Arti i pikëllimit si një shprehje e ndjenjave delikate të shpirtit dhe komunikimi përmes dhimbjes

Pikëllimi është i kudondodhur në art. Madje, dikush thotë se “Mendimtari” duhet të quhet “Vajtuesi”. Kritiku i artit, Alastair Sooke, trajton këtë temë me shembuj të shumtë përgjatë historisë.

Duket se po fle; tiparet e saj të bukura pushojnë qetë në njërën dorë. Megjithatë, kur artisti flaman, Anthony van Dyck, e pikturoi më 1633 simbolin e bukurisë aristokratike, Venetia Stanleyn të njohur si Lady Digby, ai para kishte një kufomë dy ditë të vjetër, të shtrirë në shtratin e vdekjes. I goditur nga dhembja kur zbuloi se gruaja e tij kishte vdekur papritmas gjatë natës, në moshën 33-vjeçare, burri i saj, Sir Kenelm Digby, e thirri Van Dyckun – artistin e oborrit të mbretit Charles I të Anglisë – për ta pikturuar atë para se të arrinin “kirurgët”.

“Venetia, Lady Digby, në shtratin e vdekjes”

Van Dyck nisi të punojë duke injoruar realitetet e tmerrshme të vdekjes, siç është edhe ngurtësimi i nyjave dhe muskujve. Në qafën e zbehtë të Venetias vendosi margaritarë. Ndërsa, në çarçafin e bardhë një trëndafil me petale të rëna. Digby besonte se piktura e Van Dyckut ishte “kryevepra” e artistit – trëndafili që “thahet me shpejtësi, madje edhe teksa e shikon… një emblemë që shprehte gjendjen në të cilën trupi i saj ishte”.

Edhe sot ka thashetheme që Digby, një alkimist i zjarrtë, ishte arkitekti i vdekjes së gruas së tij. Disa thonë se ia dha lëngun që e sajoi, me shpresën të ruante bukurinë e saj. Të tjerë thonë se e vrau nga xhelozia. Kurora kërkoi autopsi, por gjetjet nuk kanë mbijetuar. Sidoqoftë, në publik dhe në jetën private, Digby u dërrmua nga vdekja e Venetias. Ai i shkroi vëllait të tij se portreti i Van Dyckut “është shoqëruesi i vetëm që kam. Qëndron gjithë ditën përballë karriges dhe tavolinës sime… dhe natën kur shkoj në dhomën time, e vë afër shtratit tim, e nga drita e zbehtë e qiririt më duket se e shoh me të vërtetë të vdekur”. Me fjalë të tjera, nëse i besohet letrës së Digbyt, piktura e vajit me masa modeste, më pak se një metër katror, i ofroi ngushëllim dhe prehje vejanit me zemër të thyer. Nëse trëndafili në foto është një “emblemë” e kalueshmërisë së jetës, edhe piktura në vetvete është emblematike në atë që mund ta quajmë arti i pikëllimit.

Pikëllimi në artin perëndimor – para epokës së Van Dyckut, gjatë Mesjetës dhe Rilindjes – përgjithësisht kishte të bënte me pikturat dhe skulpturat fetare që përqendroheshin në historinë tragjike të vdekjes së Krishtit. Vepra e mermertë “Pietà”, në Bazilikën e Shën Pietrit – skulptura e vetme që kishte nënshkruar Michelangelo, ku shfaqet në mënyrë të dhembshme Maria që mban trupin e vdekur të Jezuit – është shembull prekës, shumë i njohur. Por, mund të ketë raste tjera të tilla, të panumërta. Piktura e mikut të Michelangelos, Sebastiano del Piombo, “Vajtimi mbi Krishtin e vdekur” (rreth viteve 1512-16), sipas Galerisë Kombëtare ku u shfaq kohët e fundit, është “peizazhi i parë nokturn në histori”. Qielli me dritën e Hënës i përshtatet ndjenjës së zymtë.

