Çfarë rrezikon më shumë shëndetin e meshkujve dhe kujdesi që duhet të kenë?

Ditët e sotme janë përhapur shumë sëmundje si kanceri, paraliza, diabeti, sëmundjet e zemrës etj. Veçanërisht meshkujt të cilët janë të ekspozuar shumë ndaj stresit dhe nuk tregojnë kujdes ndaj ushqyerjes, janë më të rrezikuar nga këto sëmundje. Por, specialistët bëjnë të ditur se me anë të disa metodave të thjeshta që mund t’i praktikoni, ju mund të parandaloni këto sëmundje.
Sipas një lajmi në “Mayo Clinic”, specialistët pohojnë se mund të parandalohen faktorët të cilët rrezikojnë shëndetin e meshkujve. Ja se çfarë duhet të bëni për një jetë të shëndetshme sipas statistikave të Qendrës angleze për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve:
1. Sëmundjet e zemrës: shqetësimi më i madh që rrezikon shëndetin e meshkujve janë sëmundjet e zemrës. Ju mund t’i parandaloni këto sëmundje për një jetë më të shëndetshme. Prandaj ndiqni udhëzimet e mëposhtme:
– mos konsumoni cigare: nëse pini cigare lëreni menjëherë dhe qëndroni larg pirjes pasive të duhanit.
– ushqehuni shëndetshëm: zgjidhni zarzavatet, frutat, drithërat, produktet e pasura me fibra dhe burime të proteinave pa yndyrë siç është peshku. Qëndroni larg produkteve të pasura me yndyrë dhe kripë.
– mbani nën kontroll sëmundjet kronike: nëse vuani nga kolesteroli i lartë apo tensioni, dëgjoni me kujdes këshillat e mjekut. Nëse jeni me diabet, kontrolloni sheqerin në gjak.
– shtojani ushtrimet fizike rutinës së përditshme: mund të merreni me basketboll, të bëni ecje ose aktivitete të tjera sportive.
– ruani peshën tuaj të shëndetshme: kilet e tepërta rrisin riskun e sëmundjes së zemrës.
– shmangni stresin: hidhni hapa para për sa i përket pakësimit të stresit. Mësoni rrugët e përballimit të stresit.
2. Kanceri: kanceri i mushkërive, lëkurës, prostatës dhe kolonës janë nga llojet më shqetësuese të kancerit për meshkujt. Ndiqni këshillat emëposhtme për të pakësuar riskun e kancerit:
– mos pini cigare: çdo lloj tymi lidhet ngushtë me kancerin. Prandaj qëndroni larg duhanit dhe duhanpirjes pasive.
– qëndroni në forme: dobësimi apo dhënia e kileve të tepërta mund të ulin riskun e kancerit.
– lëvizni: aktiviteti fizik ju ndihmon të kontrolloni kilet tuaja dhe të ulë rrezikun e shfaqjes së kancerit.
– konsumoni shumë zarzavate dhe fruta: edhe pse frutat dhe zarzavatet e freskëta që mund të merrni nga shitësi nuk ju garantojnë parandalimin e kancerit, të paktën minimizojnë mundësinë e shfaqjes së tij.
– mbrohuni nga dielli: kur të dilni jashtë përdorni krem solar dhe syze dielli.
– vizitohuni rregullisht tek mjeku.
3. Aksidentet: përplasjet në mes makinave dhe motorëve shkaktojnë aksidente fatale. Përdorni rripin e sigurimit për të siguruar veten. Zbatoni limitet e shpejtësisë dhe mos përdorni makinën të përgjumur.
4. Sëmundjet kronike të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes: shqetësuese paraqiten sëmundje si bronshitet dhe amfizemi. Ja çfarë duhet të bëni për t’i parandaluar:
– mos pini cigare: nëse jeni duhanpirës atëherë kërkoni ndihmë nga mjeku për ta lënë cigaren. Dhe mos qëndroni në ambiente ku pihet cigare.
– qëndroni larg ndotësve të ambientit: qëndroni larg kimikateve apo ajrit të ndotur.
– mbroni veten nga infeksionet e rrugëve respiratore: lajini shpesh duart dhe vaksinohuni të paktën një herë në vit (vaksinë gripi). Krahas kësaj pyeteni mjekun nëse duhet të bëni vaksinën e pneumonisë.
5. Paraliza: ju nuk mund të kontrolloni faktorët rrezikues të cilët janë të trashëguar, apo lidhen me ndonjë pjesëtar të familjes. Por mund të parandaloni faktorët e tjerë:
– kontrolloni sëmundjet tuaja kronike: nëse vuani nga kolesteroli i lartë apo tensioni, ndiqni me kujdes këshillat e mjekut. Nëse jeni me diabet atëherë kontrolloni shpesh sheqerin në gjak.
– mos pini cigare: nëse pini cigare lëreni dhe qëndroni larg ambienteve ku pihet duhani.
– ndiqni një stil jetese të shëndetshëm: ushqehuni në mënyrë të shëndetshme. Qëndroni larg produkteve të pasura me yndyrë dhe kripë. Nëse jeni shumë të shëndoshë dobësohuni. Bëni aktivitete sportive çdo ditë.
6. Diabeti Tip 2: lloji më i përhapur i diabetit, diabeti tip 2 ndikon tek trupi juaj në mënyrën e përdorimit të sheqerit (glukozës). Nëse diabeti nuk mbahet nën kontroll mund të shkaktojë komplikacione të tjera si sëmundjet e zemrës, probleme me sytë, dëmtim të sistemit nervor etj. Për të parandaluar diabetin tip 2 duhet të bëni ndryshime serioze në mënyrën e ushqyerjes. Ushqehuni shëndetshëm dhe bëni ushtrime. Dobësohuni nëse jeni mbi peshë.