Për popullatën e poezishkruesve dhe funeralin e poetit

Nga Albert Vataj

Paraprakisht ajo që dua të them është se shtimi i radhëve të poezishkruesve po bëhet gjithnjë e më kërcënues për vetë shenjtërinë e poezisë, vlerat dhe origjinalitetin, shkujdesjen dhe ndjesoren, të atypëratyshmen dhe meditativen, përjetuesen dhe ngasësen, pagëzimin e atij bashkëjetimi që na bën të ndihemi të përkëdhelurit e një çasti që na përpush për të na kredhur në sublimen e krijimit.

Pse shkruan poeti?

– pyet francezi Pierre Reverdy. Sipas tij poeti shtyhet nga nevoja konstante për të shpuar në thellësi misterin e qenies së tij të brendshme, për të njohur pushtetin dhe forcën e tij. Poezia nuk është një lojë e thjeshtë e shpirtit. Poeti, nënvizon, Raverdy, nuk shkruan për të zbavitur një publik të çfarëdoshëm, as për vetëkënaqësi. Ajo që e shqetëson atë është shpirti i tij dhe raportet që e lidhin atë me të gjitha pengesat e mundshme, me botën e ndjesive dhe me botën e jashtme.

Krijimi si marrëdhënie

Situata është alarmante. Përveç pëshpëritjeve të nënzëshme dhe llokoçitjeve në baltën e retorikës kobzezë të ziliçarëve dhe gjuhëve të helmatisura, gjithçka tjetër që përcakton caqet e marrëdhënies me shenjtërinë e krijimit, janë viktimat dhe një atmosferë boshi që përpin. Po shkruhet aq shumë dhe botohet aq dendur. Po groposim në honet e terrta të egos dhe vetëkënaqësisë, para, idilikë jetësimi dhe vetë perëndinë e lartë e rrëfimit të shpirtit. Po zhbëjmë identitetet tona shpirtërore, për t’i shndërruar në një përzierje, me të cilën mbush secili enën e vet të mburrjes dhe protagonizmit, për të qenë jona vetëm ena e jo lënda.

Ç’është poezia?

Poezia ka qenë dhe mbetet solemniteti më i lartë i një komunikimi, “një kristalizim epshndjellës i mendimit, një dëlir i shpirtit të robëruar të ligjërimit”, thotë Alfred de Vigny. “Ajo – që sipas Halderlin, lejon poetin të harmonizojë shpirtin me botën”. “Ajo ka më shumë se ç’duhet realitet, është tërësorja e së vërtetës, veçse në një botë tjetër”, sipas Bodler.

Përpara se ajo të jetë një formë shprehje, një mënyrë vargëzimi, një diçka e tjetërllojtë nga gjithçfarë është mëkuese, ajo është timbri i zërit tuaj, ngjyra dhe ritmi, muzikaliteti dhe densiteti. Është ajo, e cila qoftë edhe duke u ngacmuar nga jashtë prej gjithçmos, duhet të mbetet juaja, ngase vepron ndaj jush dhe lind prej jush, për të qenë unike, për të qenë e papërsëritshme. Pikërisht për këtë vendosa të shkruaj, vendosa t’u bie kambanave të alarmit për të shpëtuar sa të mundim dhe çfarë të mundim.

Nuk kam qenë dhe nuk jam që poezia duhet të shkruhet kështu apo ashtu, poeti të respektojë sanksionet skolastike apo të besojë te lirshmëria e vargëzimit, të guxojë para se të druhet, të shkruaj çfarë e bën të ndihet mirë, apo çfarë e nxit atë të jetë. Poezia nuk duron caqe dhe ligjësi, ajo është vetë liria e të shprehurit, kumtimit të vetvetishëm, qoftë edhe në një realitet refuzues, ose në rastin më të keq virtuozitet i një skene të errët përballë një publiku që ka mësuar të duartrokasë para se të kërkojë nga vetja të jetë vlerësues.