Mëshira-Skulptura e Michelangelos

Natyrisht, tema tradicionale e vajtimit të Krishtit u përshkrua nga shumë emra të famshëm të historisë së artit, që nga Giotto te Mantegna e deri në Rubensi e Rembrandti. Këta janë disa nga mijëra artistë që gjatë shekujve e kanë trajtuar pikëllimin si subjekt. Në fakt, arti i pikëllimit është kaq i pranishëm saqë nganjëherë harrojmë që kjo është ajo që po shikojmë: kuratori i një ekspozite të re Rodinit në Muzeun Britanik, nxiti titujt e gazetave kur tha se skulptura e famshme e francezit, “Mendimtari”, duhet të quhet “Vajtuesi”. “Shikoni me kujdes dorën dhe mjekrën”, tha një Ian Jenkins, autoritet i rëndësishëm i artit të lashtë grek që kishte ndikim të madh te Rodini. “Nëse ai po mendonte, dora e tij do të mblidhej te mjekra si zhytje në mendime. Por, në këtë skulpturë, dora është duke mbështetur mjekrën. Në Greqinë e lashtë kjo ishte mënyra se si përshkruhej vajtimi “.

Piktura e vajit e Arnold Bocklinit, “Ujdhesa e të vdekurve” e vitit 1880 bazohet në mitologjinë greke

Shkruaj fjalën “pikëllim” në motorin e kërkimit në internet të muzeve ndërkombëtare dhe do të përmbytesh nga rezultatet. Në Britani, për shembull, me një kërkim në faqen e internetit të Galerisë Tate gjen 143 vepra arti.

Në shekullin e XVIII-të, për shembull, ishte e zakonshme që artistët ta shihnin pikëllimin përmes lentave të dramës shekspiriane: vdekja e vajzës së Mbretit Lir, Kordelja, ishte temë e preferuar. Ndërkohë, në shekullin e XIX-të, piktura vajit, “Ofelia” e John Everett Millaisit (1851-52) – për të cilën modelja Elizabeth Siddal pozoi në ujë për katër muaj – është shprehje shumë poetike e pikëllimit, siç është edhe kryevepra simboliste e artistit zviceran Arnold Böcklin e punuar më 1880, “Ujdhesa e të vdekurve”. Ofelia shfaq fisniken daneze, nga “Hamleti” i Shekspirit, që nga pikëllimi për babanë e vrarë, bie në lumë.

“Mendimtari” apo “Vajtuesi?

Në të vërtetë, pikëllimi ishte temë thelbësore për artistët gjatë epokës viktoriane, kur mbretëronte një “kulturë komplekse e zisë”. Në librin “Arti i vdekjes” (1991), historiani i artit Nigel Llewellyn vë në dukje se “një kulturë vizuale spektakolare e vdekjes” ishte shenja dalluese e shekullit të XIX-të – diçka të cilën koleksionet në Tate e dëshmojnë më së miri. Skulptura nga balta e Alfred Gilbertit e vitit 1877, “Engjëlli vajtues”, është si “Ofelia” e Millais.

Sipas rezultateve të kërkimeve tona në faqen e Galerisë Tate, artistët e shekullit XX ishin po aq sa paraardhësit e tyre viktorianë të gatshëm për të trajtuar pikëllimin. Ndoshta shembulli më i madh në Tate është “Vajtuesja” e Picassos e vitit 1937, që ndërlidhet me muralin “Gernika” e pikturuar gjatë Luftës Civile në Spanjë, si reagim ndaj bombardimeve të qytetit bask nga forcat ajrore gjermane. Një kryevepër tragjike, e ekzekutuar me paleta të njëpasnjëshme njëngjyrëshe që evokojnë si në film pamjet e krimeve mizore. “Gernika” është shprehja kryesore e shekullit të XX-të për pikëllimin kolektiv. Ajo ishte menduar si deklaratë publike, por ka shumë shembuj të pikturave private dhe intime të shekullit të XX-të që prekin pikëllimin: p.sh. portreti i vogël i nënës së Lucian Freudit nga viti 1973, që kap pikëllimin për vdekjen e burrit të saj, babait të piktorit, Ernstit.

