Albert Vataj: Gazmueshëm këtë ditë, këtë stinë e gjithçka zemrën me gaz u’a mbush përplot

Nga Albert Vataj

Gëzuar këtë ditë të celebrimit të pranverës, të përtëritjes së natyrës dhe shëndetit, ndjenjave dhe pasioneve.

Një dëshirim i zjarmët na përpush e na hedh në krahët e këtij përqafimi, e ne nisim të ndjejmë gufimin e stinës së hareshme dhe vlimin e gjakut dhe shpengimin e trupit. Mes këtyre pëshpërimave përgjojmë se si na gudulis si një gërshet tafti i fluturimit fërgëdhimës i petaleve dhe kurmeve që hovën dëshirimi për kopulim.

Shpërthen prej kores së tokës dhe poreve të lëkurës sythet e para të një ëndje dehëse. Nga plisat e dheut avulli shndërrohet në pëllumba të bardhë që shpërbëhen në mijëra ngjyra që qëndisin ëmbëlsisht panoramën, ku sytë lëshojmë në fluturim, e buzët kafshojmë për të ndjell puthjen që na braktisi nën currilin e rigave të shiut.

Në gishtërinj ndjeje dëshirën e një dielli që kërkon qiell për të shpërndarë përmes rrezeve dhe ngrohtësisë dhuratën e saj të hyjshme, jetën, përtëritjen.

Në buz ndjeje prekjen e një petale luleje që e ndez me zjarr yjesh kurmin që pret të gufojë bashkë më sythet, bashkë me avullin e tokës, bashkë me taftin e erës që e deh në ledha dhe përqafime, degën e pemës që zjarmon nga limfa e pranverës.

Zgjohu me këtë dëshirim ti zemër e frikësuar prej mardhësh e shiut, prej ftohtin e mohimit dhe hidhu në flakadanin e këtij zjarri dhe jeto me ëndrrën pa dëshirën për t’u zgjuar.

Gazmueshëm këtë ditë, këtë stinë e gjithçka zemrën me gaz u’a mbush përplot, miq!