Piktura “Të dashurit II” e Rene Magritte, ndalimi i përdhunshëm i komunikimit ndjesor

“Të dashurit II” (1928) është një nga punët më të njohura të Rene Magritte, artistit surrealist belg, i cili njihej si mjeshtër jo vetëm i të dukshmes, por edhe të padukshmes.
Metafora, mendimi, poetika, filozofia, alegoria, ironia, sarkazma, mesazhi janë në tërësoren e tyre komponentë që grishin deshifrimin e kodit të tij artistik.
Magritte si në punët e tjera edhe në “Të dashurit II”, shquhet për një forcë shprehëse të kuptimsisësë duke ofruar përmes atij komunikimi, të asaj çfarë mëton loja me imazhin, manipulimi i trajtesës.
Në punën e tij, piktori luante shpesh ose në teresi me objektet e përditshme, të zakonshmen njerëzore dhe emocionet, duke i vendosur ato në kontekste të huaja dhe duke e vënë në dyshim kuptimin e tyre familjar. Ai sugjeroi një interpretim të ri të gjërave të vjetra në pikturat më se të thjeshta, duke e bërë edhe më të thellë sfondin e zakonshëm dhe duke e bërë racionale irracionalen. Ai pikturonte në të njëjtën mënyrë që jetonte edhe jetën e tij, në një modesti të çuditshme dhe nën një analizë të vazhdueshme.
“Të dashurit II” (1928), është një pikturë në vaj mbi kanavacë që përshkruan dy individë të kopuluar në një përqafim. Këtë ndjenjë afrie, këtë akt komunikimi ai e vesh, i hedh përsipër një petk, duke arritur ta degdis solemnitetin e këtij komunikimi në një arratisje të dhunshme intimiteti. Mesazhi është i thellë dhe filozofia e dëshmuar kësisoj lejon një dimension të pamatshëm trajtesash dhe kuptimsie. Rene Magritte i vë dashurisë, kontaktit fizik një ndalesë, e pengon të jetë çfarë e thërret, e zhvesh nga çdo yjësi idilike. Ai i vesh të përfshirëve në këtë akt të epërm epshi dhe shkëmbimi të pulseve ndjesore, jo vetëm një petk por edhe domethënien e një pamundësie, që ndjenja të mund të jetë e tillë, siç ne e perceptojmë dhe siç për racionalen është.
Albert Vataj