Krijimi përballë promovimit publik

Poezia e publikuar në rrjetet sociale është e tillë deri në momentin që ajo nuk shndërrohet një mjet për të ngasur, një mekanizëm kapjeje, një aromë dehëse, që i ysht si në një magjepsje, në adhurim, për ata që bëhen të parët pjesë e funeralit të poetit. Duke pranuar ndryshimet që kanë ardhur me kohën. Gjithqysh mbetem i rezervuar të pranoj, se me poezinë mund të bësh si me çdo shkujdesje tjetër, apo lajkatim që thith vëmendje dhe korr sukses.

Kjo poezi fatkeqësisht po kthehet në një poezi konsumi, fabrikimi i të cilave është në varësi me kërkesë-ofertën. Facebook është mënyra më e mirë për t’u ballafaquar me njohjen, por nuk mbetet e duhura për rritjen dhe pjekjen e këtij fryti magjik. Ndoshta gabojmë kur mendojmë se kjo serë ofron kushtet e favorshme për shtimin e prodhimit, ashtu siç kërkojmë që symbyllurazi të gjejmë rrugën që na çon të altari, duke shpresuar se besimi nuk do të na lejojë të gabojmë, deri në momentin që pengohemi dhe biem.

Nëse ne, gjithçka shkruajmë u’a prezantojmë atyre që në rastin më të mirë janë lexues të vëmendshëm, pa mundur të jenë të përfshirë emocionalisht në botën e atij përjetimi, nuk jemi pjesë e fajësisë deri në momentin që bëhemi theror i kaplimit nga dëliri i superlativave dhe vlerësimeve butaforike, tërësisht jashtëletrare. Vetëkënaqësia, ndërsa kërkon të nxisë motivimin, të përpushë brenda nesh gacat e përgjumura nën hirin e apatisë, na detyron që të zbrazemi.

Ato përzemërsi dhe dashamirje, ajo joshje e bujarisë së ftesës për mirësi, por edhe maska e asaj shtirje apo nevoje për përfshirje si akses pranues, ku ndihej i refuzuar, padashur ju nxitin në një lojë të rrezikshme shpërdorimi të mundësive të shpirtit, për të dhënë më shumë se sa ai merr. Nuk do të doja të besoja se ky spektakël lajlelulesh, kortesh e galance, të jetë në vetvete preludi i një shterimi vrasës.

Vlerësimi si situatë rreziku

Komentet dhe përshtypjet e atyre që bëhen pjesë e kësaj gostie, jo gjithnjë duhen konsideruar, për shumë arsye, ku kryesorja dhe më demoniakja është hipokrizia. Dikush kërkon të përfitojë, një tjetër të marrë vëmendjen tuaj, dikush tjetër të jetë pjesë e kësaj skene nga miklimi i situatës. Pra, të gjithë ata që janë të ftuar, pa dashje bëjnë që dielli juaj poetik të nis gjithnjë e më shpejt të shuhet, vetëm e vetëm se u dashka gjithnjë e më shumë rreze për të ngrohur shpirtin e dikujt, apo shkrirë akujt e një prehri tjetër, për të ndezur gjoksin, a prushur buzën, apo për të ngasur gjallimin e një ngurtësimi që i ka kthyer trupat në statuja.

Kjo atmosferë vetëkënaqësie dhe dëliri, shpengimi dhe dalldie, ka bërë që të kemi gjithnjë e më shumë poezi nga jopoetë, të kemi më shumë regëtime shpirtrash të trazuar, se sa alkiminë e një vullneti për të pasuruar shpirtërisht botën. Ka prej tyre që ballafaqimi me një situatë të tillë joshjeje, u zgjon adoleshencat e ndrydhura, e rinit e djegura, dhe u besojnë fjalëve dhe vargjeve si një mundësi përjetimi që për ta ka marrë fund.

Poezia është edhe më shumë

Unë e besoj se poezia është një lloj lirie, një nevojë për t’u rebeluar, një nxitës për të dalë nga rregulli dhe nënshtrimi, një mundësi për të marrë pjesë në gosti ëndrrimtarësh dhe kurrsesi jo një mënyrë për t’iu qasur dikujt. “Ajo na ofron ato dridhje fluturake që na përkëdhelin aq lehtë për të marrë ajrin misterioz që ata transpemtojnë, atyre, fjalëve udhërrëfyese të emocioneve tona”, mëton Hendri Bremond. Poezia është fjalët që përshkënditen kur dora e poetit kalon mbi to fosforin e frymëzimit të tij për ta ngërthyer në përjetim dhe mister.

