Një “Rapsodi urbane” për të kumtuar shpirtin e dlirë poetik të Artur Bakut

Dy fjalë për librin e poetit

Nga Albert Vataj

Dëgjon mes miliona heshtjesh dhe sheh mes miliona sysh, ndjen mes miliona aromash, poeti, pafundësinë. Frymon me ritualin e çdoditshëm dhe reflekton shpirtit poetik në copëza shkrepëtimash që e grishin të pjesëmarrë në shndrrimin e gjërave dhe gjendjeve si një alkimist. Ai e ndjen pulsin e çastit, siç përjeton çdo prehje dhe prekje që e trand dhe e dalldis. “…humbet në heshtje si fëmijë kureshtar në pafundësinë…” e një qielli llamburitur yjesh. Poeti është tek ai shpirt dhe i jepet asaj shprehie të “Teatrit absurd” ku i është dashur “… të shpik një alfabet të ri për një qytet ku askush nuk lexon”. Të shkruaj poezi “… për një teatër bosh, … ku duartrokasin para një skene me drita të fikura”. E megjithatë ai është i bindur se “jemi destinuar të krijohemi e të zhbëhemi brenda një fati endacak”, atë fat, të cilin ai e kërkon te çdo gjë që e ysht në përjetim dhe e degdis në jehonën e një zëri që nuk e lë të hesht. Kjo është e tashmja fizike dhe shpirtërore, ajo lëndë ku fjala përzihet duke mbrujtur gjurmën prej zjarri që e shpie atje ku edhe yjet rrëzohen kur ecin mbi bëzut e saj.

Për poetit Artur Baku, poezia është ajo formë shprehëse më e përftuara nga nevoja për komunikim shpirtëror, tek e cila dorëzon shqisat më të ndjeshme dhe perceptimet më të holla. Ai është atje ku “… një yll gërvisht qiellin e një nate vere” dhe “… një buzëqeshje galduese” e fton të rrok me ngjyra të hareshme të gjithë trajtat e reales. Është kjo qasje që ka mëvetësuar në këtë domosdo rrëfimi përjetues dhe meditativ, poeti shkodran, Artur Baku.

Poeti vjen me librin “Rapsodi urbane” si në një motivim shtytës të asaj llave krijuese që zien në atë njësi fizike dhe përjetuese. Nga e para deri në të mbramë të faqeve të këtij kuvendimi poetik, përfshihemi emocionalisht dhe pjesëmarrim thelbësoren në lojën finë të metaforave dhe figurshmërisë, ritmit dhe vërshimit.

Ndjesorja dhe filozofikja, antikja dhe epikja, piktakohen dhe eksplodojnë në bërthamën e trajtimit poetik, me kast për të zgjeruar caqet dhe hepur liritë e atij shpirti që gufon në çdo syth, që prekja e tij të beftë derdh mes fjalësh, strofash dhe kumtimesh vargëzuese.

Ai “doli nga një poezi të takohej me njerëzit” dhe të gjitha udhët e çonin te dashuria, te ajo dashuri që në poezitë e Artur Bakut, del nga shpirti për ta kërkuar gjithnjë te një dhimbje a plagë. Ajo ndjenj magjistare, si kudo edhe në shpirtin e poetit lë një zbraztësi, e cila shndërrohet në një trajtë mungimi që e shtyn mëtimin t’i jepet gjithnjë e më ethshëm kërkimit të saj, si të një thesari, por ajo sërish shfaqet dhe zhduket, duke lënë pas drobitje dhe kujtime, puthje dhe ikje, harbim dhe prehje. Sepse ajo është e tillë në zemrën e një poeti, sepse ajo, dashuria, e tillë vjen në poezinë e Artur Bakut. Ai i këndon pikëllueshëm asaj ndjenje që me sa duket më shumë e djeg se sa e ngroh. Ndoshta nuk kërkon t’u thotë të tjerëve se ka një zemërthyerje që e takon dhe e ndan me dashurinë, atë që nëse nuk do të ishte si e tillë, do të zgjidhte të vinte ndryshme përmes këtij jetësimi poetik.

Ai flet për dashuri vdekatare dhe i jep dëshpërimisht Afërditat që s’mund të zhbëjnë më dekretet hyjnore të kësaj ndjenje për njerëzit e “dënuar me përjetësi dhe harrim”.  “Nëpër natë treten siluetat tona prej mjegulle” thotë Baku, ndërsa e mundon dilema se “Askush nuk e di se cila është vetmia më e madhe, …ajo e dy siluetave njerëzore  mbi botën dhe ajo e botës mbi univers”. Dilema është thjeshtë një grishje e atyre ngjyresave të pikëllimta, që me sa duket poeti i përdorë më me virtuozitet, se sa koloritin e hareshëm që feks dhe zhbëhet njiherash si një vegim.

Poezia e Artur Bakut është një zë i butë por përshkues. Ai penetron përmes fjalës dhe metaforës, përjetimit dhe mendimit, deri thellë në andjen tonë për të prekur caqet e dimensionit të së mundshmes me një të hapur të krahëve, si në një ëndërr për fluturim. Për të poezia është e zakonta e së përdishmës, e cila na fton të pjesëmarrim dhe të përfshihemi në të, si në një afri me gjërat dhe gjëndjet që na rrethojnë. Kjo e tashme, që është e të gjithëve ne, perceptohet ndryshe  dhe merr vargëzim të tjetërllojtë, ngase jemi mësuar ta ndeshim në gostitjet e shpirtrave poetik.

Metafora e Bakut na bashkon dhe na ndan me shkakësi dhe ngasje, të cilat prehen në fjalë në këmbët e një altar si blatim. Ai beson se poezi mund të flasë të sotmeve me figurshmëri që e tejkalojnë atë, me epje të tilla sa e rrëmbejnë në larushi dhe muzikalitet.

Libri me poezi i Artur Bakut, “Rapsodi urbane” është ajo me çfarë poeti përfaqësohet, por edhe ajo tek e cila lexuesin, do të ketë se çfarë ta ftoje në këtë gosti, ku arti i fjalës dhe ndijimi i shpirtit bashveprojnë. Secili nga ne ka nevojë të shfletojë këtë libër, për të patur një mundësi më shumë për të besuar te poezia, si te forma e lartë e ligjërimit, si te ajo grishje joshëse e situatave dhe përjetimeve që poeti na i mëkon me një shpirt të dlirë dhe një zemër të pastër.

Në poezi e rëndësishme është të jesh i tillë i përfshirë emocionalisht nga jetësimet e poetit, sa ta ndjesh edhe veten tënde në të njëjtën kolovitje vargëzuese, teksa frymon me gjërat dhe gjendjet e huajtura nga poeti, si me të tuat.