Willy Kamsi, dijeshumi që jetoi i përkorë mes librave dhe dritës që mëkoi me përulësi dhe përkushtim

Shkodra, në bujarinë e pamatshme të mirakandjeve që zotnon, ajo qi dallueshëm e ven atë përmbi krejt tjerat gjana, asht mirësia qi pati me ken e përfaqsume dhe e mbrojtun nga personalitete të tilla si Willy Kamsi. Prof. Willy Kamsi, ishte intelektual e studiues i shquar i historisë, albanologjisë dhe kulturës. Njeri fisnik e me virtyte, një personalitet e atdhetar që kontribuoi shumë për kulturën, posaçërisht në fushën e historisë e të albanologjisë. “Gjithë jetën, ço e ul libra”, ndërmendet të ket than ai në një nga të paktat intervista të tij. Megjithëse fliste katër gjuhë dhe kishte ken ambasadori i parë shqiptar në Selinë e Shenjtë, ishte autor i disa libravë dhe dhjetra studime të vlerta, ai bani nji jetë të thjeshtë në një shtëpi të kthyer në biblotekë. Ai tan jetën e vet e lidhi me librin, thue se n’raftet e randueme prej landës së dijes ai kishte lidhun krejtçka e mbate ate në jetë. Bani si pakkush për ruajtjen e thesareve dhe monumenteve t’kulturës dhe historisë. Pasioni dhe përkushtimi me t’cillin ai u lidh me librin, e shejtnojnë si vullnesë dhe e përjetësojnë si veprimtar.

” Willy Kamsi na la nji zbrazti, për atë që ka qenë e për atë që ka ba.”
Willy Kamsi ka lindur në Bari të Italisë në dhjetor të vitit 1926, gjatë jetës së tij veprimtaria e tij u shqua në hullitë e arsimit, etnografisë, diplomacisë, bibliografisë. Djali i vetëm i Gjonit/Linit të Palokë Kamsit dhe Rozës së Pjetër Daragjatit.
Willy u rrit në mërgim, prej nga erdhi në Shqipëri në kulmin e Luftës së Dytë Botnore, në qershor të vitit 1943. Shtëpia e tij në Bari ishte një votër e ngrohtë për patriotë dhe politikanë shqiptarë, aty u përshkuan: Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, mons. Bumçi, dom Lazër Shantoja, Mustafa Kruja, Bahri Omari, Sotir Gjika, Xhevat Kortsha e shumë të tjerë.
Vendosja në kryeqytet dhe mbarimi i luftës do të sillnin ndryshime të papara në jetën e familjes Kamsi. Edhe pse i ati, Gjoni, nuk ishte marrë gjatë luftës me politikë, familja e tij në qershor të vitit 1953 dëbohet prej Tiranës dhe detyrohen të shkojnë në Shkodër. Vendi ynë asokohe kalonte vitet ma të stuhishme të terrorit të kuq, por intelektuali Gjon Kamsi, ekonomist për nga profesioni, i mbrujtur me ideale të larta dhe i pajisur me karakter të papërkulur nuk u ndal por e çoi zërin kundër padrejtësive të ndryshme siç ishte ideja e prishjes së varreve monumentale katolike të Shkodrës. Këta veprime do të pasoheshin prej bastisjesh dhe prej paralajmërimesh serioze.
Punoi si bibliotekar pranë Institutit të Naltë Pedagogjik në Shkodër.
Një prej miqve të tij më të mëdhenj, Át Viktor Volaj; ish-sekretar personal i Át Anton Harapit dhe komentues i Fishtës – çmonte tek Kamsi mendjen e tij logjike dhe kujtesën mirandoliane që i jepnin vlerë kërkimeve të tija të censhme në lëmin e historisë mesjetare. Por ai vlerësohej edhe për përkushtimin për me gjetë dhe me ble sa më shumë vepra për bibliotekën e Institutit.
Por krahas punës së bibliotekarit Willy Kamsi është marrë edhe me studime historike dhe bibliografike. Ka botuar një seri artikujsh, ka përkthyer vepra dhe ka disa punime të gatshme për botim. Mbas rënjes së komunizmit, në vitin 1993, ai u emërua prej qeverisë demokratike ambasador i parë i Republikës shqiptare pranë Selisë së Shenjtë. E kreu atë detyrë deri në dhjetor të vitit 1996 me një sens të lartë përgjegjësije. Edhe pse i trajtuar në mënyrë të padenjë prej qeverisë që përfaqsonte: pa rezidencë, pa përfaqsi, pa makinë, pa frak për të marrë pjesë në ceremonitë zyrtare: W. Kamsi e nderoi Shqipërinë përpara gjithë përfaqsuesve të tjerë diplomatikë dhe para Selisë së Shenjtë. Nuk u ankua asnjëherë dhe nuk foli asnjë gjysëm fjale kundër Shtetit që përfaqësonte por u mundua me e rritë ndjeshmërinë e qarqeve diplomatike ndaj çështjes shqiptare. Willy Kamsi jeton në Shkodër i përkushtuar i tëri mbas botimit të disa veprave të randësishme siç është treguesi i plotë i revistave «Hylli i Dritës», «Leka», «Albania» e Konicës, «Shêjzat» si edhe i disa materialeve me rëndësi historike, siç janë «Ditari» historik i Shuk Gurakuqit, «Kujtimet» e Gjon Kamsit, një përmbledhje të studimeve të veta me karakter historik. Merret dhe me histori, monumente e arkeologji, me gjuhë shqipe, sidomos me etimologji të toponomastikës historike e fusha të tjera shkencore. Kohët e fundit ka dorëzuar në shtyp përkthimin e veprës së Át Jak Marlekajt, profesor për shumë dekada në Universitetin e Barit, «Pjetër Bogdani dhe Shqipnia e kohës së tij» të pajisun me treguesin e plotë të emnave.
Willy Kamsi asht nderue me dekoratën: KALORËS I KRYQIT TË MADH TË URDHNIT TË SHËN GREGORIT TË MADH (1995) nga Shêjtnia e Tij Papa Gjon Pali II, dhe KALORËS I URDHNIT TË HYLLIT TË SOLIDARITETIT ITALIAN, prej Presidentit të Republikës s’Italisë Carlo Azeglio Ciampi (2005).