Patjetër që poezia është gjithçka që ne ndjejmë, por jo çdo gjë që na përfshinë, me domosdo duhet të shndërrohet në vargje, me të cilat u kumtojmë njerëzve, duke u zbuluar atyre dhe një thesar të fshehur brenda shpirtit. E kështu, çdo ditë e më tepër rritet numri i atyre që shkruajnë dhe bie i atyre që lexojnë, por jo i atyre që komentojnë, shpesh për arsye jopoetike.

Urtësia si maturi

Poetë, jo çdo varg që shkruajmë dhe çdo poezi që krijojmë duhet bërë publike, para se ajo të kalojë vetëseleksionimin. Askujt nuk i privohet mundësia që çdo gjë e tyre, duhet të jetë me doemos edhe e interesimit të të tjerëve. Duhet të lëmë mënjan egoizmin, atë që po vret poetin brenda nesh dhe lexuesin përreth nesh. Ndoshta u duhet tregojmë miqve edhe për gjëra të tjera që ndodhin në jetën tonë, qofshin këto dhe momentet e reflektimit, momentet e heshtjes dhe nevojës për të treguar, se dimë edhe të lexojmë, siç kemi nxënë edhe të dëgjojmë.

Të gjithë kanë të drejtë të tregojnë me vepër, se janë të zot të shkruajnë, të rrëmbejnë interesimin, të korrin famë dhe të marrin çmime, por pa harruar, se dinë të mendojnë dhe të jenë të arsyeshëm, deri në caqet e të kuptuarit dhe të vlerësuarit mendjekthjellët të çdo rrethane dhe çdo situate.

Të jesh modest dhe falënderues për vlerësimin që i bëjnë krijimtarisë suaj është një lloj joshjeje, me të cilën ne grishim këtë përbindësh që ushqen veten me ndjenjat dhe përjetimet tona. Ata nuk mund të marrin mbi vete pendim të fajit, por mirësia me të cilën ata na përkundin e përgjumë shpirtin tonë dhe na i mpin nervat e ndijimit.

Poezi, shpëtoje poetin

Mendimi im mbetet i imi, por poezia, për të cilën po flasim është e të gjithëve. Ne duhet të bëjmë diçka të shpëtojmë poezinë nga ky shpërdorim i përbindshëm, nga kjo njëtrajtshmëri përjetimi dhe njëllojshmëri vargëzimi. Poezia pa identitet është një hedhurinë, dhe fatkeqësisht ne kemi përfunduar në konsumator të saj.

Unë nuk kam pse të shkruaj për t’u bërë pjesë e një kaste, apo e një grupi, për të rrëmbyer interesim apo për të zgrapur ndonjë çmim, poezia është shumë më shumë ngase ne si krijues kemi zgjedhur ta çmojmë atë.

Poetë, ndoshta duhet të përpiqeni edhe ta ushqeni shpirtin tuaj, të paktën duhet të jeni të vëmendshëm kur shfaqen shenja lodhjeje, anemi, pamjaftueshmëri reagimi. Nuk është edhe aq e rëndësishme se sa shkruajmë, por çfarë shkruajmë, ashtu siç nuk ka fare rëndësi se sa hamë por çfarë hamë. Në momentin që bëhemi selektiv në mënyrën se si i qasemi rrethanave krijuese dhe promovuese, atëherë ne kemi filluar të bëhemi të urtë. Pak rëndësi ka nëse ajo që del nga kjo gjendje do të arrijë të jetë e suksesshme dhe të marrë pritshmërinë e interesimit, e rëndësishme është se kjo poezi është e juaja dhe jo zgjatim i poezisë së dikujt tjetër. “të jesh vetvetja, kjo është detyrë e poetit dhe sinqeriteti është shfaqja më e bukur e poezisë”, kumton Leopardi. Sepse poeti, sipas Novalis, “është njeri i përjetësisë, ai që merret me bërthamën e sendeve dhe qenieve, të cilat shkatërrohen kur vishen me mishin e ekzistencës tokësore”.

Lëreni poezinë të burojë prej jush pa e vrarë mendjen se nuk do ta gjejë udhën që e shpie atë te altari.