“E bukura te burimi” e Johann Hamza, grishja e një çasti që sfidon kureshtinë drobitëse të një plaku 

Nga Albert Vataj

“E bukura te burimi” është një punë ngasëse e piktorit gjerman të zhanrit, Johann Hamza. Tematika është marrë nga një episod i zakontë urban, ku piktori përshkruan me korrektësi të gjithë detajet e shkasit për fotografimin pikturor. Në tablonë “E bukura te burimi”, paraqet një grua që mbush ujë në një çezme publike. Ajo është një grua e bukur dhe e veshur me shumë klas. Çdo detaj i veshjes së saj dhe pozicionit që mban ndërsa mbush enën me ujë, janë një ansambël hijeshie dhe joshjeje. Drita bie mbi subjektin e tablosë, duke e larë atë me një brerore vezulluese, inkandeshencë që nxjerr në pah gjithëçfarë përbën në vetvete bukurinë, të përsosuren dhe feminilitetin e gruas. Çdo element i veshjes dhe i përformimit është i kuruar me shumë kujdes nga piktori, si në një qëllimsi të shpërfaqjes nëpërmjet këtij hiri, të asaj që është shprehëse dhe tunduese për një femër.
Në sfond një grua tjetër që mban një shportë me fruta, zbret shkallët e një banese. Pas kurrizit të saj shtëpi karakteristike të dëshmuara me besnikëri nga mjeshtri.

Jo rastësisht piktori, në qendër të dinamikës së trajtesës, mbi çezmë ka vendosur dritaren e një shtëpie, ku një i mëshuar kureshtar dhe lakmitar i së bukurës, sodit me ëndje gruan që mbush ujë. Ngulmi i tij për të ndjekur këtë grishje të rinisë dhe ndjenjave, për të luftuar telendisjen e moshës dhe përpjekjen për t’iu qasur një kohe tjetër, me romuzet e plakut, janë një shperfaqje e gjithëkohëshme. Sepse,veç trupi tek ai është plakur. Sytë dhe ndjenjat e torturojnë dhe e raskapisin në betejat e pamëshirshme të së pamundurës, ku ai megjithëse i humbur sërish lufton.
Të një tematike të tillë janë edhe disa punë të tjera ku piktori ngjit në ballkone e kacavjerrë në dritare rinokë të zhdërvjellët që rrezikojnë për të takuar të dashurat e tyre që mbahen larg prej rebelimit të ndjenjave dhe pasioneve.
Johann Hamza ishte një piktor i zhanër, i cili u lind në Teltsch më 21 qershor 1850. Ai studioi nën E. D. Von Engerth në Akademinë e Vjenës. Punët e Hamza janë ekspozuar në Vjenë, Drezden dhe Mynih në periudhën ndërvitase, 1879 dhe 1890. Një eksponent kryesor i pikturës së zhanrit, e dallojnë Johann Hamza duke e cilësuar si një ndër më të mirët e piktorëve të gjinisë gjermane. Në një moshë shumë të hershme ai ishte tashmë një zejtar i përkryer, që i krijoi fotografitë e tij në një gamë shumë të detajuar. Hamza ju kushtua artit të pikturës me qëllim të paraqiste situatat befasuese, të cilat u bënin një shkas interesimi për shumë koleksionistë të pikturave të zhanrit. Prurja pikturore e këtij mjeshtri dallon nga zhdërvjelltësia e tij për të bërë të pranishme sipërfaqen e të gjitha materialeve, objekteve apo figurave në rrethinat e tyre madhështore. Harmonia me ngjyra të lehta dhe të errëta dhe grupimet e tyre të zjarrtë, i atribuojnë ai një vend nderi në radhët e piktorëve gjermanë.