, në të pranuarit të disbalancave dhe ndryshimeve që insistueshëm kërkon adaptim të krijimit të kushteve për rigjetje të ekuilibrit të prishur. Përpjekjet ndoshta nuk i përgjigjen njëzëri nevojës dhe realiteti bëhet dëshmitar i thellimit të krisjes.

Nuk kam besuar kurrë dhe vijoj të mbetem konstant idesë, se nuk është shpërblimi monetar ai që bën diferencën, në mënyrën se si mësuesi duhet të jetë mësues dhe shkolla të mos jetë në një karantinë disaorëshe e një mase njerëzish, që nuk u lejohen shumë gjëra. Shpesh u privohet e drejta për t’u përfshirë në procesin, si të mësimdhënies dhe të mësimnxënies, ashtu edhe të parashtrimit të ideve krijuese, që këta “të burgosur” të dinë ta shfrytëzojnë mundësitë që i jep dija për të kuptuar lirinë.

Mësues i tim biri…

…deri në momentin që kolegët tuaj të vetëdijësohen se nuk jenë rrogëtarë por misionar, premisat për pritshmëritë e dëshiruara mbeten tentative mjerane. Gjithçka që ju përfaqëson në këtë sipërmarrje, duhet të jetë pasioni dhe përkushtimi dhe jo orari dhe shpërblimi. Im bir, dhe fëmijët e tjerë, nuk janë ata që do të dëshironit ju si mësues, ndoshta edhe ne si prindër, të jenë urtë deri në përulje, të bindur deri në nënshtrim, të përkushtuar deri në përkorje, jo.

Ata janë, pikërisht ato, që ne në moshën e tyre nuk guxuam të ishim, fëmijë. Ata janë të padëgjuar dhe rebel, të shkujdesur dhe trazovaç, të pabindur dhe zullumqarë, janë acarues deri në humbje të kontrollit, por janë vetvetja, janë ajo moshë së cilës u pranohet çdo paudhësi  dhe çdo gabim i tyre është i shfajësuar. Ata, megjithëse guxojnë të vijnë në mësim pa bërë detyrat, të papërgatitur, kanë fatin e mirë të jenë aq të përgjegjshëm për fajet që bëjnë dhe pasojat që i presin. Sepse ata u rritën nga liria dhe shpengimi i të qenit fëmijë, duke refuzuar prindërit despot dhe mësuesit gardianë.

Mësues i tim biri…

… kam qenë dhe mbetem në oponencë, por jo refuzues, me institucionet vlerësuese, nota në këtë rast, duke i konsideruar atë, jo si një pasurues i karakterit të nxënësit dhe motivues për të shtytur tej caqet, se sa dhunues dhe denigrues i shenjtërisë së marrëdhënies së fëmijëve me dijen. Duke konsideruar si parësore notën, kjo strategji që mban peng evoluimin e praktikave inspiruese, pengon dukshëm zhvillimin e pavarur, duke e shndërruar dijen në një prodhim sere dhe vlerësimin, kushtëzim rrethanash për rritje dhe pjekuri jashtë një vullneti të lirë dhe një zgjedhje të vetvetishme, që nxënësi duhet të krijojë për marrjen e përgjegjësive.

Shkolla, mësimdhënia, megjithëse nuk kanë mundur të ndjekin hapat e nxituar të progresit, pajtohet me përpjekjet apatike të mbërrijë kohën, por i mbetet të takohet vetëm me vetveten. Kjo ngase kohë lëviz sipas ligjësisë së ambicies që njeriu modern, i cili i ka vënë qëllim vetes të sprovojë mbi caqet e së mundshmes së njeriut për zotërim.

