Kosovë… “S’mujsha me lotue askund për ty/ sall ofshava nën zá robninë tonë”

Nga Albert Vataj

Një përfshirje e kësisojtë emocionale si kjo e poetes Elida Rusta, mëton zgjimin e të gjitha dhimbjeve dhe ngurtësimin e gjithë dihamëve që la ndër ne një shqyerje e përdhunshme qi ju bënën gjymtyrëve të trupit amë, Kosovës. Prej të gjitha plagëve, ajo që lëngoi më gjatë e që dhëmbi më ithët ishte ndarja, e prej gjithë mohimeve ishte ajo më e trishta e më hekashumja, Kosova. Ajo vuajti për fajin e pafaj të fatit të vet të keq, e jo vetëm, edhe të atyre që nuk nguruan të fshihnin gjurmës si gjarpri. E në këto poezi, në këto elegji, të penës dhe parmëndës së shpirtit të Elida Rusta, kjo dhimbje vjen shpuese dhe ndijimi saj ther deri në përgjërimet tona më të fjetura të përfshirjes në përjetim. Sepse ajo e ka me vete këtë plagë, e ka në vena vërshimin e këtij lumi të rrëmbyer gjaku dhe flake. Sepse ajo është zgjatim i asaj klithme që dëgjohet jehonave të pafikura të kohës. Ajo e merr dhimbjen e Kosovës si dhimbjen e vet dhe shndërron në flamur, në balsam në britmë e na e zbraz në prehrat e varruar nga amnezia gërryese e kujtesës. Është ky zë, ky zjarr që kërkon të dëgjohet e të djeg, si për të kërkuar të zgjojë nga apatia dhe letargjia pajtueshmëritë e fjetura të paqes me realitetin, me të tashmen e Kosovës që ende zien, ende përvëlon në temperaturën e një lëngimi që duket se ka shërim. “Sot vi te ti e veshun pranverë/” mëton poetja… “pi nji gllenjkë prej gjinit tánd/ të dyja bashkë çojmë shkámin n’cep të synit,/ bashkojmë Urën e Shenjtë me mitin e Rozafës,/ ndezim qirinjtë e shpresës…” e përpushet mes fjalës dhe heshtjes së strukur në nëntekst ai zjarr që ndez ajo, si për të dëbuar më përtej frikën që rreket të vrasë ëndrrat e gjumit të keq të Kosovës. E tashmja e saj është copëza që frymojnë ende në gërmadhat e së shkuarës. Veç të keqes së armiqve dhe miqve, asaj i duhet të ndeshet edhe me të keqen e vet.

Në këto dy poezi, Elida Rusta mundohet të përfshijë gjithëçfarë ky amanet e thërret në të zëshmin zë të shpirtit që të dëgjohet, e pse jo, edhe sot kur më shumë se kurrë Kosova, dhimbja e plagës së saj është një ëndërr që duhet mëkuar me besim.

SKO10:MACEDONIA-KOSOVO,SKOPJE,MACEDONIA,22MAR99 – Ethnic Albanian refugees from the troubled Serbian province of Kosovo try to find their photos for a refugee ID outside a registration centre near the Kosovo-Macedonian border in the village of Kondovo March 22. U.S. special envoy Richard Holbrooke is being sent to Yugoslavia to deliver the final warning to Yugoslav leader Slobodan Milosevic to halt aggression in Kosovo or face NATO military action. ds/Photo by Damir Sagolj REUTERS

 

Elida Rusta

Dy poezi per Kosoven!

 

A t’kujtohet Kosovë,

kur në shekullin e qorrtë,

na patën dënue me ndarje,

jo për faj tonë?

Nishanxhi të mdhenj qëlluen,

ná ranë mu në loçkë.

Prej mungesës tánde m’pat mbetë nji i ftoftë ma tepër,

nji krye i kthyem e sytë me gjak.

S’mujsha me lotue askund për ty,

sall ofshava nën zá robninë tonë.

Qava e s’të erdh’ vaji jem,as lutjet e mia.

Me net’ të tana ja kam lut mortjen vetes.

Ta kqyrsha vdekjen

e deksha vetë përditë.

Sot vi te ti e veshun pranverë

pi nji gllenjkë prej gjinit tánd

të dyja bashkë çojmë shkámin n’cep të synit,

bashkojmë Urën e Shenjtë me mitin e Rozafës,

ndezim qirinjtë e shpresës,

s’jetojmë me fatin në grushtin e askujt

Hej Kosovë e Bukura e Dheut!

A hiç nuk e ndin dashninë téme?

Sot nji lutje kam për ty:

Duaje veten e má ke kthye dashninë 100- fish!

Dielli ka me m’dal në krahnor

Kostandinët prap’ kanë me e mbajt besën

s’bashku ja bajmë funeralin tradhëtisë,

s’bashku i ngjitena malit pá qá se asht i naltë

….

 

DHJETOR KOSOVE

Ibrahim Rugovës

 

Asht dhjetor.

Në Kosovën e ftohtë nji dritë e zbehtë qiri,

merr me vete shtëllungat e duhanit të sertë që pshtjell plaku n’votër.

Shprúsh gacat e fundit e me ftyrë kah dielli pret lindjen e djalit.

Krejt ujt’ e borës vjen afër shpis’ së tij

aty ku rrin ndez drita e dashnisë e shpirti i lahet me njolla drite.

Nji lot e bán bacin me u ligshtu

Numëron frym’marrjet zi zana gurëzimet,

lshon nji fjalë guri.

“Bir, ti s’mund të dorzohesh para asnji stuhie

Ke bukurinë e nánës, hijeshinë téme, kalanë e Atdheut me bá luftën”!

Prej asaj nate dal te qoshja e kohës

shoh nji t’gjallë vesh e mbath n’pluhën purpuri.

Në shpindë i kanë mbetë frëngjitë e kullave.

Vuen, i therin dhimbjet tona.

Veshun me nji cohë reshë

i bjen sharkisë me gishta prej gjaku,

kndon prej nëntokës me iso dhjetorësh

“Thueji popit, mos i hin Rekës keqe se t’kam gastare në sy

e t’baj me shkel udhëve në syte e ty që kanë me kërsit deri n’zemër.

Kufinin e vorrit e shtyj për liri,

me nji grusht flokësh báj obeliskun e kalit t’bardhë.

Atdheu ma nxjerr shpirtin jashtë,

unë i ruj eshtrat me i blue bashkë.