Lule, ti që shëmbëllen çdo bukuri dhe femër, bekuar qofsh e dlirë dhe në dehje

Nga Albert Vataj

E bukura lule, ti lajkatare.
E pamëshirshmja hijeshi e sublimes në çastet kur ndërkryhemi prej turreve që na ndërsen gjaku. Ëndërrtare e çdo loje që na kaplon e na hedh mbi dëshirime si mbi zjarr. Aromëmirë. Vetë puhiza magjepsëse e kolovitjes ndër yje. Delikate, e brishtë si vetë buzët që e shëmbëllejnë atë. E ëmbla dhe e pamëshirshmja, si vetë prekja që na u mpiks në harbime. Vrastare na gurron në flakërimat e gjakut dhe limfës, epshit dhe kopulimit.
Ah, natyra!
Të shenjtëruarat perëndi që zgjodhët këtë hir për të hyjnizuar çdo çast që na rikthen në pragun e lumturimit në njeriun.
Natyra, te lulja ka shprehur, ndoshta si pakkund tjetër forcën e saj të epërme. E ka mëkuar më të andshmen ëndje. Ka shprehur më të shpenguarën stuhi të pasionit. Trillin më lajkatar ka endur në të, përmes ngjyrash, formash e qëndismash. Dehëse si çdo aromë e shije që perceptojmë, na frymëmerr trazueshëm si në çdo puthje.
Lulja, është kontakti nistor i njeriut me të bukurën, siç është ajo e jetës me aromën, butësinë dhe mëkimin e nënës. Krejtçka tjetër, duke ardhur përmbas kësaj magjepsje, ka mundur të vendos veten në marrëdhënie me të bukurën, po kaq ngultas, por lulja mbetet dashuria e parë, marrokja fillimore e dalldisë dhe pasionit për të hijshmen, të harmonishmen, dehësen, larushitësen, tharmin e vetë gjenezës.
I merr erë dhe ndjeje se si të përshkon një dëshirim si një vërshim llave në të gjithë kurmin tënd. Lëshoje veten në përqafimin e këtij harrimi mrekullues dhe ndjehu më tokësor se çdo pipëtimë tjetër që gjallon përreth.
Vetëm atëherë kur ndjehemi të përshkuar nga aroma dhe e bukura, nga kjo melodi marramendëse dhe ky dëshirim i çmendur, e kuptojmë se sa të dobët jemi, se sa shumë bindje buron prej arrogancës sonë, prej asaj mosbindjeje, e cila është gati të sakrifikojë gjithçka vetëm të fluturojë qoftë dhe një moment të vetëm në krahët e kësaj ëndrre.
Ajo na ka bashkëshoqëruar përgjatë gjithë rrugëtimit tonë, dhe do ta bëjë këtë, duke mbetur përgjithmonë më e bukura e të bukurave. Endja jonë adhuruese mund ta rrisë dhe zbukurojë… siç e lëveshk dhe e than, harrimi, mospërfillja, mënjanimi, e vrazhda.
Ajo çel, fërgëllon dhe kllapitet në amshim, duke dashur të na tregojë atë që ne kemi frikë t’ia themi edhe vetes, anipse ajo siç ngazëllehet e më erën fluturon, venitet e kokëulet, shpërbëhet petale pas petale e na trishton me ikjen.
A nuk është çdo bukuri kaq delikate dhe e hyjshme, kaq joshëse dhe ngasëse, kaq vetmitare dhe e trishtë, kaq e kërcënuar prej adhurimit dhe dashurishë, plagërrëmuese dhe vrasëse, ciklike, stinore.
Çel, lulëzon, na deh dhe vyshket. Në krahët e erës dhe pranverës ajo fluturon për të mbërritur në një tjetër behje mrekullimi, në një tjetër çast dehjeje.
Dhe sytë tanë ndizen dhe fiken në stinët e kësaj bukuraneje, për të riçelur sërish e skalitur shumëngjyrash, për t’u hedhur hovshëm në rrëmbimin e të tjera pasioneve flakatare që i përkundin petalet, i kalamendin aromat, i përjetëson e pamatshmja dhe e përhershmja dëshirë e të qenit adhurues.
Ja pse i besojmë asaj përbetimet e diejve të zjarrtë të pasionit, përunjësinë e gjendjeve që kridhen në përkorje, stolisjen e solemnitetit të kremteve… dhe hireve të trishta të ndarjes.
Lule, ti që shëmbëllen çdo femër, shenjtëruar qofsh edhe kur vyshkesh si puthjet që i kafshojmë në buzë… sepse ti sërish vjen për të rindezur tek unë atë diell që strukur e mbaj në dëshirime.
Lulja është edhe një bukuri tjetër që matet me magjepsjen tendë, ajo që më bën të dashuroj kaq shumë dhe të vuaj kaq thellë.