Mësues i tim biri…

… shkolla duhet t’u mësojë fëmijëve jo vetëm logjikën e ftohtë të tekstit, por duhet t’u mëkojë të jenë të përfshirë në realitet, të jenë aktorë, jo spektator, të dinë të përballen me të papriturën si me një episod të së çdoditshmes. Ju mundoheni dhe sfiliteni që mënyrat e mësimdhënies të jenë sa më efikase, por harroni se problemi nuk qëndron vetëm aty. Diçka tjetër më thelbësore i mungon sot shkollës, që ajo të mos ndihet fajtore për gabimin e sotëm, si prelud i mëkateve, me të cilat do të ballafaqohet realiteti nesër. Ndoshta asaj i duhet të jetë shumë më ndryshe nga se normat dhe standardet pedagogjike përcaktojnë në caqe të pakapërcyeshme. Ky nivel arsimimi i vë detyrë mësuesit të strukturojë te nxënësi karaktere dhe personalitete të dinjitetshme Të kumtojnë tek ata, si ndjenjën e fajit ashtu edhe të pendesës. Të ushqejë shpirtin e tyre, si me shijen e rrafinuar të njohjes përmes dijes dhe perceptimit estetik edhe me fisnikërinë. T’u tregojë se sa e rëndësishme është që ata të jenë të sinqertë, të qajnë dhe të mund të qeshin me gjithë shpirt. Ata kanë nevojë të dëgjohen me dashamirësi dhe të përfshihen në debat mirëkuptues. Për ta e rëndësishme është modeli që zgjedhin dhe ëndrra që duhet të besojnë. Përvoja juaj personale i afron dhe i bën më të ndjeshëm. Përfshirja e qëllimshme në “prapësitë” e tyre i ndihmon që ata të modelojnë një qëndrim të paanshëm dhe ndëshkues për përgjegjësitë e fajit. Për fëmijët, natyrisht edhe për ne prindërit, është shumë e rëndësishme t’u bëhet me dije se përreth tyre ka njerëz që i çmojnë dhe janë gati të sakrifikojnë gjithçka si shprehje e ndjenjës së dashurisë. Ata nuk duhet të ndihen të braktisur në praninë e të tjerëve, sikurse u duhet bërë me dije se sa i rëndësishëm është socialiteti dhe se gjithçka është në mënyrën se si ata ofrohen. Ata duhet të ndërtojnë me mësuesin marrëdhënie respekti jo frike, dhe kjo është në mënyrën se si ju e trajtoni komunikimin me ta. Ju mund të mos i bëni miq, por duke i mirëkuptuar do të mund t’i zëvendësoni edhe rolin shpesh deficitar të prindit. Ata vërtetë nuk janë fëmijët tuaj, por në shprehinë e atij vullneti dashamirës me tw cilin ju i qaseni, mund të hedh rrënjë ajo mirënjohje që do t’u lartësonte. Nuk ka nxënës që nuk do të dëshironte të ishte diçka tjetër por e ka të pamundur, dhe është në dorën tuaj që secili prej tyre të bindet se është një model unik. Vlerësimi dhe lavdërimet, fjalët e sheqerosura dhe shkatë ledhatare, nuk duhet refuzuar me idenë e prishjes së rregullave të distancimit dhe implikimit, janë pikërisht këto ornamente që hijeshojnë sjelljen tuaj në sytë e tyre dhe sigurojnë atë afrimitet që nuk lejon që ju të mbeteni të huaj për ta, por të shtrenjtë dhe të adhuruar.

Tabutë dhe ndalimet, masat ndëshkimore dhe autoriteti hijerëndë i xhelatit, i përkasin një kohe të cilën e denoncuan dhe refuzuan në krye të herës, ata që bënë epokë dhe ngritën dijen dhe iluminimin deri në caqet e besimit. Ata janë rritur ndryshe dhe çdo përpjekje për t’u diktuar një format të vjetruar të edukimit është sa e dështuar aq dhe groteske. Mund ta kesh të vështirë që t’i bindësh, por fare të pamundur t’i nënshtrosh.

Sot, jo vetëm im bir, por të gjithë bashkëmoshatarët e tij, ndoshta pa zgjedhjen e tyre, janë diçka krejt ndryshe. Duke qenë të tillë edhe ajo që ata duan, dhe ju s’keni pse t’ua refuzoni është krejt diçka tjetër. Ndoshta ata do të kenë diçka për thënë, që ky rebus të zgjidhet, epoka e mësimdhënies të kanalizohet në rrugëtime të tjera vërshuese, e jo në këtë infrastrukturë tejet të amortizuar dhe jofunksionale, e cila edhe për ju është po kaq e papranueshme sa edhe për ta.

Ndoshta kjo që parashtroj në këtë letër mirënjohëse për atë që ka pranuar im bir tek ju si kontribut dhe ndihmesë, nuk mund të realizohet si me magji, por lejimi i frymës, hapja karshi ideve dhe potencialeve transformuese të shkollës. Unë nuk bëj me faj askënd për situatën, në të cilën ndodhet sot shkolla, por nuk do ja toleroja asnjë ideologjie që demagogjinë e reflektimit të ma shiste për reformë. Atyre nuk u intereson se çfarë duan fëmijët të jetë shkolla, por çfarë zinxhirësh të gjejnë që t’u mbajnë, ju në zgjedhë dhe ata të robëruar.

Mësues i tim biri…

… nëse im bir nuk pati fatin të kishte babain që do të dëshironte, mundësoja përmes përkushtimit të sinqertë dha dashamirësisë së pastër, të ketë mësuesin që do t’i tregojë udhët e jetës, mëkuesin e shtytjeve që e grishin atë drejt shtigjeve të njohjes. Ai, sot nuk mund të zgjedh një tjetër prind, por që të ketë një mësues që e mirëkupton, kjo është në dorë të vullnetit tuaj, të asaj force motivuese që zgjon tek ju të drejtën për të qenë dhe mbetur një emër mirënjohës, para të cilit ai do t’i përulet si përpara një faltoreje në çdo sfidë të jetës, si në çdo 7 Mars.

Mirënjohje dhe respekte

Albert Vataj