Francis Bacon shfaq imazhin e dashnorit që bëri vetëvrasje, George Dyer

Në anën tjetër, “Triptiku” i Francis Baconit i gushtit 1972, arrin të mbizotërojë sferën private dhe publike. Një nga të ashtuquajturat “Triptikët e zinj” të Baconit, u pikturua pas vetëvrasjes së dashnorit të tij, George Dyer, i cili shfaqet në panelin e majtë. Triptiku është si një evidencë e paharrueshme personale, e vuajtjes së artistit që duket në të djathtë. Në të njëjtën kohë, puna ka një cilësi klasike: figurat e paqarta që përballen përpara portës së errët në qendër janë të mbushura me simbolika universale.

Pikëllimi universal shihet te “Rrjedhoja”, ekspozita e ardhshme në Tate që trajton kulturën e zisë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe në vitet 1920-30. Kuratorja e ekspozitës, Emma Chambers, thotë se lufta krijoi një ndryshim në mënyrën se si artistët përshkruanin pikëllimin. “Ndryshe nga vajtimi viktorian, ku familjet përjetuan pikëllimin individual”, thotë ajo, “papritmas ishte e prekur pothuajse çdo familje, anembanë Evropës “.

“Ofelia” e Millaisit

Pasojë e kësaj, vazhdon ajo, ishte përpjekja zyrtare, nga ana e qeverive, “për të krijuar një kulturë vizuale, të përshtatshme për zinë”. Figurat klasike, alegorike funebre, aq të dashura të viktorianëve, dolën nga moda. Në vend të tyre u nxitën qasjet më të njëtrajtshme për hartimin e varreve dhe memorialëve të luftës, duke u përqendruar në sakrificën kombëtare dhe jo në humbjet e individuale. “Rezultati ishte një gjuhë shumë e rregullt, simetrike dhe e kontrolluar vizuale”, thotë Chambers, “larg nga kaosi i fushëbetejave”. Memoriali i “Cenotafit” në Londër, i projektuar nga Edwin Lutyens, është shembulli tipi i kësaj qasjeje të re: “Nuk ka figura, por në vend të kësaj është një varr bosh për çdo ushtar”, thotë Chambers. “Familjet që vuajnë mund ta përdorin si një simbol universal.”

“Profesioni i humbjes”

Universalja e pikëllimit është ende temë që tërheq artistët bashkëkohorë. Më parë gjatë këtij viti, artistja amerikane, Taryn Simon, merr komplimente për instilacionin “Profesioni i humbjes”, të shfaqur në Londër. Për punën e saj ftoi 21 “vajtues profesionistë” nga vende ndryshme të botës, përfshirë Shqipërinë, Azerbajxhanin, Ekuadorin, Ganën dhe Venezuelën, për të performuar në kënde të ndryshme të hapësirës, derisa audienca ishte e lirë të lëvizte e të dëgjonte secilin prej tyre.

“Historikisht”, shpjegon Simon, “vajtuesit profesionistë janë kompensuar pse u kanë qëndruar njerëzve në momentet e humbjes”. Derisa “puna” prej gjysmë ore zhvillohej, secili interpretues nisi të qante, murmuriste, të ulërinte, të këndonte… në përputhje me traditat e kulturës së tyre kombëtare. Shpejt, të gjitha vajtimet u bashkuan në një kakofoni, duke bërë jehonë në arkitekturën e betonit e duke e vënë publikun në një sulm të bezdisshëm.

“Një gjë që më intereson”, shpjegon ajo, “është se këta tinguj janë përtej gjuhës. Vajtuesit profesionistë përdorin gjëra të tilla, si fjalimi melodik apo fjalë vaji – gjëra që nuk janë as muzikë as gjuhë. Është një hapësirë shumë e vështirë të artikulohet; diçka që ballafaqon ose ngatërron gjuhën”. Sipas saj, të gjithë jemi të “ndjeshëm” kur përjetojmë pikëllimin. “Gjërat bëhen anarkike”, thotë ajo. /Telegrafi/