Ti, zemër e thyeme e zemrës teme, ndoshta u dashka me vuejt tue u dasht bashkë

DALLDISJE POETIKE

Mungova njaq gjatë sa mos me mujt me shterr lotin tand.

Më mungoi fjala me ardh te ti. As buza nuk i çau t’tana shegat e stinës së gjakosun të perëndimeve. Njatje ku paheshim nëpër sy t’përmallshëm. Prekjet m’u këputën tue u rrxu me gjethen e mbrame, prej pemës s’shkyeme degësh. Tue dasht përngut me ardh, ikjes tande i’u vunë përmbas, pa mujt me t’mbrri.

Mbete nji andërr e thyeme, n’gërmadhën e gjanave t’shtrenjta, ku pikllimi jem nepet ligësht.

Zemra, tue dasht me rrah për ty, n’mue, po gjimon. Shtërzen krahnori, kur kaplohet dhimbet e s’mundet, as me piskat. N’qiellin tem notojnë retë e bardha t’njatij kurmi, qi luloi n’bor. Çili bash njaty kah kreshtat i nepen qiellit. N’gjoks m’i shkokrroi petalet, tafti i frymës, frymës qi mu fik pa mujt me i hukat, sall njiherë, tue shpresue se ka me gjallnue. Dimnat jan t’mrazt gjithherë n’prehnin ku kullotin hana t’pikllueme. Njaq t’itht jesin edhe prekjet pahiri, qi tue pikue, si hej mbesin, njashtu pikllueshëm n’kujtesën që m’shetit nëpër shtat si cirk e beft uji.

Aniqysh, mujtëm me lulue n’andje si n’andrra, e me u deh me aromën e yjeve, kah qielli i natës na lyp kapun dorëpërdore tue mylmye me lagshtin e amshtt t’natës kreshtat e buzëve ku tue i prek, u puthëm. E njashtu nan qiellin e llamburitun me yje, e trupat e ndezun n’epsh, përpjekena tue ysht zjarm barit dhe prush kurmeve.

Na ditëm me u dasht, siç veç dashnia din me kën dashni. Mujtem me ndigjue zemrat n’pulsin e ma t’epërmeve dëshira, por veç mungimi na mbeti n’duer, n’gishtat qi zgjaten n’ajrin e largsisë, pa mujt me u përpjek dikund n’nji shpërthim.

I flasim njani-tjetrit me fjalë t’ngjyme n’zjarmin, flakën qi tue dasht me na kall, na djeg. Ndigjohena nëpër frymën, pa mujt me u pa as n’përfytyrime. Ndijmë njaq fort, sa s’mujm me besue se kem mbet me jetue epshi, e mungimit qi nderet kah pamjen e shkund dënesja.

Kjajm e qeshim, tue i’u drasht çdo syni qi shndrin, e çdo puthje qi kafshon tinzash tehun e buzës që djeg e përcllon.

Ti m’deshte me tan njat forcë, qi zemra mruen rrokaqiejt e tana dëshirave, e mue m’shpërtheu si diell anda jote e mylmyeme në nektarin e krejt luleve, e hares së tokës qi i bukuroi adhurimi dhe dehën epjen. Un’ s’dita e s’mujta me vërshue n’llavën e njatij vullkani qi gufoi n’ty, tue mësy krejtkah prush e zjarm ndezi buza jote.

Na… kena n’mes jehonën e thellë të njatij mungimi, ikjeve qi na grryejnë e na dhembin. Zemrat qi rrahin e gjimojnë n’gjokset e njani-tjetrit, me mujt me përtri çastin e njasaj yjësie qi pret t’i nepet pafundsisë. Caqe i kena vu qiellit e buzëve. N’pragje i kena ngujue prekjet e përplasejt e kurmeve.

Veç fjala ka mbetun e lirë. Fjala qi shndërrohet n’tançka gjegjet me na ngucat ndjenjat, e me na teptis mendjen, njat qi na shterri t’tana zjarmet qi duem me u djeg.

Drue se tash duhet me u murue n’tehun e njasaj jehone, thirrje eteri qi pret e përcjell andjet tona, andrrat qi lindin e desin netëve ku pahena e ndahena, ku ndijm e ndrijmë n’emën t’hyjnis qi i nep kuptim çdo gjaje qi na ban me dashunu, kjoft edhe nëpër andrra, përplot me dëshirim e andje.

Ti zemër e thyeme e zemrës teme, ndoshta u dashka me vuejt tue u dasht bashkë. Ndoshta njashtu e ndijmë ma fort n’njani-tjetrin, njat za e zjarm qi na dalldis, njat buzë e prush qi na kërdis, njat tretje kurmesh n’nji pëshpërimë.

Zemër qi m’bane me t’dasht tue u drasht, se t’due ma pak se ti m’don mue… n’se m’pranon me t’dasht si t’due, pash hatrin e Zotit e t’amëltin e shpirtit, m’len me ndij si m’dhemb. Pranoje epjen teme, siç mundesh me pranue kafshimin e njasaj dhimbe qi t’dhemb tue drasht, njaq fort me t’dasht.

Gjithqysh na duhena bash fort, n’andje e n’andrrime, n’epje e n’kopulime, n’dehje e n’dalldije, n’qiell bash njajt si n’tokw, n’re si n’vetwtima… duhena si tue pru nji njësi të re matjeje të dashnis, në universin e trupave qi duan, zemrave qi ndijnë, e buzëve qi plasin n’çdo pulitje, si n’zemrën teme dhe n’tanen me adhurim e gjëmim, tash e gjithher… Amen!

Albert Vataj